BE-ja me plan të ri ekonomik për BP ndërsa Rama kërkon harrimin e historisë
Zyrtari amerikan ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.
REL
22/01/2024 - 16:37
Drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Shkup për të diskutuar mbi Planin e Rritjes Ekonomike që ka miratuar Komisioni Evropian për këtë rajon. Në takim po marrin pjesë Kryeministrat e Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, presidenti i Serbisë, Ministri i Financave të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman dhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, James O’Brien. Po ashtu, në takim marrin pjesë edhe ministrat e çështjeve Evropiane apo të Financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të organizatave rajonale dhe të institucioneve financiare evropiane.
Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të realizojnë reformat e nevojshme që i kërkon Bashkimi Evropian në mënyrë që të përfitojnë nga fondi i përbashkët prej 6 miliardë eurosh që parashikon Plani i Rritjes i KE-së.
Deri tani nuk është folur për shuma konkrete për secilin shtet, por kjo do të varet nga madhësia e shtetit, nga Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe nga kushte të tjera që kanë të bëjnë me reformat.
Zyrtarët evropianë janë shprehur më parë se Plani synon dyfishimin e ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për një periudhë dhjetë vjeçare. Kjo do të realizohet duke integruar shtetet e rajonit në tregun e përbashkët evropian, duke ndihmuar integrimin e tregjeve ndërmjet vetë shteteve të Ballkanit dhe me realizimin e reformave dhe të investimeve.
Fondin e paralajmëroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë një vizite në Shkup në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, si shenjë e angazhimit dhe përkushtimit të Bllokut për integrimin e rajonit në BE.
Rama: Liderët e rajonit ta harrojnë historinë, flamuri i vetëm ai i BE
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë në Samitin rajonal të Shkupit, ku liderët e rajonit janë takuar së bashku me përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.
Rama u ndal te bashkëpunimi rajonal, ku tha se për integrimin e një tregu të përbashkët ekonomik, qeveritë e vendeve të ballkanit duhet ta harrojnë historinë dhe t’i lënë mënjanë ngjyrat e flamujve. Ai shtoi se për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe integrimin rajonal, duhet që flamuri i BE të jetë i vetmi që duhet të mbizotërojë gjatë diskutimeve teknike mes vendeve të rajonit.
“Nuk jam i çmendur por ka arsye për të qenë optimist sot, pasi mbrëmë zhvilluam darkën kuptuam se ne mund ta bëjmë këtë, mund të kemi bisedë të civilizuar dhe mund të flasim për ekonomi pa folur për historinë dhe tingëllonte më bukur.
Edhe dy gjëra e para, patjetër të vendosim një rreth politik, të takohemi rregullisht për shkak se edhe pse jemi entuziast, jemi ballkanas, pasi nëse nuk vini të na ulni në një tavolinë, i bëjmë punët pis. Tek koordinimi teknik është shumë i rëndësishëm që ministrat e integrimeve të kenë mesazh të qartë nga liderët se duhet ta harrojnë historinë, duhet të jenë daltonik për historinë. Daltonizmi është sëmundje që ju pamundëson të shihni ngjyrat.
Prandaj duhet të harroni ngjyrat e flamujve tona, flamuri më i rëndësishëm duhet të jetë flamuri i BE-së, duhet të ulemi dhe vetëm teknikisht t’i diskutojmë detajet.
Rama u ndal dhe te Ballkani i Hapur për të cilin tha se erdhi si nevojë e avancimit të ngadalshëm të procesit të Berlinit.
“Nëse BE do të ishte më serioze me menaxhimin me çështjet e vërteta. Kështu duhet të ishte kur filloi Procesi i Berlinit, por kur ky proces ndodh 1 herë në vit. Një ditë në vit, ndaj dhe ne filluam me Ballkanin e Hapur. Kjo kishte qëllim për luftën e fuqisë në Evropë por dhe rajon. Por ajo që bëmë ne është vendosja e një tregu të vetëm. Por deri sa nuk varet nga ne që të aderojmë në BE, atëherë le të aderohemi vetë ne këtu”, tha Rama. Euronews
Amerikani paralajmëron me pasoja penguesit e integrimit
Ndihmësekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që kanë ende punë përpara. Ai i ka bërë këto deklarata të hënën në konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, të mbajtur në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.
Gjatë fjalës së tij në tryezën me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të BE dhe SHBA, O’Brien tha se asnjë vend nuk ka të drejtë të bllokojë një tjetër në përparimin e rrugëtimit drejt BE, pasi nëse e bën këtë do të përballet me pasoja.
“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit".
O’Brien ka thënë se mbështet nismën e një tregu të lirë, duke përmendur pengesat që kanë pasur deri më tani bizneset nga ndalesat e shumta kufitare. Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.
“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet e tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të përparojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.
Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara dhe ka përsëritur se BE-ja është e hapur për të ndihmuar.
“Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin", ka deklaruar Kopman në konferencë.
Kurti: Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën në Shkup, se plani i BE-së përshpejton rrugën e Ballkanit drejt BE-së, diçka që sipas kryeministrit të Kosovës është "edhe qëllimi, edhe fati ynë".
Ai ka thënë se Kosova do ta dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzohet lista e projekteve indikative. Në diskutime e sipër, Kurti ka thënë se Kosova mbështet qasjen e BE-së për kushtëzim të fondeve evropiane, por sipas tij, qarkullimi i mallrave nuk duhet të shfrytëzohet për bartje të armëve dhe sponsorizimin e sulmeve terroriste.
Në një konferencë për media, pas takimit, Kurti ka thënë se është në interesin e shtetit të Kosovës, të BE-së dhe SHBA-së që procesi i anëtarësimit të Kosovës në bllokun evropian të mos jetë i lidhur me dialogun Kosovë – Serbi për normalizim marrëdhëniesh.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike.
Aktualisht, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, zhvillojnë dialog në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh. Përparimi i tyre në dialog është përmendur si kusht për të pasur qasje në këto fonde të BE-së. Nikoqir i takimit është kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se takimet e këtilla janë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit.
Vuçiçi ka përmendur se në takimin e të hënës në Shkup, për herë të parë po bisedohet vetëm për çështjet ekonomike, duke theksuar se për ato politike ka dallime të mëdha.
“Sa i përket Serbisë ne e kemi paraqitur planin tonë për rritjen ekonomike për tre vjetët e ardhshëm dhe përputhet me atë që po bëjmë me BE-në. Ne do të bëjmë gjithçka që reformën ta bëjmë që të mund të kemi qasje në mjetet financiare sa më shpejt që të jetë e mundur, së bashku me gjithë të tjerët. Besoj se të gjithë së bashku, duke punuar në këtë plan, do të bëjmë përparim të madh”, ka thënë Vuçiçi.
Ç`është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?
Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.
Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së". Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.
Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.
Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.
Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e ndihmës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.
Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së. Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”. Rel
Ky raport është ndrequr dhe përditësuar nga SHJ
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 56 reads



