...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjermania vepron pas kuintave për parandalimin e zhvendosjes së pushtetit në Evropën Lindore

Sholci ka nxitur një rishqyrtim tërësor të sistemit të traktateve përpara se kërkesa e Ukrainës të miratohet

Ylli Përmeti

04/07/2022 - 13:43

Ndërsa Ukraina parashtroi kërkesën për të marrë statusin e kandidatit në BE dhe procesi besohet se do të marrë dekada, kryesisht sepse Kievi duhet të ndërmarrë reforma juridike, ekonomike dhe demokratike dhe reforma anti-korrupsion (aktualisht Ukraina është ndër vendet më të korruptuar në planet dhe thuhet se përqindja më e madhe e ndihmave perëndimore që po dërgohen për luftën po përvetësohet nga drejtuesit e saj) Gjermania ka frikë se anëtarësia e plotë e Ukrainës në BE do të gërryejë influencën e Berlinit në bllok.

Këtë çështje ka diskutuar Sholci pas kuintave në Bruksel, sipas gazetës britanike “The Telegraph”: ndaj ai ka nxitur një rishqyrtim tërësor të sistemit të traktateve përpara se kërkesa e Ukrainës të miratohet. Në zemër të shqetësimit të tij është sistemi aktual i votimeve të BE-së, i cili ka parasysh numrin e vendeve që votojnë dhe popullatën e tyre; sipas këtij sistemi Kievi do të ketë nëntë për qind të pushtetit tërësor të BE-së. Duke bashkuar këtë pushtet me pushtetin e fqinjit të saj, Poloninë, çifti do të ishte më i fuqishëm se Gjermania, vendi më i madh dhe më i pasur i BE-së. Duke përfshirë aleatë të tjerë të Evropës qendrore dhe Lindore ajo do të krijonte një shumicë më të fuqishme pushteti se pushteti franko-gjerman brenda bllokut.

“Do të zhvendoste balancën e pushtetit brenda BE-së larg Gjermanisë dhe Francës drejt Evropës Qendrore dhe Lindore, ku vendet, bashkë me nordikët, për herë të parë do të jenë një bllok më i madh në terma të fuqisë së votës” tha Dr Nicolai von Ondarza i Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe Sigurisë.

Duke patur parasysh këtë efekt, udhëheqësi gjerman synon të ndryshojë sistemin e votimit në mënyrë të tillë që të ndalojë krijimin e fraksioneve të pushteteve të ndryshme brenda bllokut, sidomos Ukrainën, e cila del nga lufta si vendi më i varfër i vendeve kandidat, për të marrë fonde shtesë nga fqinjët e tyre perëndimorë.

Sipas gazetës, Sholci kërkon gjithashtu të heqë vetot kombëtare. Këtë fakt e vërtetoi pas dy javësh vetë Sholci kur tha në një shkrim në “Frankfurter Allgemeine” se “Bashkimi Evropian nuk mund të përballojë më që vendet e tij të kenë të drejtën e vetos kur vendoset për politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, nëse do që të ketë rol udhëheqës në politikën globale”. Makroni, gjithashtu, ka folur për nevojën e ndryshimit të sistemit të votimit me qëllim që ambiciet e vendit të tij të mos ndalohen nga anëtarët më të vegjël të BE-së.

Nuk është vetëm Gjermania skeptike për anëtarësinë e Ukrainës, por dhe Polonia, Portugalia, dhe Republika Çeke: sepse si vendet më të varfëra krahasuar me vendet e tjerë të bllokut, prej të cilëve marrin më shumë fonde se sa kontribojnë në buxhetin e BE-së, me integrimin e Ukrainës ata do të japin më shumë kontribute se sa do të marrin. Diplomatët ukrainas punuan qindra orë me anëtarët e bllokut për të marrë statusin dhe kanë shënuar shqetësimet e Gjermanisë dhe Francës dhe i kanë siguruar ata se nuk do t`i keqpërdorin pushtetet.

Por është e qartë se Gjermania nuk u beson premtimeve dhe po nxiton të ndryshojë traktatet me qëllim që të ruajë hegjemoninë e saj brenda BE-së ndërsa Kievi është në nevojë dhe premton gjithçka që vjen nga Brukseli. Ky qëllim do të shkaktojë përplasje me Poloninë, vendi kryesor i gravitetit të ri brenda BE-së (ajo është ekonomia më e madhe e Evropës Lindore dhe e gjashta në BE): sepse ajo, gjithashtu, do të kontribojë më shumë në BE se sa do të marrë kur të anëtarësohet Ukraina. Madje çarja ka filluar: sepse vizioni aktual i qeverisë polake për të ardhmen e Evropës me kryeministër Mateusz Morawiecki është një “union i fortë, i barabartë, dhe i kombeve të lirë”. Ky vizion bie ndesh me integrimin e Parisit dhe Berlinit dhe strukturat supranacionale të BE-së dhe globalizmit neoliberal. Vizionin polak e ndajnë shumë shtete në Evropën Lindore (Hungaria etj.). 

Përplasjet, rrjeshimisht, do të shtohen mes vendeve të Evropës Lindore dhe Brukselit dhe Uashingtonit, sidomos nëse fronti i ri luftarak në vendet baltike përparohet nga Uashingtoni: sepse do të përkeqësohet gjendja ekonomike dhe shoqërore.       

Perditesuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA