...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjykata e Posaçme e Apelit mbylli shqyrtimin për Belerin; vendimi më 25 qershor

Gjatë takimit me eurodeputetët [sot] u bë e ditur se po ushtrohet trysni që Fredi Beleri të marrë pjesë në betim, por edhe se po punohet për lirimin sa më të shpejtë të tij nga burgu

Ylli Përmeti

11/06/2024 - 20:11

Gjykata e Posaçme e Apelit, pas dëgjimit të palëve, mbylli të premten seancën për Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin dhe njoftoi se seanca për dhënien e vendimit do të mbahet më 25 Qershor.

Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri është dënuar nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë me 2 vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe Pandeli Kokaveshi me 1 vit e 6 muaj burg dhe të dy kishin kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit rrëzimin e vendimit dhe shpalljen e tyre të pafajshëm.

Gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme të Apelit, avokatja mbrojtëse e Fredi Belerit ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares kryesuese, Daniela Shirka, pasi sipas saj nuk ishte e zgjedhur me short, por prokurori Adnand Xholi deklaroi se është një kërkesë që nuk e pezullon procesin gjyqësor dhe seanca duhet të vijonte.

Gjithashtu mbrojtja e Belerit ka parashtruar në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit se provat për blerjen e votave nga Fredi Beleri janë të manipuluara nga policia dhe se dëshmitari nuk ka qenë në Himarë por në Vlorë.

“Ne kemi prova që dëshmitari ka qenë në Vlorë dhe jo në Himarë, por gjykata bazohet në vendim te konkluzioni i prokurorisë", tha avokatja.

Por prokurori Adnan Xholi deklaroi në seancë se nga provat vërtetohet që Beleri i ka ofruar para dëshmitarit, të cilat do ti ofroheshin më pas personave që ai do të gjente për t`i blerë votën. Sipas prokurorit Adnan Xholi pretendimet se dëshmitari nuk ka qenë në Himarë, por në Vlorë janë të pambështetura në prova.

Ndërsa mbrojtja ka kërkuar në përfundim të parashtrimeve të saj hedhjen poshtë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë, prokurori ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit. Fredi Beleri, i pranishëm në seancë, tha se ishte i pafajshëm dhe se ishte arrestuar me urdhër të kryeministrit Rama.

Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës Fredi Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, nën dyshimet për blerje votash. Ai ishte kandidati i opozitës në Himarë, dhe doli fitues me një diferencë të ngushtë votash ndaj kandidatit socialist Jorgo Goro.

Rasti i zotit Beleri, kandidat i opozitës në zgjedhjet vendore dhe përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron interesat e minoritetit grek, ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Fillimisht Athina zyrtare kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin. Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t'i mundësuar atij këtë gjë, janë hedhur poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë dhe se ata nuk mund të ndërhyjnë.

Aktualisht Bashkia e Himarës drejtohet nga një nga nënkryetarët e caktuar nga Këshilli i Bashkisë pasi edhe kryetari në detyrë Jorgo Goro është arrestuar nga Prokuroria e Posaçme nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuara ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme në bregdet.

Ndërkohë, pak ditë më parë Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet i Greqisë për Parlamentin Evropian i përfshirë në listën e Partisë “Demokracia e re” të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Legjislacioni shqiptar parashikon se një kryetar bashkie nuk mund të mbajë funksione të tjera dhe nëse Fredi Beleri shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme e Apelit ai duhet të zgjedhë mes postit të eurodeputetit dhe kryetarit të Bashkisë së Himarës.

Por nëse dhe Apeli do të konfirmojë dënimin e tij, atëherë ai praktikisht humbet mundësinë për të drejtuar Bashkinë e Himarës, ku do të duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme. Kostituimi i zotit Beleri si eurodeputet do t’i nënshtrohet rregullave të Bashkimit Evropian. Sipas rregullores së Parlamentit Evropian, përpara se të mblidhet seanca e parë e Parlamentit, bëhet verifikimi i eurodeputetëve të rinj.

Rregullorja e Parlamentit Evropian, përcakton se pasi rezultatet e zgjedhjeve të jenë zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlamentin Evropian dhe presidenti, nga ana tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për të shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës.

Zoti Beleri bën dallim nga eurodeputetët e tjerë pasi është zgjedhur në Greqi, një vend i Bashkimit Evropian dhe vuan dënimin me burg në Shqipëri, një vend që nuk është anëtar i BE-së. Komisioni i Çështjeve Ligjore të Parlamentit Evropian kontrollon kredencialet e reja të deputetëve të Parlamentit Evropian duke marrë vendime bazuar në informacionin që ofrojnë shtetet anëtare. Voa

Athina ushtron trysni ndaj Tiranës për lirimin e Belerit – shtypi grek

Duke iu përgjigjur gazetarëve ministri i jashtëm grek, Jorgo Jerapetritis, shkruan Kathimerini, tha se “nuk ishte veçanërisht optimist për eurodeputetin e zgjedhur Fredis Beleris, i cili në rrethana normale duhet të betohet mes 16 dhe 19 korrikut në Parlamentin Evropian. “Mendoj se është një kërkesë absolute demokratike, kërkesa e shtetit ligjor që deputetët e zgjedhur të kenë mundësinë të bëjnë betimin”, duke theksuar megjithatë se “të dhënat e deritanishme nuk janë veçanërisht inkurajuese”. Siç tha ai, “fakti që ai u ndalua përkohësisht dhe sot është dënuar në shkallë të parë për këto krime, që ngrenë dyshime serioze në lidhje me shtetin ligjor, është një çështje aspak e kënaqshme”. Ai nënvizoi megjithatë se “nuk është e mundur që një eurodeputeti të zgjedhur t`i ndalohet marrja e detyrës”. Megjithatë, dje kryeministri grek pati një bisedë telefonike me Belerin”.

Sipas gazetës në fjalë, “ministri` jashtëm grek tha se “jam njoftuar se telefonatës së Miçotakit i parapriu një provë, pasi drejtoria e burgut nuk donte të jepej përshtypja i sabotimit të bisedës. Ndërsa dje, që herët në mëngjes, rojet e zotit Beleri ishin më miqësorë se zakonisht”.

Megjithatë, disa orë më pas gazeta “Protothema” raportoi se “gjatë takimit me eurodeputetët [sot] u bë e ditur se po ushtrohet trysni që Fredi Beleri të marrë pjesë në betim, por edhe se po punohet për lirimin sa më të shpejtë të tij nga burgu”.

Në anët tona ndërkohë qarkullon “thashethemi” se Rama po përgatit një “dosje” për Belerin që t`ia tregojë institucioneve evropiane në rast se Athina vazhdon me trysni dhe kërkesën për lirimin e tij. Mbetet e paqartë, gjithashtu, ana ligjore se si një shtetas shqiptar (por i shpallur si “grek”) kandidon në dy vende njëherësh dhe ana tjetër se ai është dënuar si në Greqi ashtu dhe në Shqipëri për vepra penale ndërsa Miçotaqi dhe gjithë klasa politike greke bën sikur nuk i sheh ato të vërteta.    

Dëftues është fakti se “lëmshin” mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk e ndihmojnë as “analistët” e “spikatur” të medias që financohet nga perëndimorët, sepse media jonë dihet se punëson “analistë” të shitur kokë e këmbë te partitë politike dhe ushtron censurë të tmerrshme. Për shembull, Balkan Insight, pjesë e rrjetit hetimor të BIRN-it, një media me “dhurues” disa shtete perëndimore, ku përfshihet dhe Komisioni Evropian, në një analizë citon disa “ekspertë” nga vendi ynë (Gjipali, Krasniqi) dhe Greqia por nuk tregon as gjeostrategjinë greke, as ndonjë lajm (p.sh. se Athina po ushtron trysni ndaj Tiranës) dhe as edhe ndonjë zgjidhje pavarësisht pyet “ekspertë” nga të dy vendet.    

Ky raport është përditësuar në datën 13 qershor

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA