...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

G7-ta dhe Kina akuzojnë njëra-tjetrën për “trysni ekonomike” ndërsa rendi` ri botëror gjallon

Pjesë e zgjidhjes është një rend botëror më gjithëpërfshirës dhe më i balancuar se më parë

SHJ

19/05/2023 - 21:06

G7-ta dhe Kina akuzojnë njëra-tjetrën për “trysni ekonomike”  

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara forcuan shqetësimin pë rritjen e kërcënimit ushtarak dhe të sigurisë ekonomike nga Kina dhe i bënë thirrje Pekinit të ushtrojë trysni ndaj Rusisë që të ndalojë agresionin ushtarak dhe të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.

Në deklaratën e takimit të nivelit të lartë të G7-ës në Hiroshimë, të Japonisë, grupi i 7 vendeve më të pasura kritikoi përdorimin e “trysnisë ekonomike” nga ana e Kinës, rritjen e pranisë ushtarake në Detin e Kinës së Jugut, dhe “veprimet e saj ndërhyrëse” që synojnë të cënojnë sigurinë e diplomatëve, integritetin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik.

Edhe në deklaratë, vendet e G7-ës u zotuan “për mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, ndërsa përballet me agresionin e paligjshëm nga Rusia”.

Grupi, i cili përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Italia, Japonia dhe Bashkimi Evropian, tha se nuk synohet dëmtimi i Kinës dhe as pengimi i zhvillimit ekonomik të saj, ndërsa i bëri thirrje Pekinit që të angazhohet me G7-ën për klimën, ristrukturimin e borxhit të vendeve në zhvillim, shëndetin global dhe stabilitetin makroekonomik.

Trysnia ekonomike

Më herët të shtunën, drejtuesit e G-7ës shpalosën “Platformën e Koordinimit për Trysninë Ekonomike”, një kornizë e re për t’iu kundërvënë përdorimit të praktikave ndëshkimore tregtare për qëllime politike. Ky kuadër, perceptohet se i kundërvihet Kinës, megjithëse ajo nuk përmendet me emër.

Me një deklaratë, vendet e G7-ës u shprehën se korniza e re do të shtojë masat “studimore, përgatitore, parandaluese dhe reaguese”, për të “eksploruar përgjigje të koordinuara, kur të jenë të përshtatshme, dhe për t’iu kundërvënë trysnisë ekonomike”, në përputhje me kuadrin ligjor të vendeve anëtare.

"Këto mjete të sigurisë ekonomike përfshijnë hapa për të rindërtuar qëndrueshmërinë në zinxhirët tanë të furnizimit. Ato do të përfshijnë edhe hapa për të mbrojtur kontrollin e eksporteve dhe masa për investimet e jashtme”, tha Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan gjatë një seance informimi të shtunën në Hiroshimë.

Nga Pekini, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin, reagoi të premten në lidhje me masat e planifikuara.

"Nëse takimi i G-7ës dëshiron të diskutojë çështjen e trysnisë ekonomike, më mirë le të diskutojë fillimisht se si Shtetet e Bashkuara ushtrojnë trysni ndaj gjashtë vendeve të tjera anëtare”, tha ai.

Poli ruso-kinez shtyn Sholcin të pranojë padrejtësitë perëndimore me vendet e Jugut Global 

Mbrojtja e klimës, migrimi, reduktimi i varfërisë - rendi ndërkombëtar po përballet me sfida të mëdha. Në të njëjtën kohë, potenciali për bashkëpunim të barabartë global "nuk ka qenë kurrë më i madh", theksoi kancelari gjerman Olaf Scholz në Samitin e Zgjidhjeve Globale. Ai u ndal në bashkëpunimin me vendet e Jugut Global.

Bota është shumëpolare, kështu që ne tani duhet të veprojmë në përputhje me rrethanat – deklaroi kancelari Scholz në Samitin e Zgjidhjeve Globale në prag të samitit të G7.

Rendi botëror më gjithëpërfshirës dhe i balancuar

Në fjalën e tij, Scholz shtroi pyetjen se si mund të mbajmë një rend ndërkombëtar të bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare në shekullin e 21-të. Kancelari gjerman tha se pjesë e zgjidhjes është një rend botëror më gjithëpërfshirës dhe më i balancuar se më parë.

Nëse duam t’i inkurajojmë vendet e Jugut Global për të ndërtuar dhe mbrojtur një rend botëror paqësor dhe të qëndrueshëm së bashku me Evropën dhe botën, atëherë duhet t'i përfshijmë këto vende më shumë se më parë. Kancelari gjerman tha se për këtë do të bëjë fushatë personalisht në samitin e ardhshëm të G7 dhe në samitin e G20 në shtator.

Termi "Jug Global" përfshin vendet që më parë quheshin vende në zhvillim ose ekonomi në zhvillim. Shumica e këtyre vendeve janë në Afrikë, Amerikën Latine dhe Jugore dhe Azi. Në Samitin e Zgjidhjeve Globale në Berlin, pjesëmarrës nga politika, shkenca, organizatat joqeveritare dhe biznesi diskutojnë sfidat globale. Më pas ata i adresojnë rekomandimet e tyre vendeve të G20 dhe G7.

Vendet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës nuk duhet të kenë përshtypjen "se ne po u afrohemi vetëm sepse jemi të interesuar për lëndët e para të tyre ose duam të marrim mbështetjen e tyre për një rezolutë të OKB-së", tha më tej kancelari Scholz. Popullsia dhe ekonomitë në rritje në Jugun Global "presin përfaqësim në nivel të barabartë".

Kjo duhet të reflektohet, ndër të tjera, në shpërndarjen e posteve në organizatat ndërkombëtare, si edhe në politikën tregtare të Bashkimit Evropian. Lëndët e para duhet të përpunohen gjithnjë e më shumë në vendet e tyre të origjinës dhe jo vetëm të nxirren prej andej nga disa vende, tha Scholz. 

Gjatë presidencës së saj të G7 vitin e kaluar, Gjermania i përfshiu qëllimisht krerët e shteteve dhe qeverive të Jugut Global. Partneriteti për infrastrukturën globale, aleanca për sigurinë globale të ushqimit dhe mburoja globale mbrojtëse ndaj rreziqeve klimatike për vendet që janë veçanërisht të goditura ishin rezultate konkrete të këtyre takimeve.

Partneritete në interes të ndërsjellë

Partneritetet me interes të ndërsjellë me shumë vende të ndryshme janë gjithashtu në interes të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian. Varësia nga ofruesit individualë dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit mund të parandalohen përmes diversifikimit. Kancelari gjerman theksoi se potenciali për bashkëpunim të barabartë global nuk ka qenë kurrë më i madh.

Këto forma të reja bashkëpunimi mund të japin gjithashtu një kontribut në mbrojtjen e klimës, "sepse shumë vende afrikane e shohin tranzicionin e energjisë edhe si shans", tha Scholz. Ai tha se u bind vetë për këtë gjatë një vizite në Afrikën Lindore. Kenia, për shembull, së shpejti do t'i bashkohet klubit ndërkombëtar të klimës - një iniciativë gjermane e G7 që po ecën përpara me zbatimin ambicioz dhe të shpejtë të Marrëveshjes së Parisit për klimën.

Kancelari Scholz tha se ka ftuar në Berlin shtetet afrikane më 20 nëntor për të promovuar iniciativën e G20 "Kompakti me Afrikën". Qëllimi i nismës është të stimulojë rritjen ekonomike në Afrikë dhe të krijojë stimuj për investimet e sektorit privat. DW

Valë e re sanksionesh dhe kundërsanksionesh nga Perëndimi dhe Rusia

Lajmi është njoftuar nga ministria e jashtme ruse, e cila tha se Rusia kishte refuzuar gjithashtu kërkesën e fundit të SHBA-ve për qasje konsullare ndaj gazetarit të Wall Street Journal Evan Gershkovich, i cili u arrestua në mars me dyshimin për spiunazh.

Kjo lëvizje u shkaktua nga refuzimi i SHBA-së muajin e kaluar për t’i dhënë viza mediave që udhëtonin me ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, në Kombet e Bashkuara, thuhet në një deklaratë.

“Uashingtoni duhet të kishte mësuar shumë kohë më parë se asnjë sulm i vetëm armiqësor ndaj Rusisë nuk do të mbetet i pandëshkuar”, thuhet më tej në deklaratën e ministrisë së jashtme ruse.

G7-a do të rrisë trysninë financiare  ndaj Rusisë 

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj njoftuan të premten për masa të reja që synojnë ndëshkimin e Rusisë për sulmin e saj në Ukrainë, duke vendosur sanksionet që vlerësohen si masat më të ashpra të zbatuara ndonjëherë.

Me këto masa, Shtetet e Bashkuara vunë në shënjestër shmangien e sanksioneve nga ana e Moskës, të ardhurat e energjisë dhe zinxhirët e furnizimit ushtarak-industrial, duke vendosur sanksione ndaj më shumë se 300 objektivave. Masat e reja u njoftuan ditën e parë të takimit të nivelit të lartë të Grupit të shtatë vendeve më të pasura të botës në Hiroshima të Japonisë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në takim të dielën, ditën e fundit të tij.

Zoti Zelensky, që ndodhet në Arabinë Saudite për të marrë pjesë në takimin e Lidhjes Arabe, flet të premten përmes internetit në takimin e G7-ës, ndërsa të dielën do të udhëtojë për në Hiroshima ku do t’iu bashkohet udhëheqësve të shtatë demokracive më të pasura, në ditën e fundit të bisedimeve.

Udhëheqësit e G-7-ës pritet të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë me qëllim dobësimin e aftësive të Moskës për të financuar luftën e saj në Ukrainë. Në një takim me kryeministrin japonez Fumio Kishida, Presidenti Joe Biden tha se grupi ndan vlera të përbashkëta.

“Masat përfshijnë mbështetjen e popullit të Ukrainës ndërsa ata e mbrojnë territorin e tyre sovran dhe mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për agresionin e saj brutal … për të siguruar një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”, thotë presidenti amerikan, Joe Biden.

Shumica e sanksioneve janë vendosur nga SHBA-ja, kryesisht mbi asetet e rusëve me vlerë mbi 58 miliardë dollarë.

Udhëheqësit e G7-ës lëshuan një deklaratë pas takimeve me dyer të mbyllura ku thanë se “mbështetja jonë për Ukrainën nuk do të lëkundet”. Ata u zotuan se do “të qëndrojmë së bashku kundër luftës së paligjshme, të pajustifikueshme dhe të paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

“Rusia e filloi këtë luftë dhe mund t'i japë fund kësaj lufte”, thanë ata.

“Viti i kaluar ishte viti i sanksioneve. Unë mendoj se ky vit është viti i zbatimit të këtyre sanksioneve, si edhe për të shqyrtuar se çfarë kontrollesh shtesë për eksportin mund të vendosen për të siguruar që Rusia nuk është në gjendje të sigurojë kapacitete ushtarake dhe të teknologjisë që i nevojiten për të zhvilluar luftën e saj”, thotë Kimberly Donovan nga Qendra Gjeo-Ekonimike e Këshillit Atlantik.

Megjithatë, grupi nuk do të shpallë një ndalim gjithëpërfshirës për mallrat e eksportuara në Rusi.

Takimi i nivelit të lartë gjithashtu do të përqëndrohet në kundërshtimin e asaj që grupi e quan “shtrëngim ekonomik” të Kinës apo praktikat ekonomike që Pekini i shfrytëzon për të rritur ndikimin tek shtetet e treta të cilave iu ka dhënë hua apo ku ka investuar.

“Gjatë takimit, unë do të doja të shprehja vendosmërinë e palëkundur të G-7-ës për të mbështetur rendin e lirë dhe të hapur ndërkombëtar të mbështetur në sundimin e ligjit”, thotë kryerministri japonez, Fumio Kishida.

Kërcënimet bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës, së bashku me valën e provave me raketa të Koresë së Veriut dhe arsenalin bërthamor të Kinës që po zgjerohet me shpejtësi, kanë kontribuar që Japonia ta bëjë çarmatimin bërthamor një pjesë të rëndësishme të takimit të G7-ës.

Ndërsa samiti u hap të premten, udhëheqësit e vizituan strukturën e vetme që është ende në këmbë pas bombardimit me bombë atomike të qytetit në vitin 1945 nga SHBA-të, tani një memorial për paqen.   

Mbretëria e Bashkuar ndalon metalet ruse, përfshirë diamantet 

Britania tha se do të ndalonte importet e diamanteve ruse, bakrit, aluminit dhe nikelit të premten dhe njoftoi një valë të re sanksionesh kundër Rusisë, duke vënë në shënjestër kompanitë e lidhura me vjedhjen e dyshuar të grurit ukrainas.

Por ndalimi do të ketë një ndikim të vogël pasi eksportet ruse të këtyre mallrave në Mbretërinë e Bashkuar tashmë kanë rënë pas vendosjes së tarifave.

Marsin e kaluar qeveria britanike vendosi një tarifë shtesë prej 35% mbi importet e bakrit rus, plumbit dhe aluminit.

“Ne do të miratojmë një ligj gjatë këtë viti për të ndaluar importet e diamanteve ruse dhe do t'i japim fund të gjitha importeve të bakrit, aluminit dhe nikelit me origjinë ruse”, tha në një deklaratë kryeministri britanik Rishi Sunak.

Mbretëria e Bashkuar tashmë ka sanksionuar 1,500 individë dhe subjekte, duke ngrirë më shumë se 22.7 miliardë dollarë asete në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka sanksionuar tregtinë e mallrave mes Britanisë dhe Rusisë në vlerë prej mbi 20 miliardë paund, thuhet në deklaratë.

Të dhënat tregojnë se Britania ka importuar vetëm një pjesë të vogël të aluminit, nikelit dhe diamanteve të saj nga Rusia. Vitin e kaluar nuk importoi fare bakër nga Rusia.

Rusia është një prodhues i madh i aluminit, nikelit dhe diamanteve. Planet e ndalimit të importit të Britanisë vijnë pasi udhëheqësit e vendeve të G7-ës po diskutojnë se si të gjurmojnë tregtinë e diamanteve të Rusisë me qëllimin e vendosjes së kufizimeve në një fazë të mëvonshme.

"Tregu global nuk është statik, është i pasur me destinacione alternative”, u tha gazetarëve të premten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, kur u pyet për kufizimet e mundshme të diamantit në Bashkimin Evropian.

Britania ka vendosur të sanksionojë edhe 86 individë dhe entitete si pjesë e një goditjeje të re ndaj atyre që i quajti “individë dhe subjekte të dyshimta” të lidhura me vjedhjen dhe rishitjen e grurit ukrainas, një akuzë që Rusia e ka mohuar.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë eksportuesit kryesorë të grurit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

“Ky drith dhe mallra të tjera bujqësore thuhet se janë vjedhur nga magazinat dhe fushat në territoret e pushtuara në Ukrainë”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.

Britania e Madhe sanksionoi gjithashtu kompaninë “Sun Ship Management”, për të cilin tha se ishte një ent i lidhur me “Sovcomflot”, kompaninë më të madhe shtetërore ruse të transportit. Voa

Përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA