Dy dërgesa ruse me naftë dhe gaz drejt Kubës, në sfidë të SHBA-së
Ngarkesa e parë pritet të mbërrijë të hënën, ndërsa Donald Trampi e sfidon ishullin komunist dhe administrata e tij zhvillon bisedime
Financial Times
20/03/2026 - 07:25
Dy anije që po shkojnë drejt Kubës, e cila vuan mungesë energjie, duke transportuar naftë dhe karburant rus, pritet të mbërrijnë që javën e ardhshme, në sfidë të bllokadës energjetike të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump.
Nëse mbërrijnë, këto do të jenë dërgesat e para energjetike për Kubën pas tre muajsh. Ishulli u përfshi nga një ndërprerje e plotë e energjisë në gjithë vendin, pasi i gjithë rrjeti u shemb të hënën, përpara se furnizimi të rikthehej gradualisht të martën, duke e thelluar edhe më tej krizën e rëndë ekonomike.
Anija Sea Horse, me flamur të Hong Kongut, që besohet se bart rreth 27 mijë ton gaz rus, po i afrohet ishullit pasi ndryshoi drejtim muajin e kaluar. Ajo pritet të mbërrijë të hënën, sipas Samir Madanit, bashkëthemelues i ndërmarrjes së vëzhgimit detar TankerTrackers.com.
Ndërkohë, anija me flamur rus Anatoly Kolodkin, që bart rreth 100 mijë ton naftë të papërpunuar — e barasvlershme me rreth 725 mijë deri në 728 mijë fuçi, në varësi të llojit — pritet të mbërrijë në Kubë më 4 prill.
Më herët këtë javë, Trampi kishte thënë se do të kishte “nderin ta merrte Kubën në një mënyrë”, duke përmendur më parë edhe një “marrje miqësore” të vendit karaibik.
“Qoftë ta çliroj, qoftë ta marr, mendoj se mund të bëj çfarë të dua me të, nëse doni të dini të vërtetën,” tha Trampi të hënën. “Ata janë një gjendje shumë i dobësuar tani.”
Po shtohen zërat se ai synon të detyrojë largimin e presidentit kuban Miguel Díaz-Canel, i cili javën e kaluar vërtetoi se Kuba po zhvillon bisedime me administratën amerikane për t’i dhënë fund bllokadës energjetike.
Dërgesa e fundit për Kubën ishte një ngarkesë nafte nga Meksika më 9 janar, por Meksika duket se iu nënshtrua presionit të Trampit për të ndalur dërgesat e tjera. Ndërkohë, që nga dhjetori nuk kanë ardhur furnizime nga aleati i vjetër Nicolás Maduro, pasi forcat amerikane ndërhynë dhe e ndaluan atë.
Díaz-Kaneli paralajmëroi të martën se çdo “agresor i jashtëm” do të përballet me “qëndresë të pathyeshme”.
“Shtetet e Bashkuara e kërcënojnë publikisht Kubën, pothuajse çdo ditë, me përmbysjen me forcë të rendit kushtetues,” shkroi ai në rrjetin X. “Ata planifikojnë hapur të marrin vendin, burimet, pasuritë dhe madje edhe ekonominë që po përpiqen ta mbytin, për të na detyruar të dorëzohemi.”
Ministria e jashtme ruse deklaroi të martën: “Rusia rivërteton solidaritetin e saj të palëkundur me qeverinë dhe popullin vëlla të Kubës.”
Karburanti i anijes Sea Horse u përcaktua si rus nga kompania e të dhënave Kpler, sipas një raporti të Bloomberg. Ndërsa Anatoly Kolodkin bart naftë ruse të tipit Urals.
Kuba prodhon vetëm rreth 40 për qind të naftës që i nevojitet për kërkesën e brendshme dhe prej kohësh mbështetet tek importet nga vende mike — përfshirë Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë — për të furnizuar shtëpitë, turizmin dhe bujqësinë.
Venezuela kishte qenë furnizuesi kryesor, duke dërguar naftë në këmbim të mjekëve dhe bashkëpunimit në kundërzbulim, derisa forcat amerikane naluan Maduron më 3 janar. Kuba madje rishiste një pjesë të këtyre dërgesave për të siguruar valutë të huaj aq të nevojshme.
Ishulli, vetëm 145 km larg Floridës, po përballet me një krizë humanitare të thelluar nga mungesa e energjisë. Spitalet kanë anuluar operacione, shpërndarja e ushqimit dhe pastrimi i mbeturinave janë ndërprerë, ndërsa linjat ajrore kanë pezulluar fluturimet për shkak të mungesës së karburantit.
Gazeta zyrtare e regjimit, Granma, ka theksuar një nismë për vendosjen e paneleve diellore, duke e quajtur atë “drita dhe energjia që nuk mund të bllokohet”.
Qeveria ka ftuar gjithashtu emigrantët kubanë të investojnë dhe të zotërojnë biznese në ishull, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar sektorin privat në zhvillim. Megjithatë, bllokada e gjerë amerikane ndaj Kubës vazhdon të pengojë tregtinë dhe investimet në shkallë më të gjerë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 12 reads



