Erdogani kërkon themelimin e shtetit të Palestinës me kufijtë e 1967, përndryshe...
Kryeministri izraelit tha se ajo që do të bëjë Izraeli tani do të “ndryshojë Lindjen e Mesme”.
SHJ
09/10/2023 - 07:43
Erdogani paraqiti harta në kuvend, se si ndryshoi harta e Palestinës nga viti 1947 ndërsa tha se “vetëm me themelimin e shtetit të Palestinës në kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemi” do të ketë paqe atje. Ai tha se kundërshtojmë vrasjen e qytetarëve në Izrael por nuk pranojmë për asnjë arsye therjen e qytetarëve në Gazë nga bombardimet e pamëshrishme”.
“Qetësia dhe paqja e përhershme në zonë do të vijë vetëm me themelimin e shtetit të Palestinës, të një shtetit të përbashkët gjeografikisht sipas vendimit të OKB-së, në kufijtë e vitit 1967 me kryeqytet Jeruzalemin dhe njohjen nga gjithë bota. Që të mundet Izraeli të vazhdojë si shtet dhe të mundet të zhbillojë sigurinë e qytetarëve të tij, është e mundur vetëm në këtë mënyrë. Ndryshe episodet që shpërthyen të shtunën e kaluar nuk do të përfundojnë dhe do të vijojnë tragjedi më të këqija” tha ai.
Gjithë organizatat terroriste trajinohen nga SHBA - Erdogani
Pas takimit me kancelarin austriak Erdogani u pyet për gjendjen në Palestinë dhe lëvizjen ushtarake të SHBA-së me aeroplanëmbajtësen duke u përgjigjur: “Pse një luftanije amerikane vjen në Izrael? Për cilën arsye? Çfarë do të bëjnë? Do të godasin Gazën me avionët e tyre luftarakë?”
Më pas ai shtoi se “Fatkeqesisht këtë çast gjithë organizatat terroriste i trajinon SHBA-ja. Me ato organizata dhe në Siri dhe Lindjen e Mesme shndërrojnë gjithë zonën në lum me gjak. T`i shohim dhe këto”.
Nuk mungoi përmendja e bazave ushtarake amerikane në Siri. “Sot në Siri SHBA-ja ka më shumë se 20 baza. Ç`punë kanë bazat e SHBA-së në Siri? Çfarë bëhet në ato baza, 23 baza? Të gjitha ato duhet t`i shqyrtojmë? Kur SHBA rrëzon një dron tonin, nuk jemi aleat? Kur na intereson jemi partnerë? Kur nuk na intereson jo?, tha ai.
Në fund ftoi Izraelin të ndalojë bambardimet në tokën palestineze dhe palestinezët të ndalojnë provokimet në banimet izraelite.
“Katastrofa e Gazës me sulme ajrore dhe tokësore, bombardimi i xhamieve dhe vdekja e fëmijëve të pafajshëm, grave, të moshuarve dhe të parmatosurve janë të papranueshme”, paralajmëroi ai.
Do të ndryshojmë gjithë Lindjen e Mesme - Netanjahu
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant urdhëroi “rrethimin e plotë” të Gazës të hënën, duke thënë se autoritetet e vendit do të ndërpresin energjinë elektrike dhe ndalojnë hyrjen e ushqimeve dhe karburanteve në Gaza. Media izraelite thotë se numri i të vdekurve nga sulmi i Hamasit ka arritur në 900, ndërsa goditjet kundërpërgjigjëse nga ushtria izraelite në Gaza, kanë shkaktuar vdekjen e 500 vetëve.
Ndërkaq në anën veriore u panë ushtarët izraelitë dhe tanket duke u dislokuar në zonën pranë kufijve izraelitë me Libanin të hënën mes frikës se luftimet mund të përshkallëzoheshin në një konflikt më të gjerë rajonal. Kryeministri izraelit tha se përgjigja e vendit të tij ndaj sulmit të paprecedentë të Hamasit do të ndryshojë gjithë Lindjen e Mesme.
Ndërsa iu drejtohej kryebashkiakëve të qyteteve kufitare jugore të goditura nga sulmi i papritur i militantëve islamikë të Hamasit që filloi të shtunën, kryeministri izraelit tha se ajo që do të bëjë Izraeli tani do të “ndryshojë Lindjen e Mesme”.
Ndërkohë ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant tha se Izraeli do të vendosë rrethim të plotë ndaj Gazës, territorit që kontrollohet nga Hamasi.
“Ne po vendosim një rrethim të plotë në Gaza, nuk do të ketë energji elektrike, ushqim, ujë, karburant, gjithçka do të mbyllet. Ne po veprojmë në përputhje me rrethanat”, tha ministri izraelit, Gallant.
Ushtria izraelite tha se kishte thirrur 300,000 rezervistë. Kjo dhe rrethimi I Gazas merren si shenja se Izraeli po planifikon një sulm tokësor për të mposhtur Hamasin.
Izraeli ka dërguar tanke dhe ushtarë edhe në kufi me Libanin. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ushtria e vendit e mbështetur nga helikopterët kishin vrarë një numër personash të armatosur që kishin depërtuar në Izrael nga Libani, duke rritur frikën se luftimet mund të përhapen më gjerë në rajon.
Izraeli zyrtarisht shpalli gjendjen e luftës të dielën, duke paralajmëruar luftime më të mëdha dhe një sulm të mundshëm tokësor në Gaza, një veprim që në të kaluarën ka shkaktuar shumë viktima.
Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh tha të hënën se palestinezët kanë të drejtën për t'u mbrojtur nga agresioni dhe pushtimi izraelit.
“Këto ngjarje dhe pasojat e tyre janë rezultat i politikës së qeverisë izraelite për shfrytëzimin e metodave më të këqija të agresionit, vrasjeve, konfiskimit të tokës, sulmeve në vendet e shenjta dhe terrorizmit. Agresioni dhe masat e sigurisë nuk mund të prodhojnë paqe për Izraelin apo qetësi për izraelitët”, thotë zoti Shtayyeh.
Hamasi vazhdoi të sulmonte Izraelin me raketa, duke ndezur sirenat e sulmeve ajrore nga Jerusalemi deri në Tel Aviv.
Izraeli reagoi duke goditur më shumë se 1000 objektiva në Gaza dhe tanket dhe dronët ruanin gardhin e dëmtuar kufitar me Gazan për të parandaluar më shumë arritje të militantëve në territorin izraelit.
Hamasi është i rrënjosur thellë në Gaza dhe ka sunduar territorin që nga dëbimi i forcave besnike ndaj Autoritetit Palestinez të njohur ndërkombëtarisht në vitin 2007. Sundimi i tij ka kaluar i pa sfiduar përmes një bllokade 16-vjeçare izraelite dhe egjiptiane dhe katër luftëra të mëparshme me Izraelin.
Pasi kaluan pengesat izraelite me mjete shpërthyese në agimin e së shtunës, persona të armatosur të Hamasit u hodhën në sulm për orë të tëra, duke vrarë civilë dhe duke rrëmbyer njerëz në qytete, përgjatë autostradave dhe në një festival muzikor të ndjekur nga mijëra në shkretëtirë. Militantët palestinezë kanë hedhur gjithashtu rreth 4,400 raketa në Izrael, sipas ushtrisë.
Ushtria izraelite vlerësoi se 1000 luftëtarë të Hamasit morën pjesë në ndërhyrjen fillestare të së shtunës. Numri i lartë vuri në dukje shtrirjen e planifikimit nga grupi militant, i cili ka thënë se e nisi sulmin në përgjigje të vuajtjeve në rritje të palestinezëve nën pushtimin izraelit në Bregun Perëndimor, bllokadës së Gazës, politikave diskriminuese në Jerusalemin lindor të aneksuar dhe tensioneve rreth një vendi të shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë në Jerusalem.
Palestinezët duan një shtet të tyrin në të tre territoret të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967, por bisedimet e fundit serioze të paqes u ndërprenë më shumë se një dekadë më parë dhe qeveria e ekstremit të djathtë të Izraelit është kundër shtetësisë palestineze.
SHBA dërgon anije dhe avionë ushtarakë më pranë Izraelit
Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë anije dhe avionë ushtarakë më pranë Izraelit në Mesdheun Lindor në një demonstrim mbështetjeje pas sulmit të Hamasit, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.
Sekretari Austin shtoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë municione për Izraelin dhe se ndihma për sigurinë do të fillojë të dërgohet të dielën. Pentagoni do të shtojë gjithashtu avionë luftarakë në rajon, tha ai.
Presidenti amerikan Joe Biden i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të dielën se ndihma shtesë për Forcat e Mbrojtjes izraelite ishte nisur për në Izrael dhe mbështetje e mëtejshme do të vazhdonte në ditët në vijim, tha Shtëpia e Bardhë pas telefonatës mes tyre.
Zoti Austin tha se ka urdhëruar zhvendosjen e një flote anijesh që përfshin aeroplanmbajtësen Ford, më pranë Izraelit.
"Kam urdhëruar që aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford të vendoset në Mesdheun Lindor," tha ai në deklaratën e tij. Voa
Blinken: SHBA po ndjek njoftimet për amerikanë mes viktimave në Izrael
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të dielën se Uashingtoni po ndjek njoftimet sipas së cilave qytetarë amerikanë ishin mes të vrarëve dhe personave që nuk u dihet fati nga dhuna në Izrael dhe se Shtetet e Bashkuara po "punojmë pa pushim për të verifikuar" këto njoftime.
Zoti Blinken i bëri komentet të dielën në intervista në emisionet e mëngjesit në kanalet televizive amerikane, duke e quajtur goditjen ndaj Izraelit “një sulm terrorist nga një organizatë terroriste”.
Kryediplomati amerikane tha se SHBA po shqyrton kërkesat për ndihmë shtesë që kanë bërë izraelitët dhe se mund të ketë zhvillime në këtë drejtim gjatë ditës.
Sekretari amerikan i Shtetit tha gjithashtu se sulmi i Hamasit ndaj Izraelit mund të ketë qenë pjesërisht i motivuar nga synimi për të penguar normalizimin e mundshëm të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Voa
Shqetësim për konflikt masiv në Lindjen e Mesme, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit
Ushtarët izraelitë vazhduan luftimet kundër militantëve të Hamasit në rrugët e Izraelit jugor të dielën dhe ndërmorën sulme kundërpërgjigjëse që rrafshuan ndërtesa në Gaza. Në Izraelin verior një shkëmbim i shkurtër sulmesh me militantët e Hezbollahut të Libanit përshkallëzoi frikën për zgjerimin e konfliktit.
Luftimet po vazhdojnë më shumë se 24 orë pas një sulmi të pashembullt nga palestinezët, në të cilin militantët e Hamasit, të mbështetur nga mijëra raketa, depërtuan përmes barrierës së sigurisë së Izraelit. Ata morën robër të cilët i dërguan në Gaza, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët do të përpiqen t'i shkëmbejnë me mijëra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael.
Numri i lartë i vdekjeve, të burgosurit e shumtë dhe një reagim i ngadaltë ndaj sulmit treguan për një dështim të madh të inteligjencës dhe lëkundën përshtypjen e mbajtur prej kohësh se Izraeli ka sy dhe veshë kudo në Gaza, territorin e vogël dhe me popullsi të dendur që e ka kontrolluar për dekada.
Pyetja kryesore tani është nëse Izraeli do të nisë një sulm tokësor në Gaza, një lëvizje që në të kaluarën ka sjellë viktima të shumta. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua se Hamasi “do të paguajë një çmim të paprecedentë”. Por ai paralajmëroi se “kjo luftë do të marrë kohë. Do të jetë e vështirë”.
Televizionet izraelite transmetuan një mori lutjesh për ndihmë nga të afërmit e izraelitëve të marrë peng ose të zhdukur. Në Gaza, banorët u larguan nga shtëpitë pranë kufirit për t'i shpëtuar sulmeve izraelite, duke ikur më thellë brenda territorit pas paralajmërimeve në arabisht nga ushtria izraelite.
Në Egjiptin fqinj, një polic qëlloi për vdekje dy turistë izraelitë dhe një egjiptian në një vend turistik në Aleksandri, tha Ministria e Brendshme. Egjipti arriti një marrëveshje paqeje me Izraelin dekada më parë, por ndjenjat anti-izraelite janë të larta në vend, veçanërisht gjatë periudhave të dhunës izraelito-palestineze.
Sulmet në kufirin verior të Izraelit me Libanin kërcënojnë gjithashtu të tërheqin në betejë Hezbollahun, një armik i ashpër i Izraelit, i cili mbështetet nga Irani dhe vlerësohet të ketë dhjetëra mijëra raketa në dispozicion. Hezbollahu lëshoi dhjetëra raketa dhe predha të dielën në tre pozicione izraelite në një zonë përgjatë kufirit dhe ushtria izraelite u kundërpërgjigj duke përdorur dronë të armatosur. Dy fëmijë u plagosën lehtë nga xhami i thyer në anën libaneze, sipas një spitali të zonës.
Admirali Daniel Hagari, një zyrtar ushtarak izraelit, u tha gazetarëve se situata në kufirin verior ishte e qetë pas shkëmbimit të zjarrit me Hezbollahun. Por ai tha se luftimet po vazhdonin në jug dhe ku ka ende situata pengjesh.
Ai tha se trupat kishin shkuar tek çdo lagje pranë kufirit të Gazës, ku ata planifikonin të evakuonin të gjithë civilët dhe të pastronin zonën nga militantët.
“Ne do të shkojmë në çdo komunitet derisa të vrasim çdo terrorist që është në territorin izraelit”, tha ai. Në Gaza, “çdo terrorist që gjendet nëpër shtëpi, të gjithë komandantët, do të goditen nga zjarri izraelit. Kjo do të vazhdojë të përshkallëzohet në orët në vijim”.
Hamasi tha se gjatë natës kishte vazhduar të dërgonte forca dhe pajisje në “disa vendndodhje brenda territoreve tona të okupuara”, duke iu referuar Izraelit. Mediat e lidhura me Hamasin raportuan se djali i Nizar Awadallahut, një zyrtar i lartë politik, u vra. Grupi militant islamik nuk ka raportuar për ndonjë anëtar të lartë të kapur, vrarë apo plagosur.
Sulmi i befasishëm i së shtunës ishte më vdekjeprurësi në Izrael në dekada. Gjatë sulmit që kapi Izraelin në befasi, persona të armatosur të Hamasit përdorën eksplozivë për të thyer gardhin kufitar që rrethonte Gazën, më pas kaluan në Izrael me motoçikleta, kamionçina, parashuta dhe varka të shpejta në bregdet.
Ata u futën deri në 22 zona mëngjesin e të shtunës, në qytete dhe komunitete të ndryshme deri në 24 kilometra nga kufiri i Gazës, ndërsa Hamasi lëshoi mijëra raketa në qytetet izraelite.
Luftëtarët e Hamasit morën një numër të panjohur civilësh dhe ushtarësh robër në Gaza. Një mori izraelitësh, të afërm me të zhdukurit, shkuan nëpër rajone policie në Izraelin qendror për të furnizuar hetuesit me mostra të ADN-së dhe mjete të tjera që do mund të ndihmonin në identifikimin e anëtarëve të familjes së tyre.
Izraeli goditi 426 objektiva në Gaza, sipas ushtrisë izraelite.
UNRWA, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Palestinezët, tha se më shumë se 20,000 palestinezë u larguan nga rajoni kufitar i Gazës për të shkuar më tej brenda territorit dhe për t'u strehuar në shkollat e OKB-së.
Në një fjalim televiziv të shtunën mbrëma, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria do të përdorë të gjitha forcat e saj për të shkatërruar aftësitë e Hamasit.
Në Gaza, pjesa më e madhe e popullsisë u la në errësirë të shtunën në mbrëmje pasi Izraeli ndërpreu energjinë elektrike dhe tha se nuk do të furnizonte më me energji, karburant ose mallra të tjera këtë territor.
Hamasi tha se kishte planifikuar për një luftë të gjatë. “Ne jemi të përgatitur për të gjitha mundësitë, përfshirë luftën në të gjitha frontet”, tha zëvendëskryetari i byrosë politike të Hamasit, Saleh al-Arouri për televizionin “Al-Jazeera”.
Një zyrtar egjiptian tha se Izraeli ka kërkuar ndihmë nga Kajro për të garantuar sigurinë e pengjeve dhe se shefi i inteligjencës egjiptiane kishte kontaktuar Hamasin dhe grupin më të vogël por më radikal të Xhihadit Islamik, i cili gjithashtu mori pjesë në sulmin e të shtunës, për të kërkuar informacion. Egjipti ka ndërmjetësuar shpesh mes dy palëve në të kaluarën.
Zyrtari tha se udhëheqësit palestinezë pretenduan se nuk kanë ende një “version të plotë” sa u përket pengjeve, por tha se ata që u sollën në Gaza u dërguan në “vendndodhje të sigurta” në të gjithë territorin.
“Është e qartë se ata kanë një numër të madh – disa dhjetëra”, tha zyrtari, i cili kërkoi të mos identifikohej sepse nuk ishte i autorizuar të informonte mediat.
Egjipti foli gjithashtu me të dyja palët për një armëpushim të mundshëm, por zyrtari tha se Izraeli nuk ishte i hapur për një armëpushim “në këtë fazë”.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Joe Biden përsëriti mbështetjen e fortë dhe të palëkundur të Uashingtonit për Izraelin.
“Në bisedën me Kryeministrin Netanyahu, i thashë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me popullin e Izraelit përballë këtyre sulmeve terroriste. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe popullin e tij. Nuk ka kurrë justifikim për sulmet terroriste”, tha Presidenti Biden.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i dënoi ashpër sulmet e Hamasit dhe tha se ishte "tmerruar" nga sulmet kundër popullsisë civile dhe rrëmbimi i tyre. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre, ndërsa bëri thirrje për përpjekje diplomatike për të shmangur një konflikt më të gjerë.
Këshilli i Sigurimit i të Kombeve të Bashkaura do të mblidhet të dielën pasdite në një seancë urgjente me dyer të mbyllura për t'u informuar mbi situatën. Voa
Raport i përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 624 reads



