...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Greqia refuzon kërkesën e NATO-s për ulje tensionesh ndërsa Turqia filloi stërvitje të madhe

Forcat detare turke filluan një stërvitje të madhe në ujërat e kontestuara të Mesdheut Lindor

Voa

04/09/2020 - 21:48

Athina mohoi një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg se Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord për "bisedime teknike" për të shmangur përplasjet ushtarake në rajon. Ky zhvillim, thonë kritikët, ul shpresat për një përparim mes tensionesh në rritje në Mesdheun lindor. Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas tha se njoftimi i shefit të NATO-s nuk korrespondonte me realitetin. Ai tha se së pari duhet të plotësohen një seri kushtesh përpara se Athina të fillojë të marrë parasysh mundësinë e bisedimeve me Ankaranë.

"Ne duam që Turqia të braktisë qëndrimin e saj provokues dhe të vijë në tryezën e bisedimeve me interesa të sinqertë. Negociatat nuk mund të mbahen nën kërcënime dhe shantazhe”, tha zëdhënësi.

Shoqëruar nga një flotë anijesh luftarake turke, anija e studimore “Oruc Reis” ka tërhequr vëmendjen e të gjithë flotës greke, e cila ka vëzhguar çdo lëvizje të saj prej më shumë se një muaji, e gatshme të hakmerret nëse siç ka thënë qeveria greke, do të ketë përpjekje për të kryer shpime në atë pjesë të tabanit të detit që Greqia pretendon si të vetën.

Turqia i ka hedhur poshtë pretendimet, duke thënë se ishujt nuk gëzojnë të drejta në atë që njihet si një zonë ekonomike ekskluzive. Ankaraja përkundrazi beson se ka të drejtën të eksplorojë tabanin e detit në Mesdheut lindor të pasur me naftë dhe minerale pas një marrëveshje të detare të arritur së fundmi me Libinë.

Tensionet midis Turqisë dhe Greqisë janë rritur ditët e fundit ndërsa forcat detare turke filluan një stërvitje të madhe në ujërat e kontestuara të Mesdheut Lindor. Mosmarrëveshjet e reja midis dy vendeve historikisht rivale, morën shkas nga zbulimi i gazit natyror në atë pjesë të detit për të cilën të dyja palët kanë pretendime. Asnjëra palë nuk duket e gatshme të tërhiqet dhe kjo ka rritur shqetësimet për një përplasje ushtarake midis dy anëtareve të NATO-s. Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Turqia nisi një stërvitje detare dy-javore në ujërat e diskutueshme të Mesdheut Lindor, duke rritur tensionet, në një kohë kur Greqia ka tashmë një prani të madhe detare në zonë. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzon Greqinë për banditizëm dhe pirateri.

Stërvitja detare turke është një tjetër episod në shkallëzimin e tensioneve dypalëshe, që vjen si përgjigje e stacionimit nga Greqia të ushtarëve në një ishull grek afër territorit turk. Ankaraja paralajmëroi se durimi i saj me Athinën po arrin kulmin.

"Ju lutem mos u përpiqni të vini në provë Turqinë. Ne jemi një komb i çmendur. Askush nuk e di se si mund të përgjigjemi një ditë. Ne mund të presim, mund të durojmë. Por një ditë përgjigja jonë do të jetë shumë e ashpër", tha Mesut Cavin, këshilltar i presidentit turk.

Zbulimi i rezervave të mëdha të gazit natyror në Mesdheun lindor u bë shkak për një rivalitet për energjinë duke sjellë rizgjimin e mosmarrëveshjeve të vjetra territoriale midis dy anëtareve të NATO-s.

Greqia akuzon Turqinë se po bën kërkime për gaz në ujërat e saj sovrane dhe ka dislokuar forca ushtarake në rajon.

Dy vendet kanë pretendime mbi pjesë të gjera detare mes tyre.

Franca dislokoi anije luftarake në mbështetje të aleatit të saj të BE-së, Greqisë, një lëvizje që shihet si përpjekje për të forcuar Athinën kundër rivalit të saj shumë më të fuqishëm turk. Por kjo gjithashtu rrit rrezikun e konfrontimit.

“Mund të ketë konfrontim, qoftë edhe për shkak të numrit të madh të anijeve dhe avionëve luftarakë shoqërues që gjenden në zonë. Është si një përqëndrim forcash, gjithçka mund të ndodhë”, thotë Cengiz Aktar, i Universitetit të Athinës.

Videoja e publikuar nga ushtria turke që tregon njërin prej avionëve të saj duke ndjekur një avion luftarak grek tregon se sa afër përballjes janë palët në këtë ndeshje gjithnjë e më të rrezikshme që tani shtrihet përtej energjisë.

“Bëhet fjalë për prestigjin, statusin e tyre, pozitën e tyre të ardhshme në rendin e ri botëror. Dhe për këtë arsye, të dyja palët kanë sinjalizuar se janë të gatshme dhe të afta ta rrisin nivelin e konfrontimit, siç po ndodh tani", thotë Serhat Guvenc, i Universitetit Kadir Has.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas paralajmëroi se Turqia dhe Greqia janë afër humnerës së përplasjes, pas dështimit të përpjekjeve të tij për të zbutur tensionet.

Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara kanë arritur të shmangin konfrontimet turko-greke, por analistët thonë se kësaj here Uashingtoni është në mes të zgjedhjeve presidenciale dhe nuk ka gjasa të ndërhyjë.

Ndërkohë, dy aleatet e NATO-s duken të gatshme të përballen ushtarakisht, pa ndonjë strategji të qartë se si mund të dalin nga kjo gjendje.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA