...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ç’është krimi i urrejtjes?

FBI-ja, e cila heton dhe mbledh të dhëna mbi krimin e urrejtjes, e cilëson atë si "vepër penale kundër një personi ose pasurie të motivuar në tërësi ose pjesërisht nga paragjykimet e një krimineli kundër një race, feje, aftësisë së kufizuar, orientimit seksual, etnisë, gjinisë ose identitetit gjinor

Voa

30/10/2018 - 17:24

Robert Bowers, personi në Pensilvani i akuzuar për kryerjen e një vrasjeje masive në një sinagogë në Pittsburgh të shtunën, është ngarkuar me akuza të shumta për krime të urrejtjes dhe vepra të tjera penale nën ligjet federale dhe shtetërore. Në mesin e 28 akuzave për krime federale, me të cilat akuzohet Bowers, 15 bazohen në një ligj federal për krime të urrejtjes që lejon dhënien e dënimit me vdekje. 35 akuzat shtetërore kundër tij përfshijnë 13 për kërcënime etnike të ngritura në bazë të ligjit për krimin e urrejtjes. Ligjet për krimet e urrejtjes janë në thelb mjete për zgjerimin e ndëshkimit në duart e prokurorëve. Këto ligje i lejojnë prokurorët shtetërorë dhe federalë të akuzojnë një të pandehur për një dënim të shtuar dhe të kërkojnë dënime më të ashpra. Për shembull, krimi i një sulmi të thjeshtë, zakonisht një kundërvajtje e dënueshme deri në një vit, mund të ndiqet penalisht si një krim i dënueshëm me një dënim më të gjatë burgimi nën ligjin e krimeve të urrejtjes. Brian Levin, drejtor i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në San Bernardino, thotë se prokurorët federalë në përgjithësi i lejojnë prokurorët shtetërorë të merren me rastet e krimeve të urrejtjes. "Por në rastet ku ata besojnë se ka një interes kombëtar për ndjekjen e rastit, prokurorët federalë kërkojnë zbatimin e ligjit federal pavarësisht nga ajo që bëjnë prokurorët e shtetit",thotë Brian Levin.

Ndër rastet e krimit të urrejtjes së profilit të lartë të viteve të fundit, prokurorët federalë akuzuan Dylann Roof me 33 akuza për krime të urrejtjes, pengim të ushtrimit fetar dhe akuza për armë zjarri në lidhje me vrasjen e besimtarëve afrikano-amerikanë në një kishë në Charleston të Karolinës së Jugut në vitin 2015. Roof u gjet fajtor dhe u dënua me vdekje. Çfarë është krimi i urrejtjes? FBI-ja thotë se një krim i urrejtjes është "një vepër si vrasje, zjarrvënie ose vandalizëm me një element të shtuar të paragjykimeve". FBI-ja, e cila heton dhe mbledh të dhëna mbi krimin e urrejtjes, e cilëson atë si "vepër penale kundër një personi ose pasurie të motivuar në tërësi ose pjesërisht nga paragjykimet e një krimineli kundër një race, feje, aftësisë së kufizuar, orientimit seksual, etnisë, gjinisë ose identitetit gjinor". Gjuha e urrejtjes, nga ana tjetër, nuk është krim në Shtetet e Bashkuara.

Në dallim nga Kanadaja dhe Bashkimi Europian, gjuha e urrejtjes mbrohet nën Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA, që garanton lirinë e fjalës. Ligjet federale për krimet e urrejtjes Ligjet federale për krimet e urrejtjes datojnë në epokën e të drejtave civile të viteve 1960. Në vitin 1968, katër vjet pas vrasjes së tre punëtorëve të të drejtave civile, Kongresi miratoi ligjin e parë të krimeve të urrejtjes, duke e bërë atë një krim për këdo që përdorte forcën ose kërcënonte të përdorte forcën "për të ndërhyrë me dashje ndaj çdo personi për shkak të racës, fesë apo prejardhjes kombëtare" dhe për shkak se personi është i angazhuar në një aktivitet të mbrojtur nga ligji federal siç është arsimi publik.

Në vitin 1996, pas një sulmi ndaj kishave, Kongresi miratoi Aktin për Parandalimin e Zjarrvënies në Kishë, gjë që e bën atë një krim për të shfytëzuar, dëmtuar ose shkatërruar çdo pronë fetare. Ligji gjithashtu ndalon pengimin e qëllimshëm "me anë të forcës ose kërcënimit të forcës, të një personi për ushtrim të lirë të fesë ose përpjekje për ta bërë këtë." (Https://www.law.cornell.edu / uscode / text / 18/247) Dylann Roof u akuzua sipas këtij statuti. Robert Bowers përballet me 11 akuza të "pengimit të ushtrimit të besimit fetar që rezulton në vdekje" dhe katër akuza të "pengimit të ushtrimit të besimit fetar që rezulton me lëndim trupor të një oficeri të sigurisë publike". Mbrojtja më e plotë federale kundër krimeve të urrejtjes u miratua në vitin 2009, kur ish-Presidenti Barack Obama nënshkroi aktin Matthew Shepard dhe James Byrd Jr. për Hetimin e Krimeve të Luftës. I quajtur sipas emrave të dy viktimave të krimeve të urrejtjes, ligji zgjeroi përkufizimin e një krim të urrejtjes, duke shtuar mbrojtje të reja kundër krimeve të bazuara në gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual dhe aftësinë e kufizuar.

Departamenti i Drejtësisë thotë se ka akuzuar më shumë se 300 të pandehur me krime të urrejtjes federale gjatë 10 viteve të fundit, duke përfshirë mbi 50 të pandehur në 2017 dhe 2018. Ligjet e shtetit për krimet e urrejtjes Pjesa më e madhe e krimeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara ndiqen penalisht në gjykatat shtetërore. Për momentin, 45 shtete dhe Distrikti i Kolumbisë kanë disa forma të ligjeve të krimit të urrejtjes. Ligjet ndryshojnë nga shteti në shtet. Shumë shtete njohin vetëm racën, ngjyrën, fenë ose origjinën kombëtare si faktor motivues në një krim të urrejtjes. Pensilvania është një prej tyre. Eksperti Levin thotë se ligji i Pensilvanisë është "në anën më të dobët, sepse përjashton shumë nga grupet që mbulohen nga shtetet fqinje si New Jersey dhe Nju Jork, si dhe ligji federal".

Pesë shtete - Arkansas, Indiana, Gjeorgji, Karolina e Jugut dhe Wyoming - aktualisht nuk kanë ligje për krimet e urrejtjes, por avokatët po nxisin ligjvënësit në ato shtete për të miratuar legjislacionin kundër krimit të urrejtjes.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA