Gjermania i “shpall” luftë Rusisë nga Kievi ndërsa përparon fitimet e industrisë
Merci e lidhi sigurinë e Ukrainës me sigurinë e Gjermanisë dhe rrit përfshirjen e saj në prodhim dhe luftë
Financial Times
07/10/2026 - 08:13
Kancelari Friedrich Merc mbërriti në Kiev i shoqëruar nga një grup tregtarësh gjermanë, duke shfaqur mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën, ndërsa Rusia shton sulmet e saj ndaj qyteteve ukrainase. Që kur Merci mori detyrën në maj 2025, Gjermania është bërë dhuruesi më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke zëvendësuar SHBA-në, e cila ka pakësuar mbështetjen e saj.
Merci shoqërohej nga ministrja gjermane e ekonomisë, Katherina Reiche, dhe drejtues të ndërmarrjeve të mëdha, një shenjë se Berlini po kërkon të theksojë se mbështetja e tij mund të sjellë përfitime për të dyja palët.
“Ukraina po përballet me javë vendimtare. Prandaj udhëtova sot në Kiev me kumtin: mund të mbështeteni tek ne,” tha Merci në një postim në X pasi mbërriti herët të dielën me tren. “Siguria e Gjermanisë varet gjithashtu nga përfundimi i kësaj lufte.”
Pak pasi Merci nisi qokën e tij në kryeqytet, një sulm ajror rus goditi Urën e Veriut të qytetit, sipas kryetarit të bashkisë, Vitali Kliçko. Sirenat e alarmit ajror u dëgjuan në të gjithë qytetin dhe nga vendi i goditjes u pa të ngrihej tym i zi.
Të premten dhe të shtunën, tre dronë rusë sulmuan gjithashtu Urën e Jugut të Kievit, duke plagosur disa njerëz dhe dëmtuar strukturat.
Udhëtimi në Kiev zhvillohet ndërsa Rusia po zgjeron luftën e saj ajrore kundër Ukrainës në prag të dimrit. Merci ka shprehur shqetësime, të ndara edhe nga udhëheqës të tjerë evropianë dhe shërbime perëndimore të zbulimit, se Rusia po përshkallëzon atë që ata e quajnë “luftë hibride” në hapësirën evropiane — siç ishte, për shembull, sulmi i dështuar me dron në aeroportin e Lajpcigut në gusht.
Kjo është qoka e dytë e Mercit në Ukrainë që kur u bë kancelar, pasi në maj 2025 udhëtoi atje së bashku me udhëheqësit e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë. Gjendja e sigurisë është përkeqësuar ndjeshëm që atëherë, ndërsa dronët rusë po godasin gjithnjë e më shumë banime qytetare, përfshirë rrugën hekurudhore të përdorur nga përfaqësuesit e huaj për të mbërritur në Kiev.
Ministria e Jashtme ruse të shtunën paralajmëroi “shtetasit e huaj, punonjësit e misioneve diplomatike, që të shmangin qëndrimin në Ukrainë ose udhëtimin drejt saj”. “Përgjegjësia për çdo pasojë të mundshme negative u takon tërësisht atyre që zgjedhin ta shpërfillin këtë paralajmërim”, thuhej në qëndrim, disa orë para mbërritjes së Mercit.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy i tha FT-së të enjten, duke përmendur të dhënat e mbledhura nga shërbimet e tij të zbulimit, se Rusia po përgatitej të shtonte sulmet ajrore ndaj qyteteve më të mëdha të Ukrainës, me synimin për t’i izoluar ato nga pjesa tjetër e vendit me afrimin e dimrit.
Muajin e kaluar, Gjermania akuzoi zyrtarisht Moskën për organizimin e një sulmi të mundshëm në aeroportin Lajpcig-Hale, një qendër logjistike për ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën, pasi një punonjës i aeroportit zbuloi një dron të mbushur me lëndë shpërthyese.
Në një ndryshim të madh krahasuar me paraardhësit e tij, Merci e zbuti kufizimin kushtetues mbi huanë shtetërore për të financuar një plan masiv riarmatosjeje dhe për të siguruar rreth 10 miliardë euro ndihmë vjetore për Ukrainën në vitet e ardhshme.
“Ortakëria jonë nuk është një rrugë me një drejtim,” tha Merci të dielën në Kiev. “Ndërmarrjet gjermane dhe ukrainase po zhvillojnë së bashku teknologji nga të cilat përfitojnë të dyja vendet.”
Ndërsa udhëheqja e tij në çështjen e Ukrainës vlerësohet në Kiev dhe në kryeqytete të tjera evropiane, në vend Merci po përballet me nivele rekord të ulëta të mbështetjes dhe me pakënaqësi në rritje brenda partisë së tij.
Bashkimi Demokristian i Mercit pësoi humbje të mëdha në zgjedhjet e muajit të kaluar, ndërsa e djathta së skajshme, Alternativa për Gjermaninë, shënoi rritje rekord në dy lande të ish-Gjermanisë Lindore, ku mbështetja ushtarake për Ukrainën nuk është e pëlqyer. Ndërkohë, në Berlin, e majta së skajshme, Die Linke, e cila gjithashtu kundërshton furnizimin e Kievit me armë, doli e para në zgjedhjet rajonale.
“Duke pasur parasysh debatin e brendshëm rreth mbështetjes për Ukrainën, Mercit i duhet të tregojë se kjo sjell njëfarë kthimi për Gjermaninë,” tha një person në dijeni të planeve të tij.
Ishte gjithashtu e rëndësishme të theksohej kostoja politike e brendshme që mbështetja e tillë sillte dhe, në këmbim, të kërkohej që Kievi të reformonte institucionet e tij, të luftonte korrupsionin dhe të blinte armë gjermane, thanë burime brenda qeverisë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 19 reads



