Fuqitë evropiane kruhen me luftën botërore
Në kundërshtim me qëndrimin e Rusisë, fuqitë evropiane planifikojnë dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainë, të cilat do të lejohen t’u kundërpërgjigjen forcave ruse në rast sulmi
Ylli Përmeti
03/11/2026 - 14:12
Britania, Franca dhe dhjetë vende të tjera evropiane po përgatiten për vendosjen e një force shumëkombëshe në Ukrainë pas arritjes së një armëpushimi, me synimin për të garantuar sigurinë e vendit dhe për të penguar rifillimin e luftës. Forca do të drejtohet nga një bashkëpunim anglo-francez dhe do të vepronte jashtë organizatës së NATO-s, pothuajse tërësisht me trupa dhe mjete evropiane, pa u mbështetur në sistemet apo teknologjinë amerikane, përfshirë satelitët Starlink.
Zyrtarët perëndimorë kanë bërë të ditur se ushtarët evropianë do të lejohen t’u kundërpërgjigjen sulmeve ruse nëse goditen, përfshirë sulmet me dronë, por ndërhyrja e tyre do të kishte karakter mbrojtës. Kjo ngre mundësinë e përplasjeve të drejtpërdrejta ushtarake me Rusinë dhe të një përshkallëzimi të mëtejshëm, në varësi të reagimit të Moskës.
Përgatitjet do të vihen në provë gjatë stërvitjes ushtarake Exercise Koalicja, që do të zhvillohet më vonë gjatë këtij muaji në Poloni. Në të do të marrin pjesë 11 vende dhe rreth 2 800 ushtarakë, detarë dhe punonjës ajror. Franca do të angazhojë 1 500 trupa nga Divizioni i Parë, ndërsa Britania 300 ushtarë nga Brigada e Shtatë e Mekanizuar e Lehtë. Pjesëmarrësit e tjerë janë Polonia, Gjermania, Belgjika, Estonia, Lituania, Holanda, Spanja, Suedia dhe Turqia. Stërvitja synon të provojë gatishmërinë ushtarake, aftësinë për zbarkim të shpejtë dhe bashkëveprimin e forcave, duke vënë në praktikë planet që janë përgatitur prej më shumë se një viti. Vendosja e vërtetë e kësaj force mbetet ende hipotetike dhe lidhet me arritjen e një armëpushimi.
Një nga arsyet kryesore për krijimin e një force të pavarur nga mbështetja amerikane është pasiguria mbi vazhdimësinë e ndihmës së Uashingtonit. Presidenti amerikan ka thënë se nuk do të angazhojë trupa amerikane në një mision paqeruajtës në Ukrainë. Për më tepër, muajin e kaluar, SHBA-ja kufizoi papritur për rreth dhjetë ditë përdorimin nga Ukraina të llojit ushtarak të sistemit Starlink, të njohur si Starshield, duke ndikuar në detyrat e dronëve me rreze të mesme veprimi. Për këtë arsye, planifikuesit evropianë po përpiqen të sigurojnë ndërlidhje dhe aftësi ushtarake që nuk varen nga teknologjia amerikane.
Një detyrë tjetër e rëndësishme e forcës do të jetë ringritja dhe forcimi i ushtrisë ukrainase pas luftës, ndërsa trupat evropiane synohet të vendosen larg vijës së frontit. Planet përfshijnë gjithashtu përdorimin e avionëve luftarakë për patrullimin dhe rihapjen e aeroporteve tregtare të Ukrainës, si dhe çminimin e Detit të Zi për të rikthyer bartjen detare, veçanërisht eksportet e drithërave dhe tregtinë tjetër. Veprimtaria detare parashikohet të drejtohet nga Turqia.
Këto përgatitje zhvillohen në kohën kur përpjekjet e reja diplomatike për paqe nuk kanë sjellë përparim të dukshëm. Janë parashikuar bisedime trepalëshe me ndërmjetësimin amerikan, por ndërkohë Rusia dhe Ukraina vazhdojnë të godasin rrjetin energjetik të njëra-tjetrës. Sulmet e fundit kibernetike ndaj programeve të sinjalizimit të urgjencave në të dyja vendet, të cilat përhapën përkohësisht alarme të rreme për sulme bërthamore, kimike dhe luftime në rrugë, kanë shtuar shqetësimet për sigurinë.
Në thelb, Evropa po përgatitet për një prani të armatosur në Ukrainën e pasluftës, e cila nuk do të kufizohej vetëm në vëzhgimin e armëpushimit: ajo do të kishte të drejtën të mbrohej edhe me armë në rast sulmesh ruse, duke krijuar mundësinë e një përballjeje të drejtpërdrejtë ushtarake mes forcave evropiane dhe Rusisë.
Të gjitha këto, kur Rusia i quan trupat evropiane në Ukrainë objektiva të ligjshme ushtarake, nëse ato vendosen pas një marrëveshjeje paqeje; Putini ka paralajmëruar se vendosja e trupave evropiane në Ukrainë do të nënkuptonte luftë me Rusinë; dhe Moska kundërshton çdo prani ushtarake perëndimore në Ukrainë, duke e cilësuar atë si ndërhyrje të rrezikshme dhe përshkallëzim të luftës, dhe jo si një mision paqeruajtës neutral.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 10 reads



