Bullgaria nuk ndryshon qëndrim ndaj Maqedonisë së Veriut
Sofja kërkon që Shkupi të pranojë që kombi dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron që ajo t'i japë fund retorikës anti-bullgare. Maqedonia e Veriut, një ish republikë Jugosllave, thotë se identiteti dhe gjuha e saj nuk janë të hapura për diskutim.
Voa
13/05/2021 - 08:51
Pas më shumë se një javë raportohet se...
Zyrtarët e lartë evropianë udhëtuan të premten në Sofje dhe Shkup në përpjekje të zhbllokimit të procesit integrues të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, që po mbahet peng nga Bullgaria fqinje. Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë Augusto Silva, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës së BE-së dhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi dorëzuan në Sofje dhe në Shkup një propozim për zgjidhjen e problemit bullgaro-maqedonas. Nuk dihet shumë për këtë dokument, pasi nuk është bërë publik, por Sofja zyrtare e ka hedhur poshtë atë.
Autoritetet e përkohshme qeveritare bullgare kanë theksuar qëndrimin e palëkundur për sa i përket çështjes me Maqedoninë e Veriut, ndërsa përpjekja e Ministrit të jashtëm portugez dhe Komisionerit për Zgjerim është cilësuar nga një pjesë e medias si “mision i pasuksesshëm që në fillim”. Zyrtarët evropianë nuk arritën t’i bindin autoritetet qeveritare bullgare që të lëshonin pé dhe ta hiqnin bllokadën ndaj fqinjit të tyre perëndimor për bisedimet me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në një konferencë të përbashkët shtypi në Sofje, ministri bullgar i Punëve të Jashtme Svetllan Stoev tha se “nuk mund të pritej nga Bullgaria ta ndryshojë qëndrim e saj kombëtar”. Ai shtoi se vendi i tij është i hapur për një dialog aktiv me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe “presim nga fqinjët tanë më të afërt në rajon që të veprojnë në frymën e sinqeritetit dhe konstruktivitetit”.
Mediat në Sofje shkruajnë për refuzimin e autoriteteve të atjeshme të propozimit për kompromis të përgatitur nga Portugalia, si kryesia e radhës e BE-së dhe se propozimi, sipas shtypit bullgar, nuk dallonte shumë me atë të vitit të kaluar në Berlin, kur u hodh poshtë nga ministrja e jashtme e asaj kohe Ekaterina Zaharieva.
Disa nga elementet në propozim kishin të bëjnë me zotimet që Maqedonia e Veriut të pranojë se gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945 dhe se referenca Maqedonia e Veriut ka të bëjë ekskluzivisht me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Por, Bullgaria nga ana tjetër ngul këmbë që të theksohen rrënjët e gjuhës maqedonase, përkatësisht të qenurit e saj një dialekt perëndimor i bullgarishtes. Dy vendet po ashtu nuk po mund të merren vesh mbi historinë e përbashkët, siç e kanë quajtur ekspertët e të dy palëve, edhe mbi përkatësinë etnike të disa prej figurave më të shquara historike dhe kulturore që të dyja palët i llogarisin si të vetat.
Shefi i diplomacisë portugeze, Augusto Santosh Silva tha se zgjerimi i BE-së ishte prioritet për Bullgarinë në vitin 2018 dhe se kjo paraqet një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për Unionin. Ai tha se megjithatë do të merren parasysh vërejtjet e Bullgarisë dhe propozimet rreth fillimit të negociatave me BE-në për vendet aspiruese, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe për Serbinë e Malin e Zi.
Ndërkaq, Komisioneri Oliver Varhelyi theksoi se është me rëndësi të dëgjohen qëndrimet bullgare që të përcaktohen hapat e radhës lidhur me zgjerimin e BE-së.
Sofja e akuzon Shkupin se nuk po i përmbahet Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar në vitin 2017. Ndërkaq, qeveria maqedonase thotë se gjuha dhe identiteti kombëtar nuk kanë qenë dhe as mund të jenë temë diskutimi.
Në Shkup, Kryeminisrti Zoran Zaev tha pas takimit se propozimi për zgjidhjen është një bazë e mirë për kapërcimin e pengesave lidhur me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare (BE - Maqedoni e Veriut) dhe se paraqet një zgjidhje, e cila nuk prek çështjet e identitetit maqedonas. “Propozimi duhet të jetë i pranueshëm edhe për pozitat jetike të Bullgarisë”, thekson bindjen e tij kryeministri maqedonas.
Nga ana tjetër, çështja po mban peng Shqipërinë, e cila nuk mund të shkëputet nga Maqedonia e Veriut për të nisur bisedimet për anëtarësim me bllokun. Këtë qëndrim e kanë konfirmuar disa prej vendeve anëtare të BE-së, ndërsa kryeministri Zoran Zaev me një pjesë të kabinetit të tij para pak ditësh bëri një turne në Bruksel dhe nëpër qendra të tjera evropiane për të folur mbi rrezikun, sipas tij, nga “shkëputja” e dy vendeve nga shtegu i integrimit evropian. Zaev theksoi edhe skepticizmin në rritje në vendet e Ballkanit kundrejt BE-së për shkak të “mosbajtjes së premtimeve” për intregrimin e tyre në bllok.
Bullgaria kërkon nga Shkupi që...
Qeveria e përkohshme e Bullgarisë, përjashtoi të mërkurën çdo ndryshim në veton e këtij vendi ndaj nisjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nëntorin e kaluar Bullgaria bllokoi fillimin e këtyre negociatave me fqinjin e saj më të vogël Ballkanik, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë dhe gjuhën. Sofja gjithashtu akuzon Shkupin për shpërndarje të gjuhës së urrejtjes dhe dështim në zbatimin e një traktati dypalësh të miqësisë të vitit 2017.
Qëndrimi bullgar preku edhe Shqipërinë e cila ka përparuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian së bashku me Shkupin. Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën pas takimit të ministrave të Jashtëm të bllokut se duhet çuar përpara procesin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por “asnjëherë nuk ka pasur synim për veçimin e tyre në këtë proces”, ndonëse javën e kaluar, komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi, la të hapur mundësinë që Shqipëria të veçohet nga Maqedonia e Veriut, apo që e para të nisë negociatat për anëtarësim.
"Qëndrimi i Bullgarisë u pranua me konsensus midis të gjitha partive politike në parlamentin bullgar. Si qeveri e përkohshme, ne nuk kemi asnjë autorizim për ta ndryshuar atë," u tha të mërkurën gazetarëve ministri i ri i jashtëm bullgar, Svetlan Stoev.
Kabineti i përkohshëm, që mori detyrën të mërkurën pasi që partitë dështuan të bien dakord mbi formimin e një qeverie të re të koalicionit pas zgjedhjeve të muajit prill, do të drejtojë Bullgarinë deri në zgjedhjet e parakohshme të caktuara për 11 korrik.
Svetlan Stoev, 60 vjeçar, një diplomat i karrierës tha se do të bëjë çdo përpjekje për të vazhduar dialogun me Maqedoninë e Veriut.
"Më tej gjithçka është në duart e zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata e dinë shumë mirë pozicionin bullgar dhe nuk duhet të spekulojnë se do të ketë ndonjë ndryshim në dy ose tre muajt e ardhshëm, ndërsa kjo qeveri e përkohshme është në detyrë," tha ai.
Sofja kërkon që Shkupi të pranojë që kombi dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron që ajo t'i japë fund retorikës anti-bullgare. Maqedonia e Veriut, një ish republikë Jugosllave, thotë se identiteti dhe gjuha e saj nuk janë të hapura për diskutim.
Kryeministri i ri i përkohshëm i Bullgarisë, tha të mërkurën se përparësi e qeverisë së tij do të jetë mbështetja e shtetit të së drejtës në vendin më të varfër të Bashkimit Evropian. Presidenti bullgar, Rumen Radev, emëroi ish ministrin e Mbrojtjes Stefan Yanev, për të udhëhequr qeverinë deri në zgjedhjet e parakohshme.
"Dua t'ju përgëzoj për guximin që të merrni përgjegjësinë në një situatë kaq të ndërlikuar. Unë besoj në mbështetjen e shoqërisë bullgare, e cila tregoi se ajo nuk dëshiron të jetojë në mënyrën e vjetër. Në një situatë si kjo, qeverisja e shtetit kërkon udhëheqje, profesionalizëm dhe përkushtim”, tha presidenti bullgar.
Sipas organizatës Transparency International, Bullgaria renditet si shteti anëtar më i korruptuar i Bashkimit Evropian. Ajo është kritikuar nga Brukseli për dështim në përmirësimin e gjyqësorit dhe mosndëshkim të ndonjë zyrtari të lartë nën akuzat për korrupsion.
Presidenti Radev mbështeti protestat anti-qeveritare vitin e kaluar në të cilat ish kryeministri Boyko Borissov, që kishte mbajtur pushtetin me ndërprerje të shkurtra që nga viti 2009, u kritikua për dobësimin e institucioneve shtetërore në dobi të oligarkëve vendas dhe bizneseve të afërta me partine e tij të qendrës së djathtë.
*Përditësuar në datën 21 maj 2021
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 15 reads



