Bajdeni anashkalon miratimin e Kongresit për t`i shitur Izraelit predha për tanket
Departamenti i Shtetit përdori të premten një masë urgjente të bazuar në një ligj për eksportin e armëve për shitjen e predhave të tankeve
Voa
10/12/2023 - 14:02
Administrata e Presidentit Biden ka përdorur një masë urgjente për të bërë të mundur që Izraelit t’i shiten rreth 14 mijë predha tankesh, pa iu nënshtruar një procesi rishikimi nga ana e Kongresit, tha Pentagoni të shtunën.
Departamenti i Shtetit përdori të premten një masë urgjente të bazuar në një ligj për eksportin e armëve për shitjen e predhave të tankeve që kapin vlerën prej 106.5 milionë dollarë, të cila do dërgohen në mënyrë të menjëhershme në Izrael, tha Pentagoni përmes një deklarate.
Predhat janë pjesë e një pakete më të madhe, për të cilën administrata e Presidentit Biden po kërkon miratimin nga Kongresi, një zhvillim që u njoftua për herë të parë nga agjencia e lajmeve Reuters.
Paketa ka një vlerë prej më shumë se 500 milionë dollarësh dhe përfshin 45 mijë predha për tanket izraelite të tipit Merkava, që përdoren rregullisht në ofensivën e Izraelit në Gazë, që ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve.
Ndërsa luftimet intensifikohen, mënyra se si po përdoren armatimet amerikane dhe në cilën zone të konfliktit, po vëzhgohen me kujdes, edhe pse zyrtarët amerikanë janë shprehur se nuk kanë plane për të vendosur kushte për ndihmën ushtarake ndaj Izraelit apo për të mos lëvruar ndonjë pjesë të saj.
Aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësim mbi shitjen e predhave, duke thënë se akti bie ndesh me përpjekjet e Uashingtonit për të ushtruar trysni ndaj Izraelit për të ulur numrin e viktimave civile.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha të shtunën se Uashingtoni vazhdon të ketë një komunikim të qartë me qeverinë izraelite lidhur me respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të shmangur lëndimin e civilëve.
Paketa e propozuar për shitjen e armëve për Izraelin shpreh angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e këtij vendi dhe për forcimin e aftësive të tij mbrojtëse, tha zyrtari.
Sipas deklaratës së Pentagonit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ofroi një justifikim të detajuar për Kongresin se predhat e tankeve duhet t'i jepen Izraelit menjëherë, në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara,
Pentagoni tha se shitja e predhave nuk do të ketë asnjë ndikim negativ në gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për t’u mbrojtur.
Tanket izraelite Merkava, që përdorin predha 120 mm, janë të lidhura me incidente, ku kanë humbur jetën edhe gazetarë.
Dendësohen luftimet rreth Gazës ndërsa SHBA-ja vendos veton në KS
Izraeli vazhdoi të shtunën goditjen e objektivave të Hamasit në jug dhe veri të Gazës, ndërsa ka zgjeruar ndërhyrjet ushtarake në luftimet dy-mujore. Shtetet e Bashkuara përdorën veton të premten në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur aleatin e saj përballë një kërkesë për armëpushim.
Trembëdhjetë nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit votuan pro rezolutës që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm humanitar, por që u bllokua nga Uashingtoni. Britania abstenoi. Pas dështimit të armëpushimit javën e kaluar, Izraeli zgjeroi fushatën e tij ushtarake me trupa tokësore.
Avionët luftarakë izraelitë goditën pjesë të Rripit të Gazës gjatë natës ndërsa gdhihej e shtuna. Ushtria izraelite e kishte paralajmëruar popullsinë që të evakuohej drejt pjesëve jugore të Gazës para bombardimeve, ndërsa Izraeli ka zgjeruar aksionin ushtarak në jug dhe veri të rripit të Gazës.
Sulmet ndodhin një ditë pasi Shtetet e Bashkuara i vunë veton një rezolute të Kombeve të Bashkuara që kërkonte armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza. Britania abstenoi.
Zëvendësambasadori amerikan, Robert Wood, e kritikoi këshillin pas votimit, për atë që e cilësoi si dështim për të dënuar sulmet e Hamasit në Izrael dhe për të njohur të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur.
“Ne nuk i mbështesim thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm. Kjo do të mbillte vetëm farat për luftën e ardhshme, sepse Hamasi nuk ka dëshirë të shohë një paqe të qëndrueshme”.
Ushtria izraelite publikoi të shtunën (9 dhjetor) pamje që tregojnë dikë që qëllon ndaj trupave izraelite nga një shkollë e OKB-së në Beit Hanoun të Gazës, sipas Izraelit.
Të shtunën më shumë ndihma humanitare hynë në Gaza përmes vendkalimit Rafah.
Ndërkohë, familjet e personave të marrë peng nga Hamasi gjatë ceremonisë së ndezjes së qirinjve për festen hebraike Hannukah, ndezën 138 qirinj, aq sa numri i personave që ende mbahen peng nga Hamasi.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 44 reads



