SHBA-të mund t`i japin fund gjenocidit në Gaza muajin tjetër
Trampi mund ta bëjë këtë të ndodhë në OKB në shtator. SHBA-të
Jeffrey D. Sachs & Sybil Fares
21/08/2025 - 08:19
Presidenti Donald Tramp dëshiron një Çmim Nobel për Paqen, dhe përpjekjet e tij drejt paqes në Ukrainë, nëse kanë sukses, mund ta ndihmojnë atë ta fitojë një të tillë - por vetëm nëse ai gjithashtu i jep fund bashkëpunimit të SHBA-së në gjenocidin e vazhdueshëm në Gaza. Nën Trampin, si nën ish-Presidentin Joe Biden, SHBA-të kanë shërbyer si mbështetës i Izraelit në vrasjet masive, aneksimin, urinë dhe torturën në rritje të miliona palestinezëve. Gjenocidi mund të ndalet dhe do të ndalet nëse Trampi e dëshiron. Deri më tani nuk e ka bërë.
Izraeli po kryen gjenocid - të gjithë e dinë këtë, madje edhe mbrojtësit e tij më të vendosur. Organizata izraelite për të drejtat e njeriut B'Tselem kohët e fundit ka bërë një pranim prekës të “Gjenocidit tonë”. Në Foreign Affairs, ish-Ambasadori i SHBA-së në Izrael Jack Lew kohët e fundit pranoi se partitë ekstremiste në qeverinë e Netanjahut synojnë hapur të vdesin nga uria palestinezët në Gaza. Lew e paraqet shkrimin e tij si lëvdatë për ish-administratën Bajden (dhe për veten e tij) për përpjekjet e tyre gjoja të guximshme për të parandaluar urinë masive duke ushtruar trysni ndaj Izraelit që të lejojë hyrje më të ulët të ushqimit, ndërsa fajëson Trampin për lehtësimin e trysnisë përkatëse.
Megjithatë, rëndësia e tanishme e shkrimit është se një njeri i brendshëm i zjarrtë sionist certifikon planin gjenocidal që mbështet sundimin e Netanjahut. Lew rrëfen se pas 7 tetorit, izraelitët premtuan shpesh se “asnjë pikë uji, asnjë pikë qumështi dhe asnjë pikë karburanti nuk do të shkojë nga Izraeli në Gaza”, një qëndrim që ende formëson politikën e kabinetit të Izraelit. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) mund ta përdorë shkrimin e Lew si vërtetim të qëllimit gjenocidal të Izraelit.
Gjenocidi në Gaza, së bashku me aneksimin në Bregun Perëndimor, synon të përmbushë largpamësinë e Likud për një Izrael të Madh që ushtron këqyrje territoriale midis Detit dhe Jordanisë. Kjo do të shkatërrojë çdo mundësi për një shtet palestinez dhe çdo mundësi për paqe. Bezalel Smotrich, ministri ekstremist i financave dhe ministër në ministrinë e mbrojtjes, kohët e fundit u zotua të “varrosë përgjithmonë idenë e një shteti palestinez”, ndërsa Knesseti kohët e fundit ka bërë thirrje për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar.
SHBA-të ndihmojnë dhe mbrojnë Izraelin çdo ditë në këto krime të tmerrshme kundër popullit palestinez. SHBA-të japin miliarda dollarë mbështetje ushtarake, shkojnë në luftë përkrah Izraelit dhe ofrojnë mbulim diplomatik për krimet e Izraelit kundër njerëzimit. Mantra e pakuptimtë se “Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten” është përligjja e SHBA-së për vrasjen masive dhe urinë e civilëve të pafajshëm nga Izraeli.
Gjenerata historianësh, psikologësh, sociologësh, filozofësh dhe mendjesh kureshtare do të pyesin se si pasardhësit dhe bashkëfetarët e hebrenjve të vrarë nga regjimi gjenocidal i Hitlerit u bënë gjenocidarë. Dy faktorë, thellësisht të ndërthurur, dalin në pah.
Së pari, Holokausti nazist i dha besim midis hebrenjve pretendimit sionist se vetëm një shtet me fuqi ushtarake dërrmuese dhe i gatshëm ta përdorë atë mund të mbrojë popullin hebre. Për këta militaristë, çdo vend arab që kundërshtonte pushtimin e vazhdueshëm të Palestinës nga Izraeli u bë një armik i tmerrshëm që duhej shtypur nga lufta. Kjo është doktrina e dhunës e Netanjahut, e cila u zbulua për herë të parë në strategjinë e Clean Break, dhe e cila ka prodhuar mobilizim dhe luftë të pandërprerë izraelite, dhe një shoqëri që tani është kapluar nga urrejtja e paepur edhe ndaj grave dhe fëmijëve të pafajshëm në Palestinë, Liban dhe Siri. Netanjahu e ka tërhequr SHBA-në në luftëra të panumërta shkatërruese dhe të kota për shkak të verbërisë së Netanjahut ndaj realitetit se vetëm diplomacia, jo lufta, mund të arrijë sigurinë e Izraelit.
Së dyti, ky përdorim i pandërprerë i dhunës rindezi një rrymë të fjetur të Judaizmit Biblik, veçanërisht të bazuar në Librin e Jozueut, i cili paraqet besëlidhjen e Zotit me Abrahamin si përligjje për gjenocidet e kryera në pushtimin e Tokës së Premtuar. Zelli i lashtë i këtij lloji, dhe besimi se Zoti do ta shpengonte popullin e tij të zgjedhur përmes dhunës, nxitën revolta vetëvrasëse kundër Perandorisë Romake midis viteve 66 dhe 135 pas Krishtit. Nëse gjenocidet në Librin e Jozueut ndodhën ndonjëherë (ndoshta jo) është jashtë çështjes. Për fanatikët e sotëm, leja për të kryer gjenocid është e qartë, e menjëhershme dhe e urdhëruar në mënyrë biblike.
Të vetëdijshëm për rrezikun e fanatizmit vetëshkatërrues, rabinët që formësuan Talmudin Babilonas ua ndaluan hebrenjve përpjekjen për t`u kthyer masivisht në tokën e premtuar (Ketubot 111a). Ata mësonin se hebrenjtë duhet të jetonin në komunitetet e tyre dhe të përmbushnin urdhërimet e Zotit aty ku janë, në vend që të kërkonin të rimerrnin një tokë nga e cila ishin dëbuar pas dekadash revolte vetëvrasëse.
Cilado qofshin arsyet themelore për kthesën vrasëse të Izraelit, mbijetesa e Izraelit midis kombeve është në rrezik sot, pasi është bërë një shtet i përjashtuar. Për herë të parë në histori, aleatët perëndimorë të Izraelit kanë hedhur poshtë mënyrat e dhunshme të Izraelit. Franca, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Kanadaja janë zotuar secila të njohë zyrtarisht Shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në shtator. Këto vende më në fund do t`i bashkohen vullnetit të shumicës dërrmuese botërore në njohjen se zgjidhja me dy shtete, e sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare, është garantuesi i vërtetë i paqes.
Shumica e popullit amerikan është me të drejtë i neveritur nga brutaliteti i Izraelit dhe gjithashtu po e drejton mbështetjen e saj masivisht për kauzën palestineze. Në një sondazh të ri të Reuters të publikuar sot, 58% e amerikanëve tani besojnë se OKB duhet ta njohë Shtetin e Palestinës, kundrejt vetëm 32% që e kundërshtojnë. Politikanët amerikanë me siguri do ta vënë re ndryshimin, në rrezik të Izraelit, nëse zgjidhja me dy shtete nuk zbatohet shpejt. (Argumente logjike mund të jepen edhe për një zgjidhje paqësore me një shtet dhe dy kombe, por kjo alternativë në thelb nuk ka mbështetje midis shteteve anëtare të OKB-së dhe asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare në lidhje me konfliktin Izrael-Palestinë që është zhvilluar gjatë më shumë se shtatë dekadave.)
Kjo qeveri izraelite nuk do të ndryshojë kursin vetë. Vetëm administrata e Trampit mund t`i japë fund gjenocidit përmes një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse të pajtuar nga kombet e botës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Zgjidhja është të ndalet gjenocidi, të bëhet paqe dhe të shpëtohet qedrimi i Izraelit në botë duke krijuar një shtet palestinez përkrah Izraelit në kufijtë e 4 qershorit 1967.
Për dekada të tëra, e gjithë bota arabe dhe islame ka mbështetur zgjidhjen me dy shtete dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin dhe garantimin e sigurisë për të gjithë rajonin. Kjo zgjidhje është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe u mbështet përsëri qartë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Deklaratën e Nju Jorkut muajin e kaluar në përfundim të Konferencës Ndërkombëtare të Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara mbi Zgjidhjen Paqësore të Çështjes së Palestinës dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete (29 korrik 2025).
Trampi ka arritur të kuptojë se për të shpëtuar Ukrainën, ai duhet ta detyrojë atë të shohë realitetin: se NATO nuk mund të zgjerohet në Ukrainë pasi kjo do të kërcënonte drejtpërdrejt sigurinë e vetë Rusisë. Në të njëjtën mënyrë, Trampi duhet ta detyrojë Izraelin të shohë realitetin: se Izraeli nuk mund të vazhdojë të sundojë mbi popullin palestinez, ta vrasë atë, ta lërë të uritur dhe ta pastrojë etnikisht. Zgjidhja me dy shtete shpëton kështu si Palestinën ashtu edhe Izraelin.
Një votim i menjëhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për t`i dhënë Palestinës anëtarësim të përhershëm në OKB muajin e ardhshëm do t`i jepte fund shpresave të kota të zellshme të Izraelit për mbikëqyrje të përhershme mbi Palestinën, si dhe ambicieve të tij të pamatura territoriale në Liban dhe Siri. Fokusi i krizës do të zhvendosej më pas në çështje të menjëhershme dhe praktike: si të çarmatosen aktorët jo-shtetërorë brenda kornizës së paqes së re shtetërore dhe rajonale, si të mundësohet siguria e ndërsjellë për Izraelin dhe Palestinën, si të fuqizohen palestinezët për të qeverisur në mënyrë efektive, si të financohet rindërtimi dhe si të jepet ndihmë urgjente humanitare për një popullsi që po vuan nga uria.
Trampi mund ta bëjë këtë të ndodhë në OKB në shtator. SHBA-të, dhe vetëm SHBA-të, kanë vënë veton ndaj anëtarësimit të përhershëm të Palestinës në OKB. Anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së tashmë kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre.
Paqja në Lindjen e Mesme është e mundur tani - dhe nuk ka kohë për të humbur.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 15 reads



