...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Erdogani hap “luftë” me tregtarët: i quan “terroristë të ushqimit”

Presidenti Erdogan, në mesin e një fushate për një proces të rëndësishem zgjedhor në nivel lokal që mbahen në muajin mars, fajësoi tregtarët me shumicë dhe ata me pakicë të ushqimeve për rritjen e tepruar të çmimeve, duke i etiketuar ata si "terroristë të ushqimit"

Voa

27/02/2019 - 13:38

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan i ka shpallur luftë inflacionit pas rritjes së çmimit të ushqimeve me 30 për qind si rezultat i rënies së vlerës së monedhës turke vitin e kaluar. Në një përpjekje që synon të garantojë të ardhmen e tij politike, zoti Erdogan ka marrë masa radikale për të frenuar rritjen e çmimeve ndërsa ka akuzuar tregtarët e prodhimeve ushqimore, për rritje të paarsyeshme të çmimit.

Kjo është një pamje e zakonshme në të gjithë Stambollin, qendra shpërndarjeje që punojnë për shtetin, të cilat shesin ushqime të subvencionuara. Ato janë pjesë e një iniciative të Presidentit Erdogan, që ka fituar mjaft popullaritet mes njerëzve të dëshpëruar nga çmimet e larta të ushqimeve.

"Çmimet e ushqimeve janë të larta, ndodh që të shkosh në treg e kthehesh në shtëpi pa blerë asgjë. Pse? Sepse produktet janë të shtrenjta. Afrohesh të blesh presh dhe sheh se kushton 6 apo 7 lira. Çmimi i spinaqit është rritur në dhjetë lira. Unë mund ta përballoj, por familjet e mëdha nuk mund ta blejnë kurrë me këtë çmim", thotë Nimet, punonjëse universitare.

Rënia e vlerës së monedhës vitin e kaluar solli për pasojë një valë inflacioni, që çoi në rritjen e kostos së prodhimeve ushqimore.

Presidenti Erdogan, në mesin e një fushate për një proces të rëndësishem zgjedhor në nivel lokal që mbahen në muajin mars, fajësoi tregtarët me shumicë dhe ata me pakicë të ushqimeve për rritjen e tepruar të çmimeve, duke i etiketuar ata si "terroristë të ushqimit". Zinxhirët e supermarketeve, nën kërcënimin e nisjes së hetimeve rreth çmimeve të paarsyeshme, thonë se aktualisht po shesin nën kosto dhe duke mbajtur nën kontroll sasinë e mallit për shitje.

Në këtë etiketë shkruhet se patatet, të cilat kushtojnë rreth pesë lira për t’u prodhuar, shiten me dy lira.

Fushata e ndrydhjes së çmimeve nga subvencionet dhe kërcënimet, ka nxitur dëshpërimin tek tregtarët e vegjël.

"Ka ndikuar nivelin e shitjeve në masën 50 për qind. Konsumatorët vijnë këtu, shohin çmimet dhe nuk blejnë asgjë, thjesht largohet, çmimet janë shumë të larta. Nuk mund të konkurosh me shtetin. Shteti e blen produktin për tre lira e gjysmë dhe e shet me dy", thotë Aliu, një tregtar patatesh

"Ti ke qenë këtu pranë meje për rreth gjysmë ore, a më pe të shes ndonjë gjë? Asnjë! Më doli fryma duke bërtitur që nga mëngjesi dhe kam shitur vetëm dy kile për dy klientë" thotë Hulusi, tregtar domatesh.

Për blerësit, të cilët kërkojnë çmime më të mira në kushtet kur të ardhurat e tyre janë ulur, lufta e çmimeve e udhëhequr nga Presidenti Erdogan është më se e mirëpritur.

"Ka pasur një rënie të çmimit të ushqimeve këtë javë. Javët e kaluar çmimet ishin mjaft të larta. Me ndërhyrjen e presidentit ka pasur një rënie të çmimeve dhe kjo i gëzon njerëzit. Shpresoj që të vazhdojë kështu”, thotë Sule, blerëse.

Për Presidentin Erdogan, ulja e çmimit të ushqimeve e bashkë me të dhe të pakënaqësive të publikut, do të jetë çelësi për të ruajtur kontrollin në qytetet kyçe si Stambolli në zgjedhjet lokale të muajit të ardhshëm.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA