Sa do të durojë Hezbollahu pas bombardimeve të Bejrutit?
Milicia e mbështetur nga Irani është në çepërsi pasi Izraeli mëton se ka goditur selinë e tij
27 shtator 2024, The Times
28/09/2024 - 08:30
Pak çaste pasi Biniamin Netanjahu mbaroi së foluri në OKB, ai u tërhoq mënjanë nga këshilltari i tij ushtarak për një bisedë të pëshpëritur. Kryeministri izraelit ishte në mes të konferencës për gazetarët, kur ai u largua papritur, pasi mësoi se një sulm ajror në Bejrut - një që ai kishte miratuar - ishte kryer.
Videot tregojnë se bombardimi i Dahieh, një periferi në jug të Bejrutit dhe një bastion i Hezbollahut, ishte më i madh se sulmet e mëparshme ajrore në kryeqytetin libanez. Tingulli i dukshëm i shpërthimeve dytësore nënkuptonte se një depo municioni mund të ishte goditur. Ka të ngjarë që një top zjarri i tillë i pakëqyrur të çojë në viktima civile.
Brenda pak minutash, IDF mbajti një konferencë shtypi për të pohuar se selia e milicisë shiite, “epiqendra e terrorit të Hezbollahut”, ishte vendosur nën ndërtesa banimi në periferi të Bejrutit dhe ishte sulmuar.
Ky sulm është i fundit në një seri goditjesh të rënda që Hezbollahu ka pësuar ditët e fundit – ngjarje që filluan me vrasjen e komandantëve të lartë të Hezbollahut duke përdorur mjete kumtimi të minuara, duke vrarë 32 njerëz.
Pas atij sulmi, Hassan Nasrallah, kleriku në krye të grupit, u zotua se do t`i jepte “dënim të drejtë” Izraelit. Hezbollahu dërgoi breshëri raketash në qytete dhe qytete në veri të vendit, por shumica dërrmuese u kapën nga Iron Dome, sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit me rreze të shkurtër veprimi, ndërsa të tjerët u ulën pa dëme në fusha.
Më shumë se 700 njerëz kishin vdekur në Liban javën e kaluar përpara sulmit ajror të së premtes në Dahieh, ndërsa dy ushtarë izraelitë u vranë nga një raketë antitank gjatë shkëmbimeve. Lista e të vdekurve të Hezbollahut këtë vit përfshin tashmë Fuad Shukr, komandantin ushtarak të grupit; Ibrahim Kobeissi, komandant i divizionit të raketave të milicisë; dhe Mohammad Surur, kreu i njësisë së dronëve.
Tani duket se vetë Nasrallah mund të ketë qenë në shënjestër, megjithëse raportet e hershme tregojnë se ai ka mbijetuar.
Hezbollahu urdhërohet nga Teherani dhe thellësia e marrëdhënies u zbulua kur ambasadori iranian në Liban u zbulua se kzotëronte një nga mjetet shpërthyes që Izraeli përdori për të shënjestruar anëtarët e lartë të Hezbollahut.
Duke pasur parasysh goditjet që milicia ka pësuar me pak përgjigje, tani lind pyetja: në çfarë faze ndërhyn Irani për të ndihmuar aleatin e tij?
Netanjahu, i vetëdijshëm për atë që do të vinte, dha një paralajmërim të qartë në fjalimin e tij në OKB. “Kam një kumt për tiranët e Teheranit”, tha ai. “Nëse na goditni, ne do t`ju godasim. Nuk ka vend në Iran që krahu i gjatë i Izraelit nuk mund ta arrijë! Dhe kjo është e vërtetë për të gjithë Lindjen e Mesme.”
Izraeli ka treguar tashmë aftësinë e tij për të vrarë në Teheran këtë vit, duke vrarë Ismail Haniyeh, kreun e Hamasit. Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, u zgjodh si një reformist duke premtuar marrëdhënie më të mira me Perëndimin, por ai përballet me një vendim të vështirë.
Teksa sheh Hezbollahun duke u gjymtuar nga bombardimet izraelite, ai mund të vendosë të bashkohet në sulm duke rrezikuar të vuajë nga dënimi i ngjashëm.
Ose ai mund t`i vërë veshin paralajmërimeve të Netanjahut dhe të presë që opinioni ndërkombëtar të kthehet kundër Izraelit ndërsa numri i viktimave civile bëhet i qartë. Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë, megjithatë, se duke qëndruar ulur ai mund të rrezikojë të shikojë dekadat e ndikimit iranian në Liban të zbërthehen.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 17 reads