...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Blinken: Kina do të përballet me fuqinë amerikane ndërsa hiqet dorë nga ndërhyrjet ushtarake

Blinken tha se admininistrata e Presidentit Biden do të “menaxhojë” lidhjet me Kinën “nga pozita e fuqisë”.

Voa

04/03/2021 - 15:23

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi të mërkurën se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë sprova “më e madhe gjeopolike” e shekullit.

Në fjalimin e tij të parë madhor mbi politikën e jashtme, zoti Blinken tha se admininistrata e Presidentit Biden do të “menaxhojë” lidhjet me Kinën “nga pozita e fuqisë”.

“Kjo kërkon angazhim në diplomaci dhe organizatat ndërkombëtare, sepse atje ku jemi tërhequr, Kina ka mbushur boshllëkun”, tha zoti Blinken gjatë një fjalimi në Departamentin e Shtetit.

Kryediplomati amerikan tha se Uashingtoni do të vazhdojë të konkurrojë, bashkëpunojë dhe nëse është e nevojshme do të jetë “kundërshtar” me Kinën, të cilën e quajti “i vetmi vend me fuqi ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike që mund të sfidojë seriozisht sistemin e qëndrueshëm dhe të hapur ndërkombëtar – të gjitha rregullat, vlerat dhe marrëdhëniet që e bëjnë funskionimin e botës ashtu siç duam ne”.

Fjalimi i kryediplomatit Blinken shpaloi strategjinë e Presidentit Biden për të “ripërtërirë fuqinë e Amerikës” në arenën globale, me premtimin për të “udhëhequr me diplomaci”.

Gjatë gjithë precidencës së tij, pararendësi i zotit Biden, Presidenti Donald Trump zhvilloi një luftë të ashpër tregtare me Pekinin, këmbëngulur në pretendimin se koronavirusi e kishte origjinën nga një laborator në qytetin Wuhan të Kinës, dhe sfidoi kontrollin ushtarak të Pekinit në zonën e Detit të Kinës së Jugut ku kanë pretendime disa vende rajonale.

Dezinformimi për COVID-19

Zoti Blinken tha se mes synimeve kryesore të politikës së jashtme të administratës së Presidentit Biden përfshihet edhe puna për të frenuar pandeminë globale të koronavirusit, ndërtimi i një ekonomie globale më gjithëpërfshirëse dhe trajtimi i kërcënimit global në rrije ndaj demokracisë që u ndez edhe më shumë nga pandemia.

“Erozioni i demokracisë nuk po ndodh vetëm në vende të tjera. Po ndodh gjithashtu këtu në Shtetet e Bashkuara. Dezinformimi është i shfrenuar këtu. Racizmi strukturor dhe pabarazia e bëjnë jetën më të vështirë për miliona njerëz. Udhëheqësit e zgjedhur u vunë në shënjestër gjatë sulmit në Kapitol dy muaj më parë”, tha zoti Blinken. “Tani popuj të tjerë shikojnë nga ne për të parë nëse demokracia jonë është e fuqishme, nëse ne do të arrijmë t’i përballojmë sfidat në vend”.

Ripërtëritja e marrëdhënieve

Riparimi i marrëdhënieve me aleatët, trajtimi i ndryshimeve klimatike dhe fuqizimi i një “revolucioni të gjelbër energjetik” janë po ashtu në listën e përparësive të politikës së jashtme të Presidentit Biden, ashtu siç është edhe ruajtja e epërsisë në teknologji.

“Ne duam që Amerika të ruajë avantazhin shkencor dhe teknologjik sepse është kritike që ne të lulëzojmë në një ekonomi të shekullit 21. Por ne e dimë që teknologjitë e reja nuk janë automatikisht të dobishme”, tha zoti Blinken. “Ne duhet të sigurohemi që teknologjitë mbrojnë privacinë tuaj, e bëjnë botën më të sigurtë, më të shëndetshme dhe e bëjnë demokracinë më të fuqishme.”

Kryediplomati amerikan tha muajin e shkuar se administrata e Presidentit Biden do të kërkojë gjithashtu të forcojë dhe zgjasë marrëveshjen bërthamore të arritur mes Iranit dhe fuqive botërore.   

Jo më ndërhyrje ushtarake

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi se administrata Biden do të nxisë demokracinë jashtë vendit, por jo përmes ndërhyrjeve të kushtueshme ushtarake, të cilat ai tha se kanë dështuar në të kaluarën. Zoti Blinken i bëri komentet të mërkurën, në një fjalim ku parashtroi objektivat e politikës së jashtme të Presidentit Joe Biden.

Ndërkohë që ushtria amerikane kryen operacione në Irak prej 30 vjetësh dhe në Afganistan prej 20 vjetësh, kritikët e ndërhyrjeve ushtarake kanë bërë prej kohësh thirrje që Shtetet e Bashkuara t’i kthejnë trupat në atdhe dhe të heqin dorë nga përpjekjet për "ndryshime regjimesh" në të ardhmen.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se administrata Biden do të ndjekë rrugën për nxitjen e demokracisë jashtë vendit me anë të shembullit, jo të forcës.

“Ne do të stimulojmë sjelljen demokratike, por nuk do ta nxisim demokracinë përmes ndërhyrjeve të kushtueshme ushtarake ose duke u përpjekur të përmbysim regjime autoritare me forcë. Ne i kemi provuar këto taktika në të kaluarën. Sado me qëllim të mirë, ato nuk kanë funksionuar", tha Sekretari i Shtetit.

Zoti Blinken tha se ndërhyrjet ushtarake i kanë dhënë një emër të keq nxitjes së demokracisë dhe kanë humbur besimin e popullit amerikan. Ai premtoi se administrata e re do t’i bëjë gjërat ndryshe, duke përfshirë punën për riparimin e demokracisë në vend, si një domosdoshmëri e politikës së jashtme.

Sekretari i Shtetit tha se Kina është kërcënimi më i madh, sepse është i vetmi vend që ka fuqinë për të sfiduar dhe destabilizuar sistemin e hapur ndërkombëtar. Ai tha se Uashingtoni duhet ta angazhojë Pekinin nga pozitat e fuqisë.

"Kjo kërkon të punosh me aleatët dhe partnerët, duke mos i denigruar ata, sepse pesha jonë e përbashkët ia bën shumë më të vështirë Kinës që të mos e përfillë atë. Kjo kërkon angazhim në diplomaci dhe në organizata ndërkombëtare, sepse atje ku ne jemi tërhequr, Kina ka depërtuar,” tha ai.

Zoti Blinken pranoi se ai dhe shumë anëtarë të administratës së re, përfshirë zotin Biden, kanë shërbyer nën Presidentin Barak Obama, por hodhi poshtë çdo ide se ekipi aktual është një rikrijim i administratës Obama. Ai tha se koha është e ndryshme dhe Presidenti Biden do ta shohë botën me një sy të ri.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA