...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia padit GJPN-në për urdhër-arrestin ndaj Putinit

Urdhëri i saj është më tepër i karakterit gjeopolitik, në kuptimin që të kontribojë në diskretitimin e presidentit rus për luftën e tij në Ukrainë

Ylli Përmeti

18/03/2023 - 14:06

Gjykata Penale Ndërkombëtare me seli në Hagë lëshoi një urdhër-arresti për presidentin rus, Vladimir Putin, për krime lufte, për shkak të dyshimeve për përfshirje në dëbim dhe zhvendosje të paligjshme [...] të fëmijëve nga zonat e luftës duke i çuar ata në Federatën Ruse.

Urdhëri është i treti i llojit të vetë pas dy urdhërave të tjerë ndaj sudanezit Omar al-Bashir (në vitin 2009-2010 për genocid) dhe libanezit Muamar Gadafit (në vitin 2011 për krime ndaj protestave të vitit 2011): i pari nuk është dorëzuar nga autoritetet e Sudanit ndërsa i dyti u vra nga forcat opozitare të Libisë në bashkëpunim me fuqitë perëndimore.

Gjykata tha se urdhër-arresti ndaj Putinit dhe jo ndaj gjeneralëve dhe ushtarakëve të tij u lëshua për ta përfrikësuar atë që të mos kryejë krime të tjerë ndaj fëmijëve. Si i tillë, ai synon të dërgojë një kumt në Moskë se sa arrestimin e vërtetë të tij, pohojnë komentatorët ligjorë.

Në fund të fundit, arrestimi i tij nuk varet nga urdhëri i gjykatës përkatëse por nga vetë Rusia. Kjo e fundit nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e quajtur “Statuti i Romës”. Atë e kanë nënshkruar 123 shtete dhe Rusia, Kina, SHBA-ja, dhe India, nuk e kanë nënshkruar.

Ndaj gjykata në fjalë u bëri thirrje shteteve nënshkruese që ta arrestojnë kur Putini të shkelë vendin e tyre meqënse Këshilli i Sigurimit në OKB nuk mund të marrë ndonjë vendim kundër Putinit përsa kohë që Rusia ―si anëtare e tij― mund të vendosë veto.

Vetë gjykata, e cila është pjesë e sistemit botëror të drejtësisë që nga viti 2002, është kritikuar për anshmëri ngaqë është përqendruar në çështjet e Afrikës dhe nuk ka hetuar krimet e kryera nga elitat perëndimore në Lindjen e Mesme dhe më tej, me më kryesorin mashtrimin e ish-kryeministrit britanik Toni Bler dhe presidentit amerikan Xhorxh Bush, të cilët shkatërruan Irakun dhe e “hodhën lumin pa u lagur”, vetëm duke kërkuar ndjesë për mashtrimin e tyre ndaj popujve perëndimor, sipas të cilëve, Sadami zotëronte armë të shkatërrimit në masë. 

Disa vende afrikane e kanë akuzuar gjykatën si organ “neo-kolonialist” perëndimor pikërisht për faktin se ajo nuk ka hetuar SHBA-në dhe Izraelin për krime lufte ndërsa kritikët ligjorë të gjykatës argumentojnë se parimet e ravijëzuar në Statutin e Romës garantuan që asnjë amerikan të mos ndiqet penalisht. Kjo është arsyeja kryesore se pse ajo ka dështuar të hetojë presidentët amerikanë për krime lufte dhe kjo është arsyeja që shumë kërkojnë ta “reformojnë” atë.

Urdhëri i saj, në fjalë të tjera, është më tepër i karakterit gjeopolitik, në kuptimin që të kontribojë në diskretitimin e presidentit rus për luftën e tij në Ukrainë: sepse as ka mundësi ta arrestojë atë as po përpiqet të “reformojë” veten që të hetojë shkaktarët e vërtetë të luftrave të fundit.

Në fund, vlen të përmendet fakti se akuza lidhet me fëmijët e zhvendosur nga Ukraina drejt Rusisë. Këtë fakt, kjo e fundit, e ka pranuar botërisht, por për një arsye tjetër: për t`i mbrojtur ata nga lufta që zhvillohet në Ukrainë. Ndaj dhe akuza e GJPN-së nuk është e mirëthemeluar qoftë edhe nëse do të kishte një arrestim të Putinit: sepse ai ka mundësi ta përdor këtë argument në gjykatë me mjaft mbrothësi dhe të mbrohet nga dënimi i mundshëm.

Rusia iu përgjigj urdhër-arrestit të GJPN-së jo vetëm me qendrimet politike por me kundër-akuzë/padi ligjore: sipas komitetit hetimor rus, prokurorët dhe gjykatësit e Hagës vepruan “në shkelje ligjore” meqënse nuk ka bazë për përgjegjshmëri kriminale ndërsa kujton Konventën e OKB-së për Mbrojtjen e Diplomatëve e cila garanton mbrojtje absolute për kryetarët e shteteve nga juridiksionet e shteteve të huaj.

Komiteti rus e quan urdhër-arrestin e prokurorit të GJPN, Karim Ahmad Khan, një krim sipas ligjit rus: “çuarja [në gjykatë] me vetëdije e një individi të pafajshëm për përgjegjësi kriminale, e ndërthurur me akuzën e paligjshme të bërjes së një krimi të rëndë ose posaçërisht të rëndë”.  

Komiteti e akuzon atë dhe për përgatitje të një sulmi ndaj një përfaqësuesi të një shteti të huaj “me qëllimin e ndërlikimit të marrëdhënieve ndërkombëtare” ndërsa i shton dhe akuzën e tentativës për “arrestim të qëllimshëm të paligjshëm” ndaj të njëjtin përfaqësues. 

Përditësuar 20 mars 2023

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA