Gjermania kundron rishikimin e ligjit që mbron politikanët nga fyerjet
Hetimet penale ndaj njerëzve që e kanë quajtur Mercin “Pinoku” dhe “Fridrih gënjeshtari” kanë nxitur thirrje për rishikimin e ligjit
Politico
18/08/2026 - 13:48
Partitë politike gjermane kanë arritur në një pikë të pazakontë mirëkuptimi: një ligj që ndëshkon qytetarët për fyerjen e politikanëve duhet të ndryshohet, pas hetimeve ndaj njerëzve që tallën kancelarin Friedrich Merz duke e quajtur “Pinoku” dhe “Fridrih gënjeshtari”.
Por ndërsa politikanët nga i gjithë spektri politik pajtohen se ligji ka nevojë për ndryshime, ata nuk pajtohen se si dhe kur duhet ndryshuar, sipas një sondazhi të POLITICO-s me ligjvënësit përgjegjës për këtë çështje nga secila prej partive të përfaqësuara në Bundestag.
“Ne e marrim randësisht kritikën se në praktikë mund të jetë krijuar përshtypja e një privilegji të veçantë ligjor për politikanët”, tha Susanne Hierl, ligjvënëse e Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) të qendrës së djathtë të Merzit. “Një trajtim i tillë i privilegjuar nuk ka qenë kurrë qëllimi i ligjvënësit.”
Moritz Oppelt, ministër i drejtësisë i CDU-së në landin jugperëndimor Baden-Württemberg, shprehu të njëjtin qëndrim, duke thënë se ligji duhet t'i shërbejë vetëm qëllimit të tij fillestar, mbrojtjes së politikanëve vendorë, të cilët shpesh përballen me sulme veçanërisht të ashpra.
“Politikanët e nivelit të lartë duhet dhe mund t'i përballojnë kritikat e ashpra”, tha ai. “Është themelore për demokracinë tonë dhe pjesë e kuptimit tonë për demokracinë në Gjermani që njerëzit të jenë të lirë të shqyrtojnë vendimet politike në nivelin federal dhe të landeve dhe t'i kritikojnë ato shumë ashpër. Kjo nuk do të thotë se fyerjet në sferën politike duhet të normalizohen. Sigurisht që ka kufij.”
Qëndrime të ndryshme të kësaj natyre gjejnë mirëkuptim në të gjithë spektrin e përçarë politik gjerman. Partia e së Majtës dhe partia e së djathtës së skajshme Zgjidhja për Gjermaninë (AfD) kërkojnë shfuqizimin e plotë të ligjit, ndërsa CDU-ja, të Gjelbrit dhe Partia Socialdemokrate (SPD) e qendrës së majtë mbështesin rishikimin e tij.
“Politikanë si Friedrich Merz i fyejnë çdo ditë njerëzit e zakonshëm në këtë vend, duke i quajtur dembelë ose njerëz që shmangin punën”, tha Luke Hoss, ligjvënës i së Majtës, duke përmendur qendrimet e kancelarit se gjermanët duhet të punojnë më shumë për të nxitur rritjen ekonomike. “Kjo dispozitë krijon një vepër penale të veçantë që zbatohet vetëm ndaj politikanëve dhe duhet të shfuqizohet.”
Tobias Peterka, ligjvënës i AfD-së, tha se kritikat e ashpra janë pjesë e detyrës. “Kushdo që hyn vullnetarisht në politikë dhe ushtron autoritet publik duhet — siç ka theksuar vazhdimisht Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë — të durojë kritika më të ashpra sesa qytetarët e tjerë, jo më pak”, tha ai.
Ndërsa një variant i ligjit që u jep mbrojtje të veçantë politikanëve, neni 188 i Kodit Penal, është që nga viti 1951, qeveria e ish-kancelares Angela Merkel e forcoi ligjin në vitin 2021, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të luftuar skajshmërinë e djathtë dhe gjuhën e urrejtjes. Reshikimi erdhi pas vrasjes së ligjvënësit të CDU-së Walter Lübcke në vitin 2019 nga një pjesëtar të djathtës së skajshme dhe mes sulmeve foljore e fizike ndaj politikanëve vendorë gjatë pandemisë së COVID-19. Lübcke kishte qenë mbështetës i zëshëm i politikës së Gjermanisë për refugjatët gjatë kohës së Merkelit.
Ligji zbatohet ndaj fyerjeve të bëra publikisht ose përmes postimeve në rrjetet shoqërore, kur ato lidhen me rolin publik të politikanit dhe vlerësohet se pengojnë ndjeshëm ushtrimin e detyrës së tij. Shkelësit përballen me deri në tre vjet burg ose me gjobë për fyerjen e politikanëve; shpifja dhe “përhapja dashakeqe e thashethemeve” dënohen më rëndë.
Por mendimi i përgjitshëm është kthyer kundër ligjit pas disa hetimeve dhe ndjekjeve penale të fundit ndaj qytetarëve të zakonshëm për fyerjen e politikanëve. Një burrë u gjobit pasi e quajti Merzin “Lügenfritz”, ose “Fridrih gënjeshtari”, ndërsa një tjetër për ta quajtur “Fotzenfritz”, një nofkë fyese që u krijua nga një revistë satirike. “Fritz” është një nofkë e zakonshme për Friedrich.
Andy Hüttner, një pensionist 66-vjeçar nga Gjermania jugperëndimore, u hetua pasi shkroi “Pinoku po vjen” në një postim të policisë në Facebook lidhur me masat e sigurisë për një vizitë të planifikuar të Merzit.
“Mendova se ta quaje z. Merz ‘Pinoku’ ishte plotësisht e përshtatshme, sepse ai premtoi shumë dhe realizoi shumë pak”, i tha Hüttner POLITICO-s. “Nuk më shkoi kurrë ndër mend se mund të ndodhte diçka për shkak të atij komenti.”
Pas lajmit për hetimin, i cili shkaktoi një reagim të madh në media — dhe dënim nga nënsekretarja amerikane e shtetit për diplomacinë publike, Sarah Rogers — çështja u pushua.
Sipas ligjit gjerman, fyerja e çdo personi (Beleidigung) mund të përbëjë vepër penale, por ligji për politikanët e bën dënimin e mundshëm për fyerjet dhe shpifjet më të rëndë.
Megjithatë, po rritet pajtueshmëria se ligji që synon t'u sigurojë mbrojtje shtesë politikanëve ka shkuar shumë larg. Ligjvënësja e CDU-së, Hierl, tha se politikanët vendorë ende kanë nevojë për mbrojtje. “Prandaj do ta shqyrtojmë me kujdes si formulimin e nenit 188, ashtu edhe mënyrën se si zbatohet”, tha ajo.
Të Gjelbrit të opozitës pajtohen se ligji duhet të përqendrohet tek mbrojtja e politikanëve vendorë. “Shfuqizimi i nenit 188 të Kodit Penal gjerman do të dërgonte sinjalin e gabuar”, shkroi Lena Gumnior, një nga ligjvënëset e partisë, në një deklaratë. “Megjithatë, mund ta përfytyroj një reshikim të nenit 188 në mënyrë që ai të zbatohet vetëm ndaj zyrtarëve të zgjedhur në nivel bashkie.”
Ministrja e drejtësisë e SPD-së, Stefanie Hubig, tha në qershor se politikanët duhet të jenë në gjendje të përballojnë më shumë kritika sesa qytetarët e zakonshëm, duke iu afruar në thelb qëndrimit të të Gjelbërve dhe CDU-së. Në qershor, ministrat e drejtësisë të landeve të Gjermanisë kërkuan që ligji të ngushtohet në mënyrë që të zbatohet ndaj zyrtarëve vendorë.
Për momentin, megjithatë, as CDU-ja qeverisëse e Merzit dhe as të Gjelbrit e kundërshtisë nuk po përgatitin një nismë ligjore pas pushimeve verore. Një projektligj i AfD-së për shfuqizimin e nenit 188 u rrëzua nga Bundestagu dhe, ndërsa partia ka paraqitur që atëherë një tjetër projektligj, partitë e qendrës kanë premtuar të mos bashkëpunojnë me të djathtën ekstreme, duke ruajtur të ashtuquajturën “barrierë” ndaj kësaj partie.
Edhe Partia e së Majtës ka paraqitur një mosbesim parlamentar lidhur me nenin 188, një tjetër dëshmi e mirëkuptimit të gjerë për ndryshimin e ligjit — edhe pse politikanët kryesorë ende nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 4 reads



