Lufta hibride e Amerikës kundër Rusisë: me Ukrainën dhe sanksione financiare dhe kulturore

Lufta hibride (e përzier) perëndimore ndaj Rusisë nuk përqendrohet vetëm tek propaganda përmes së cilës përsëriten të vërteta të përmbysura dhe gjysmë të vërteta, por ajo përfshin furnizimin me armë të nacionalistëve ukrainas dhe luftën financiare dhe kulturore
Ylli Përmeti
03/03/2022 - 08:51
Tre ngjarje gjatë javës së parë të luftës
Moska zbulon numrin e humbjeve ndërsa Pendagoni dërgon raketa në Kiev
Edhe në kohë lufte propaganda nuk ndalon, sidomos nga ata që kërkojnë ndihmën e të tjerëve pasi bëhen shkak për të. Raportimi i vdekjeve në një luftë është dhimbje e madhe, gjithashtu: sepse pas çdo ushtari qendron një familje. Në këto kushte, të propagandës dhe dhimbjes, ministria e mbrojtjes ruse u detyrua të publikojë numrin e të vrarëve në luftë gjatë pesë ditëve të para të saj.
Sipas saj, janë vrarë 498 ushtarakë dhe janë lënduar gati 1,600 të tjerë. Ministria hodhi poshtë pretendimet e Kievit se ishin vrarë më shumë se 5,800 ushtarakë ndërsa raportoi dhe vlerësimin e saj për nacionalistët: ata kanë humbur të paktën 2,870 ushtarë dhe janë lënduar 3,700 të tjerë ndërsa rreth 572 prej tyre janë kapur rob. Shifrat ruse i vërtetoi dhe OKB-ja një ditë më pas.
Sidoqoftë, shifrat rriten përsa kohë që lufta vazhdon. Kievi ndërkohë nuk ka zbuluar viktimat e tij. Hamendësisht, sepse është përqendruar tek propaganda. Por humbjet ruse janë thuajse pesë herë më të mëdha se tërësia e humbjeve në Siri―çka nënkupton se nacionalistët janë trajinuar dhe pajisur me armë shkatërrimtare ndërsa raportohet se Pentagoni ka filluar të dërgojë raketa të tjera anti-ajrore Stinger në Kiev, duke tejkaluar ngurrimin që pati Shtëpia e Bardhë ditët e para të sulmit―çka nënkupton se ushtria ruse do të pësojë më shumë humbje.
SHBA-ja ka furnizuar me raketat në fjalë Muxhahedinët në Afganistan kur u sulmua nga Bashkimi Sovjetik me të cilat i shkaktoi dëme të mëdha.
Në krye të tetë ditëve dhe në traundin e dytë të bisedimeve, palët arritën në një marrëveshje: armëpushim të përkohshëm dhe krijimin e korridoreve ose kanaleve për ndihma humanitare.
Pentagoni krijoi linjë “shpërplasjeje” me Rusinë ndërsa përplaset me Indinë
Në ditën e nëntë të luftës Pentagoni krijoi një linjë të nxehtë për “shpërplasje” me Rusinë, e cila synon të parandalojë gabimet dhe përshkallëzimet mes palëve. Në luftën e Sirisë ai veproi njësoj, ku Rusia ka ndërmarrë veprime anti-terroriste pas ftesës së Damaskut ndërsa SHBA-ja nuk ka ndonjë mandat ndërkombëtar. Shkel, në fjalë të tjera, të drejtën ndërkombëtare prej vitesh.
Linja do të jetë në duart e Komandës Evropiane. Frika e Pentagonit lidhet kryesisht me trupat amerikane që kanë lëvizuar drejt kufijëve të aleancës: Poloni, Rumani, shtetet Balltike, Estoni, Latvia dhe Lituani. Dy ditë më parë Bajdeni deklaroi se do të “gjymtonte” Rusinë në afatgjatë ndërsa Shtëpia e Bardhë këmbngul se nuk ka plane nga SHBA-ja ose Nato-ua për të dërguar trupa ushtarake në Ukrainë. Duke patur parasysh të kaluarën ky qendrim nuk e qetëson Moskën.
Një përplasje paralele po zhvillohet mes SHBA-së dhe Indisë: kjo e fundit nuk e ka dënuar sulmin rus dhe abstenoi në votimin e rezolutës amerikane; ndaj e ka vendosur përpara zgjedhjes ose sanskione ose dënim. India furnizohet me armë nga Rusia dhe ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh me të. Ajo është pjesë e Dialogut Katërpalësh për Sigurinë me SHBA-në, Japoninë dhe Australinë i cili synon të luftojë Kinën.
Një përshkallëzim tjetër u dëshmua në Uashington ku senatori republikan Lindsay Graham nxiti qytetarët rusë në Rusi për t`i bërë botës një ‘shërbim të madh’, duke nënkuptuar vrasjen e Putinit―ndryshe ata do të shpenzojnë pjesën tjetër të jetës së tyre në izolim dhe errësirë. Ndaj aludimit të tij reagoi ambasadori rus në Uashington duke kërkuar sqarime ndërsa tha se qendrimi i tij është “i papranueshëm” dhe “fyes”.
Një ngjarje tjetër ndodhi në Ukrainë që alarmoi botën: një impiant bërthamor u përfshi në flakë. Si pasojë, Zelenski dhe pas tij perëndimorët, akuzuan Rusinë për sulm të “pakujdeshëm”. Sipas “Financial Times”, qendrimi i tyre u bashkërendua nga Zelenski: ai thirri në telefon një duzinë nga krerët e elitave perëndimore në orët e para të mëngjesit të ditës së premte, duke akuzuar Rusinë se ajo sulmon qëllimshëm reaktorët. Zjarri, sidoqoftë, u shua nga forcat ruse.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, flaka ishte vënë pa u përhapur dhe asnjë reaktor bërthamor ose pajisje e rëndësishme nuk u dëmtua ndërsa nivelet e radiacionit janë normale. Punonjësit e impiantit janë duke punuar dhe sistemet e sigurisë punojnë. Ministria e mbrojtjes ruse reagoi më pas dhe akuzoi forcat ukrainase për vënien e zjarrit duke shkaktuar një “provokim të përbindshëm”.
Rusia i përgjigjet perëndimit “dhëmbpërdhëmb” për mediat
Në ditën e pestë të luftës, Rusia bllokoi faqet e internetit brenda territorit të saj të disa organizatave të huaja mediatike, mes të cilave dhe Zërin e Amerikës, Radio Evropa e Lirë, BBC dhe Deutsche Welle, duke i akuzuar ato për përhapje të informacionit të rremë lidhur me luftën në Ukrainë. Sipas saj, ato kanë përhapur gënjeshtra mbi thelbin e operacionit special ushtarak në Ukrainë, formën e tij, metodat e operacioneve luftarake, sulmet ndaj popullatës, goditjet në infrastrukturën civile, humbjet e forcave të armatosura ruse dhe viktimat civile.
Ndërsa Voa reagoi duke thënë se do të vazhdonte të përdorte mekanizma dhe burime të tjerë për të “informuar” audiencën e saj, BBC-ja njoftoi më pas se ishte duke pezulluar përkohësisht punën e të gjithë gazetarëve të saj në Rusi, në përgjigje të një ligji të ri që kërcënon gazetarët me burg, sipas të cilit “përhapja e informacionit të rremë për forcat e armatosura është shkelje. Kremlini kërkon që konflikti të mos quhet luftë por “operacion special ushtarak”.
Ky veprim i Kremlinit pasoi veprimin e BE-së e cila ndaloi mediat ruse të kontrolluara nga shteti si RT dhe Sputnik. Facebook-u, Google, YouTube dhe TikTok-u bllokuan qasjen në vendet e BE-së të RT-së dhe Sputnik-ut. Twitter-i ka njoftuar se do t’i bashkohet kësaj mase të BE-së. Një ditë më pas agjencia shtetërore ruse e kontrollit të mediave “Roskomnadzor” bllokoi plotësisht Facebook-un “për shkak të diskriminimit” të medias ruse dhe burimeve shtetërore të informacionit. Ajo tha se kufizimet e vendosura nga Facebook ndaj mediave shtetërore ruse si RT, janë në shkelje të ligjit rus.
Implikimet: më shumë çensurë, urrejtje mes popujsh dhe luftra
Në javën e parë të luftës në Ukrainë perëndimi propagandoi qasjen se ishte ndërhyrja ruse e vitit 2014 në Donbas dhe më pas në gjithë Ukrainën shkaku u luftës ndërsa Rusia propagandoi qasjen se ishte perëndimi që shkaktoi luftën me ndërhyrjen e tij në Ukrainë në vitin 2014 përpara se të shkaktohësh lufta në Donbas dhe më pas politikat nacionaliste të Kievit. Qasja perëndimore mbizotëroi në median perëndimore ndërsa qasja ruse mbizotëroi në median ruse. Këto qasje përmendeshin kur në perëndim media ruse lejohësh ―sipas marrëveshjeve që kishin bërë palët për mediat― dhe kur në Rusi lejohësh media perëndimore. Pas ndalimit të mediave të blloqeve përkatës (Rusia përbën një bllok të veçantë përsa kohë që në të bëjnë pjesë disa kombe) perëndimi po propagandon (BBC-ja e filloi sot) faktin se “Rusia tani do të çensurojë të vërtetën lidhur me luftën”―domethënë, padrejtësitë e ushtrisë së saj.
Dhe kjo është e vërtetë. Por e vërtetë është gjithashtu se media perëndimore çensuroi prej tetë vitesh të vërtetën lidhur me luftën në Donbas dhe politikat vërtet nacionaliste të Kievit! Propaganda perëndimore nuk përmend as faktin tjetër se për “çensurën” e hamendësuar u bë ajo shkak duke ndaluar e para median ruse në perëndim! Unë kam vite që i ndjek mediat perëndimore dhe ato ruse për arsye zejeje dhe sinqerisht ky zhvillim më shqetëson, sepse tani popujt do të dëgjojnë vetëm të vërteta të përmbysura dhe gjysmë të vërteta! Kjo dinamikë mund të çojë në rritjen e urrejtjes mes popujsh dhe në luftra të tjera. Jetojmë kohë tejet të rrezikshme dhe shkaktarët e saj duhet t`i tregojmë!
Lufta hibride e Amerikës kundër Rusisë: me Ukrainën dhe sanksione financiare dhe kulturore
Ukraina si “gur shahu” dhe fushë beteje për luftë të ndërmjetme mes SHBA-së dhe Rusisë
Lufta hibride (e përzier) perëndimore ndaj Rusisë nuk përqendrohet vetëm tek propaganda përmes së cilës përsëriten të vërteta të përmbysura dhe gjysmë të vërteta, por ajo përfshin furnizimin me armë të nacionalistëve ukrainas dhe luftën financiare dhe kulturore: e para filloi menjëherë pas puçit në Kiev dhe efektit domino që ai pati ndaj pakicave kombëtare dhe veçanërisht ndaj ato ruse në Ukrainë dhe Donbas. Ajo vazhdoi me trajinimin e ushtrisë ukrainase për të zhvilluar luftë (edhe guerrile) kundër saj dhe u intensifikua gjatë muajve të fundit të vitit 2021 dhe gjatë dy muajve të parë të vitit 2022.
Ukraina po përdoret nga Uashingtoni si një tjetër fushëbetejë për luftë të ndërmjetme dhe jo të drejtëpërdrejtë kundër Rusisë. Siç zbulon “The Washington Post” përmbajtjen e dokumentave të qeverisë amerikane të deklasifikuar: SHBA-ja rriti ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës në mënyrë dramatike, duke përfshirë armë dhe pajisje për luftë urbane. Sipas saj, qeveria amerikane ka furnizuar Kievin me armë qitëse, veshje të veçanta për artileri dhe pajisje të tjera të nevojshme për luftë urbane. Por furnizimi me armë amerikane u rrit ndjeshëm javën e parë të luftës kur Kievi mori raketa kundërajrore Stinger dhe raketa kundër-tank Javelin mes shumë pajisjeve të tjera. Në fjalët e gazetës:
Gjatë javës së kaluar, administrata e Bajdenit ka rritur ngarkesat duke dërguar sisteme raketore kundër-ajrorë Stinger për herë të parë duke shtuar më tej raketat kundër-tanke Javelin dhe armatime të tjera. Të gjitha bashkë, llojet, volumi dhe fuqia e zjarrit që është dërguar në zonë, tregon zgjerimin në të cilin SHBA-ja kërkoi të përgatiste ushtrinë ukrainase të bënte një luftë hibride kundër Rusisë qoftë edhe nëse presidenti Bajden ka përjashtuar dërgimin e trupave amerikane në konflikt.
Ndërsa raporti nuk përfshin të dhëna të klasifikuara, ai sqaron se administrata e Bajdenit ka dërguar sisteme kundërajrorë shpine Stinger ose MANPADS, në Ukrainë përgjatë ditëve të fundit, armë që do të ndihmojnë ushtarët të sulmojnë avionët rusë. Ato u përgatitën me dërgesën e raketave Javelin dhe lëshuesve, një shtyllë e ndihmës ushtarake në Ukrainë që nga viti 2018, gjithashtu dhe municione. Rreth 240 milionë dollarë nga 350 milionë në ndihmë ushtarake që u miratua në fund të shkurtit tashmë ka shkuar në Ukrainë. Këto dërgesa janë shtesë e rreth 200 milionë dollarëve në ndihmë ushtarake të miratura për Ukrainën në fund të dhjetorit.
Pentagoni ka refuzuar të zbulojë të gjithë listën e armëve, citon e njëjta gazetë. Vitin e fundit, SHBA-ja ka lëvruar më shumë se 1 miliardë dollarë në ndihmë ushtarake për Ukrainën që përfshin radarë, radio sigurie, pajisje elektronike, pajisje mjekësore, mjete dhe furnizim të sigurtë të sistemeve raketore Javelin. Në tërësi SHBA-ja ka dërguar rreth 3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në Ukrainë që nga koha e puçit.
Përpjekja për armatosjen e nacionalistëve u shtua kur në ditën e nëntë të luftimeve Zelenski i bëri thirrje perëndimit ta mbështeste me më shumë armatime meqënse nuk mbështeti një zonë jo-fluturuese siç kishte kërkuar më parë: si pasojë Shtëpia e Bardhë filloi të nxiste Poloninë për t`i dërguar avionë luftarakë. Sipas marrëveshjes, raportoi FT, Polonia do të dërgojë avionë luftarakë të prodhuar nga Rusia (të vjetër), kryesisht sepse pilotët ukrainas janë trajinuar me ta, të cilët do t`i zëvendësojë me avionë amerikanë F-16. Polonia mbështet Ukrainën, sepse e sheh atë si viktimë agresioni.
Por perëndimi druhet se mos furnizimi me armë i Ukrainës mund shihet nga Putini si përfshirje e Nato-s në luftë, sepse një ditë më parë kishte thënë se krijimi i një zonë jo-fluturuese nga çdo palë e tretë do të quhet “përfshirje në konfliktin e armatosur”. Vetë presidenti polak u shpreh se dërgimi i avionëve luftarakë do të ishte e barabartë me ndërhyrjen në konflikt ndërsa amerikanët kishin dëftuar më herët se ata nuk mund të furnizonin Ukrainën me avionë amerikanë, duke mohuar se “SHBA-ja kundërshtoi idenë e dërgimit të avionëve luftarakë rusë në Ukrainë [nga Polonia], duke thënë se ishte një vendim sovran për çdo vend”.
Një arsye tjetër që pengon amerikanët të dërgojnë avionë luftarakë në Ukrainë, është e karakterit ligjor: ligji nuk lejon dërgimin e avionëve luftarakë. Por për të tejkaluar pengesat ligjore amerikane nuk mungojnë propozimet nga kongresmenët meqënse të dyja palët e Kongresit mbështesin gjetjen e zgjidhjeve krijuese. Një propozim erdhi nga Brendan Boyle, kongresmen demokratik i Filadelfias. Ai tha se SHBA-ja mund të miratojë aktin “Lend-Lease” që përdori në luftën e dytë botërore për ta bërë më të lehtë furnizimin e vendeve me armë. Vetë ministri i mbrojtes ukrainase, Dmytro Kuleba, bëri të njëjtën lutje ndaj Blinkenit gjatë një takimi në kufirin Poloni-Ukrainë. Ndaj lutjes së tij Blinkeni tregoi gadishmëri dhe është duke punuar!
Implikimet e nxitjes së vendeve të Nato-s për të dërguar avionë luftarakë në Ukrainë
Çështja u bë më serioze kur Blinkeni tha një ditë më pas se anëtarët e Nato-s kishin marrë “dritë jeshile” nga Uashingtoni për të dërguar avionë luftarakë në Ukrainë! Ky pohim tregon shumë të vërteta njëherësh: se Uashingtoni është “komandat” i anëtarëve të Nato-s; se kërkon t`i nxjerrë “gështenjat nga zjarri i Ukrainës me duart” e anëtarëve të tjerë të Nato-s; dhe se ky argument do të shfrytëzohet nga Rusia duke u thënë evropianëve se Uashingtoni kërkon të shkaktojë luftë botërore në tokë evropiane pavarësisht faktit se evropianët po e kuptojnë se ç`qëllime ka Uashingtoni. Rasti i presidentit polak e ilustron mjaft mirë kuptimin e tyre. Ata e dinë se Rusia nuk do të ngurrojë t`i quajë ndërhyrjet e tyre në luftë, ‘përfshirje’, dhe rrjedhimisht t`u shpallë luftë edhe atyre! Qendrimi publik i Blinkenit, rrjedhimsht, është katastrofik për popujt evropianë. Madje dhe për vetë Amerikën: sepse lidhja mes evropianëve dhe amerikanëve është historike.
Qendrimi i tij mund të shkaktojë, për më shumë, efektin e kundërt ndaj Amerikës: në vend të “izolohet” Rusia siç pretendon perëndimi, izolohet Amerika, sepse evropianët, dhe veçanërisht partitë e djathta që luftojnë kundër globalizmit neoliberal dhe SHBA-së, do të tregojnë Uashingtonin si shkaktar të luftës dhe jo Rusinë. Qendrimi tij, tregon, në fund, se “bashkimi” perëndimor kundër Rusisë, të cilin e përsërit propaganda perëndimore, nuk buron nga parimet themelore të Nato-s në vendime ―njëzëshmëria/konsesusi― por nga kërcënimi me sanskione. Këtë fakt e ilustron mjaft qartë rasti i Indisë, e cila nuk e fajësoi Rusinë në OKB për sulmin e saj ushtarak siç kërkoi Uashingtoni: si pasojë ajo u kërcënua nga ai duke e vendosur përpara dy zgjedhjeve: ose e fajëson ose prit sanksionet!
E gjendur nën trysninë amerikane dhe frikës se mos përfshihësh në luftë me Rusinë për avionët e saj luftarakë, Polonia befasoi Uashingtonin dy ditë më pas duke njoftuar se ishte e gatshme të dërgonte menjëherë dhe falas të gjithë avionët e saj reaktivë të tipit MIG-29 në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani duke i vendosur ata në dispozicionin e Shteteve të Bashkuara ndërsa kërkoi nga Shtëpia e Bardhë ta pajiste me avionë të përdorur por të aftë për veprim dhe se ishte e gatshme për të përcaktuar kushtet për blerjen e tyre.
Si pasojë, sekretari i shtypit të Pentagonit John F. Kirby tha se “nuk mendonte se propozimi i Polonisë është i realizueshëm”. Kirbi sqaroi se “mundësia që avionë luftarakë ‘në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës’ të nisen nga një bazë amerikane dhe e NATO-s në Gjermani, për të fluturuar drejt hapësirës ajrore të kontestuar me Rusinë mbi Ukrainë, ngre shqetësime serioze për të gjithë aleancën e NATO-s” ndërsa shtoi se vazhdojnë konsultimet me Poloninë.
Polonia po e mbështet Kievin me armatim mbrojtës por deklaroi se nuk do t`i dërgojë avionë reaktivë Ukrainës, pasi nuk është palë direkte në konfliktin mes Ukrainës, që nuk është anëtare e NATO-s, dhe Rusisë. “... çdo vendim për të dërguar armë ofensive duhet të merret nga e gjithë NATO-ja dhe me unanimitet”, tha të martën kryeministri Mateusz Morawiecki, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Oslo me homologun e tij norvegjez. “Prandaj jemi gati t`ia japim (bazës) Ramstein të gjithë skuadriljen tonë të avionëve reaktivë luftarakë, por nuk jemi të gatshëm të ndërmarrim ndonjë lëvizje nga ana jonë, pasi siç thashë, nuk jemi palë e kësaj lufte”, shtoi ai.
Polonia, në fjalë të tjera, tregoi dy të vërteta njëherësh me përgjigjen e saj: faktin se Uashingtoni donte ta përfshinte në luftë me armë ofensive dhe faktin se për armë të tilla nevojitet vendim i njëzëshëm nga Nato-ja―vendim të cilën Uashingtoni e anashkaloi kur tha se u kishte dhënë “dritë jeshile” anëtarëve të Nato-s të dërgonin avionë luftarakë në Ukrainë!
Zelenski mori një goditje të dytë pas pak orësh nga Gjermania: ajo refuzoi të dërgonte avionët e kërkuar nga presidenti ukrainas duke thënë se ata nuk janë pjesë e armëve mbrojtëse. “Ne duhet të konsiderojmë me shumë kujdes se çfarë bëjmë konkretisht, dhe prerazi avionët nuk janë pjesë e tyre”, tha Sholci në një konferencë për shtyp. Me këtë përgjigje Sholci iu përgjigj dhe “dritës jeshile” të Uashingtonit!
Një ditë më pas Shtëpia e Bardhë tregoi ‘tërheqje’ nga qëllimi i saj për të përfshirë Ukrainën në luftë...botërore: ajo tha se do të ishte më e mençur të dërgonte armatime duke përfshirë sistemet kundër mjeteve të blinduara dhe sisteme të mbrojtjes ajrore dhe se dërgimi i avionëve nga vendet e tjerë nuk kishte të ngjarë ta ndryshonte ndjeshëm efektivitetin e forcës ajrore ukrainase në krahasim me aftësitë ruse. Uashingtoni përdori dhe një vlerësim të komitetit amerikan të zbulimit sipas të cilit dërgimi i avionëve luftarakë në Ukrainë mund të shihej si një veprim përshkallëzues dhe mund të rezultonte në reagim të ashpër rus i cili mund të rriste mundësinë e një përshkallëzimi ushtarak me Nato-n.
Përdori, në fjalë të tjera, një nga argumentet që kam cituar më herët, për të cilin Uashingtoni një javë përpara nuk ishte shumë i shqetësuar. Vendosja e Polonisë në një gjendje të nxehtë për të dërguar...dhe mosmarrëveshjet e tyre publike, me siguri do të kenë pasoja negative mes dy aleatëve. Pasojat negative, në fakt, do të zgjerohen edhe mes anëtarëve të tjerë të Nato-s meqënse Uashingtoni bëri edhe një herë rolin e “komandatit” në aleancë duke kërkuar t`i përfshinte të gjithë në luftë me Rusinë përveç vetes!
Lufta perëndimore financiare dhe kulturore kundër Rusisë
Me fillimin e sulmit rus, perëndimi filloi dhe përdorimin e “armëve” financiare kundër Rusisë siç kishte paralajmëruar gjatë kohës kur Rusia përqendroi forcat ushtarake në kufi me Ukrainën dhe kërkonte bisedime për shqetësimet e saj të sigurisë, duke shtuar dhe luftën kundër artit, sportit dhe kulturës ruse. “Armët” në fjalë plotësojnë luftën hibridre të perëndimit kundër Moskës. Siç tregon “Financial Times”:
Shtetet evropiane kanë përdorur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, duke përfshirë bankën qendrore të saj, të cilët kanë mundësinë të dhjetojnë ekonominë ruse...ato janë barabartë me luftën e plotë financiare në një natyrë dhe qëllim të padëgjuar. Njëkohësisht, ai [perëndimi] ka orkestruar një bojkot kulturor dhe sportiv, duke imponuar një ndjesi të gjerë izolimi mbi shoqërinë ruse. I lodhur me luftrat e tij të pafundme, perëndimi po udhëheq një luftë të re “hibride”―një ndërthurje e pushtetit ekonomik dhe të butë e cila synon dënimin e Rusisë dhe shtrëngimin e saj të ndryshojë kurs...që nga fundi i luftës së ftohtë, një rrjet i lidhjeve të thella është rritur mes Rusisë dhe armiqëve të saj të dikurshëm në perëndim, jo vetëm në biznes dhe financë, por gjithashtu në kulturë, sport dhe udhëtim. Qeveritë perëndimore tani po përpiqen ta kthejnë këtë ndërlidhje kundër Putinit, duke përdorur kontrollin e tyre mbi sistemin ndërkombëtar financiar dhe aftësinë e shoqërive të tyre për të krijuar rrëfenja të fuqishme që shperndahen në median sociale...ndërsa pak zyrtarë perëndimorë presin që masat të kenë një ndikim të menjëhershëm gjatë kursit të luftës, atje ka patur befasi se sa shpejtë dhe vendimtarisht qeveritë ishin të afta të vendosnin bashkë sanksione financiare.
Më tej analiza sqaron se ndikimi i sanksioneve financiare ka qenë i shpejtë dhe i ashpër. Si pasojë, rusët filluan të mbanin radhë jashtë bankave për të tërhequr paratë e tyre dhe rubla kaloi në rënie të lirë, duke detyruar bankën qendrore ruse të më shumë se dyfishonte përqindjen e interesit në 20 për qind për të mbeshtetur industrinë bankare atje. Përgjatë një jave deviza ruse humbi mbi 30 për qind të vlerës së saj duke rënë në thuajse poshtë rekordit kundrejt dollarit amerikan. JPMorgan ka parashikuar se PBB-ja ruse do të rrënohet me 35 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. Sanksionet janë aq drakoniane sa që ata mund ta shtyjnë Rusinë në falimentimin e parë të borxhit qeveritar që nga kriza rrënuese e vitit 1998 ― kryesisht për shkak të perëndimit që në praktikë “armatosi” dominimin e tij mbi arkitekturën botërore financiare.
Atje janë një mori dhëmbësh në sulmin e përbashkët financiar të SHBA-BE-së, sqaron FT. Si fillim ata përfshinin kryesisht sanksione mbi individë të rëndësishëm rusë dhe ndërmarrje ruse, duke ndaluar çdo institucion perëndimor financiar të ndërveprojë me ta në ndonjë mënyrë. Por perëndimi zbuloi armët e tij të rrënimit të madh financiar. Dy veglat kryesore kanë bllokuar qasjen e varreshteve ruse në sistemin Swift që mbështet shumicën e ekosistemit botëror të pagesave ― duke përjashtuar vetëm pagesat e energjisë për të ruajtur rrjedhën e naftës dhe gazit ― dhe duke ngrirë pronat e bankës qendrore ruse jashtë vendit për të paralizuar aftësinë e saj për të mbështetur sistemin e saj financiar me afërsisht 600 miliardë dollarë në rezervat e saj. Shto daljen nervoze të ndërmarrjeve perëndimore si BP, mbyllje dyqanesh si Ikea, dhe zhveshjet e investitorëve si fondi i pasurisë sovrane norvegjeze, dhe Rusia përballet me thuajse një bllokatë tërësore financiare ndërkombëtare në ekonominë e saj.
Qëllimi është përdorimi i mjeteve financiare për të ngritur koston ushtarake ruse dhe heqjen e rrogozit nga poshtë ekonomisë ruse përpara se të shkatërrojnë Ukrainën. Disa janë në dijeni se masat ndëshkuese mund të shkaktojnë në popullin rus ndjenja kundër popujve perëndimorë dhe të ushqejnë nacionalizmin rus. Perëndimi ka nxitur dhe bojkotimin e sportit dhe kulturës ruse në një gjerësi që s`është parë që nga koha e epokës së aparteidit në Afrikën Jugore. Fifa ndaloi Rusinë në gjithë garat ndërkombëtare të futbollit. Ajo është pezulluar dhe në lojrat e hokejt dhe në lojëra të tjera. Nuk lejohet të marrë pjesë në Eurovizion dhe artistët rusë që paraqesin realizimet e tyre në perëndim bojkotohen. Qëllimi është të ushtrohet trysni më e madhe ndaj Putinit. Racionalja pas kësaj trysnie është se kur rusët shohin se ekonomia është në kaos, ndërsa skuadra e tyre kombëtare dhe ikonat kulturore shmangen nga pjesa tjetër e botës, ata do ta shfryjnë zemërimin e tyre mbi presidentin.
Por se çfarë anashkalon analiza e FT është fakti se Rusia e Putinit e ka ruajtur shpirtin revolucionar të shekullit të kaluar jo vetëm duke lejuar partitë komuniste të jenë pjesë e jetës parlamentare atje, ndryshe nga shumë vende perëndimore, si Britania dhe SHBA-ja, të cilat ushtrojnë trysni ndaj Putinit të ruajë shpirtin revolucionar të popullit, por dhe faktin se Putini është përgatitur për këtë sulm të gjithanshëm perëndimor. Analiza, anashkalon, gjithashtu, dhe faktin se lufta ushtarake e ndërmjetme (përmes Ukrainës) dhe ajo financiare ndaj Rusisë shkakton dhimbje ekonomike dhe shoqërore më shumë në perëndim (kryesisht në Evropë) se sa në Rusi. Kjo është tjetër propagandë perëndimore e cila synon të tregojë dëmet që po i shkakton kundërshtarit por pa treguar dëmet që po i shkakton vetes! Qëllimi është të krijojnë bindjen ―mes popujsh― se elitat po veprojnë drejtë me Rusinë dhe politikat e tyre të miratohen nga ata. Analiza anashkalon ose shpërnjeh, për më shumë, faktin se Putini ka përgatitur një tjetër kuadër institucional, bashkë me Kinën, përmes të cilit synohet të luftohet kuadri institucional i globalizmit neoliberal (OBT etj.). Ajo anashkalon, në fund, efektin që ka premtimi perëndimor ndaj nacionalistëve ukrainas: se do t`i ndihmonin ata në luftën e tyre kundër Rusisë.
Perëndimi, në fakt, i ka ndihmuar ata. Por nëse gjykojmë nga qendrimet e Zelenskit dhe disa figurave të tjera ukrainase, ata kishin krijuar shpresën se perëndimi do të përfshihësh ushtarakisht në Ukrainë. Kjo është arsyeja se pse Zelenski shpesh herë “zbrazet” kundër perëndimit duke u kërkuar atyre përfshirje më të madhe në luftë (me avionë etj.). Ankesat e tij reflektojnë dhe shpresën e ushtrisë ukrainase në terren: se ata do të ndihmohen nga perëndimi në luftën e tyre për të krijuar një shtet nacionalist siç u ndihmuan pas puçit. Ata do ta kuptojnë, herët a vonë, se u përdorën nga perëndimi si marjoneta për të luftuar Rusinë. Këtë fakt nuk e vërtetojnë vetëm faktet që kam shqyrtuar këtu por dhe pohimi historik i Abaz Ermenjit, nacionalistit shqiptar që “luftoi” komunizmin në Shqipëri shekullin e kaluar me ndihmën e aleatëve amerikanë: “Aleatët tanë donin të bënin eksperimente me Shqipërinë, duke na trajtur ne sikur të ishim minj laboratori, kavie, pa çarë kokën për humbjet njerëzore”!
Përditësuar me çështjet kryesore lidhur me luftën në Ukrainë. Fotografia që shoqëron këtë analizë është e FT së cilës i mungon lufta ushtarake. Si e tillë, nuk tregon gjithë realitetin e luftës.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 2566 reads



