...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Bankat e mëdha perëndimore kanë larë triliona dollarë

Dokumentet i referohen një shume prej 2 trilionë dollarësh në transaksione që kanë qarkulluar mes viteve 1999 dhe 2017. Hetimi përqëndrohet në veçanti tek pesë banka të mëdha, JPMorgan Chase, HSBC, Standard Chartered, Deutsche Bank dhe Bank of New York Mellon

Voa

22/09/2020 - 08:28

Shuma të mëdha parash, që dyshohen të jenë të pista, kanë qarkulluar për vite me radhë nëpër disa nga institucionet më të mëdha bankare në botë, sipas një hetim ndërkombëtar të disa gazetarëve investigativë botuar të dielën, bazuar në raporte të rrjedhura nga Departamenti amerikan i Thesarit.

"Përfitimet nga luftërat vdekjeprurëse të drogës, pasuritë e përvetësuara nga vendet në zhvillim e kursimet e vjedhura për shkak të skemave piramidale, u lejuan të gjitha të rrjedhin brenda dhe jashtë këtyre institucioneve financiare, megjithë paralajmërimet nga vetë punonjësit e bankave", sipas hetimit të kryer nga Buzzfeed News dhe nga shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Investigativë (ICIJ).

Hetimi, i cili u drejtua nga 108 media ndërkombëtare nga 88 vende të ndryshme të botës, bazohet në mijëra raporte për aktivitete të dyshimta të depozituara në agjencinë e zbatimit të ligjit financiar pranë Departamentit amerikan të Thesarit. E njohur me akronimin FinCEN, agjencia është një njësi inteligjence në zemër të sistemit global për të luftuar pastrimin e parave.

"Këto dokumente, të përpiluara nga bankat, të ndara me qeverinë, por të mbajtura jashtë vëmendjes së publikut, ekspozojnë boshllëqet në masat mbrojtëse bankare dhe lehtësinë me të cilën kriminelët i kanë shfrytëzuar ato", shkruante agjencia amerikane e lajmeve “Buzzfeed News”, në hyrje të artikullit të saj.

Dokumentet i referohen një shume prej 2 trilionë dollarësh në transaksione që kanë qarkulluar mes viteve 1999 dhe 2017. Hetimi përqëndrohet në veçanti tek pesë banka të mëdha, JPMorgan Chase, HSBC, Standard Chartered, Deutsche Bank dhe Bank of New York Mellon, të akuzuara për se kanë vazhduar të lëvizin pasurië e kriminelëve të dyshuar, edhe pasi janë ndjekur penalisht ose dënuar për shkelje financiare.

"Rrjetet përmes të cilave qarkullojnë paratë e pista përshkojnë botën dhe janë bërë arterie jetike e ekonomisë globale", raportoi Buzzfeed News.

Në një deklaratë, Deutsche Bank tha se gjetjet e ICIJ-së "diheshin" nga institucionet rregullatore. Banka tha gjithashtu se ajo i "kishte kushtuar burime të konsiderueshme forcimit të kontrolleve", si dhe ishte përqëndruar në "përmbushjen e përgjegjësive dhe detyrimeve të saj". Hetimi theksonte gjithashtu mungesën e fuqisë së autoriteteve amerikane për të kontrolluar transaksionet e pista financiare. Në një deklaratë të lëshuar para botimit të këtij hetimi, FinCEN tha se "publikimi i paautorizuar i raporteve përbën një krim që mund të ndikojë në sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara".   

Dokumentet pretendojnë se banka e madhe britanike HSBC transferoi 80 milionë dollarë nga ShBA në Hong Kong përkundër paralajmërimeve nga autoritetet amerikane për mashtrim.

“JP Morgan” transferoi një miliard dollarë përmes një llogarie në Londër që më vonë u zbulua se i përkiste Semion Mogilevich, një bos i mafias ruse në listën e më të kërkuarve të FBI-së.

Deutsche Bank akuzohet se transferoi para të pista nga pastrues parash që kishin lidhje me grupe të organizuara kriminale dhe terroristë.

Edhe banka “Standard Chartered” dhe banka “Mellon” e Nju Jorkut janë pjesë e dosjes së zbuluar. Të gjitha bankat e përmendura thonë se rastet i përkasin të kaluarës dhe se ato janë në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret.

“Më e rëndësishmja është investimi i madh në këtë sektor që nga viti 2015”, thotë Joearg Eidendorf, zëdhënës i “Deutsche Bank”.

Por pse nuk u ndaluan transaksionet?

Eksperti i krimeve financiare, Tom Keatinge, thotë se është e vështirë për bankat të identifikojnë aktivitetet kriminale.

“Le të bëjmë një krahasim të thjeshtë, imagjino sikur je duke qëndruar në një cep të rrugës së Oksfordit në Londër, një rrugë kryesore tregtare. Dhe dikush thotë ‘duhet të identifikosh personat që sapo kanë vjedhur në dyqane ose kush do të shkojë për të vjedhur.’ Nuk është aspak e lehtë ta bësh këtë?”, thotë ai.

Ai shton se sistemi global për raportim të aktiviteteve të dyshimta financiare nuk i përshtatet qëllimit.

“Raporte për aktivitete të dyshimta nga bankat ose kontabilistët arrijnë në gjysmë milioni në Mbretërinë e Bashkuar dhe disa milionë në Shtetet e Bashkuara. Çfarë bëjnë autoriteet me ato të dhëna? Sigurisht që nuk e shikojnë secilën dosje”, thotë zoti Keatinge.

Politika britanike është po ashtu në qendër të vëmendjes. Lubov Chernukhin, që ishte fotografuar afër ish kryeministres Theresa May më 2019, dhuroi 2.2 milion dollarë për Partinë Konservatore.

Dosjet zbulojnë se burri i saj është financuar në mënyrë të fshehtë nga Suleyman Kerimov, një oligark rus nën sanksione amerikane, që ka lidhje të forta me Presidentin Vladimir Putin. Donacioni i zonjës Chernukhin ishte i ligjshëm dhe i deklaruar.

Transparency International vlerëson se 100 miliardë dollarë në formë parash të pista qarkullojnë çdo vit në Londër.

“Nëse doni të pastroni para të pista, Britania e Madhe ka pajisjet që u duhen. Ka firma juridike, banka globale, qendra financiare në det të hapur, pasuri të patundshme për investim të parave tuaja dhe ka shkolla private për të shpenzuar paratë tuaja. Prandaj, sa më shpejt që Mbretëria e Bashkuar t’i përgjigjet krimit financiar, aq më mirë. Ne duhet të lëvizim më shpejt në rregullimin e sistemit, sepse aktualisht kriminelët janë në epërsi”, thotë Tom Keatinge nga Qendra për Krime Financiare dhe Studime të Sigurisë.

Zoti Keatinge thotë se ndryshe nga pretendimet e bankave, aktiviteti kriminal financiar vazhdon të ndodhë në shkallë të gjerë. Ai këshillon qeveritë dhe institucionet financiare të bëjnë shumë më shumë për ta penguar këtë dukuri.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA