Irani paralajmëron hakmarrje ndaj Ukrainës ndërsa përplasja rrezikon të shndërrohet në luftë botërore
Sulmi i Ukrainës fundjavën e kaluar ndaj një anijeje mallrash iraniane në Detin Kaspik ka nxjerrë në pah lidhjet midis dy luftërave ku janë përfshirë këto vende, duke rritur acarimet mes tyre dhe rrezikun e një përballjeje më të drejtpërdrejtë
New York Times
28/07/2026 - 18:53
Ukraina deklaroi se anija bartte pajisje ushtarake midis Iranit dhe Rusisë. Zyrtarët iranianë thanë se bëhej fjalë për një anije tregtare dhe akuzuan Ukrainën se kishte vrarë një marinar në sulm.
Zyrtarët iranianë kërcënuan me hakmarrje përmes një serie deklaratash publike dhe komentesh për mediat. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, reagoi duke i thënë Iranit se “nuk ka asnjë bazë të paraqitet si viktimë”, duke pasur parasysh mbështetjen ushtarake që Teherani i ka dhënë Rusisë në luftën kundër Ukrainës.
Ja si u kthyen Irani dhe Ukraina në kundërshtarë përmes dy luftërave të ndara dhe pse përplasja e tyre e tërthortë tani rrezikon të shndërrohet në një luftë të drejtpërdrejtë.
Rusia goditi Ukrainën me dronë iranianë
Irani dhe Rusia kanë pasur një marrëdhënie të afërt ushtarake për dekada. Shembulli më i dukshëm i kohëve të fundit janë dronët sulmues me rreze të gjatë që Teherani i ka furnizuar Moskës.
Rusia nisi përdorimin masiv të këtyre dronëve kundër Ukrainës vetëm disa muaj pas pushtimit të saj në vitin 2022, me pasoja vdekjeprurëse. Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar gjithashtu Iranin se i ka furnizuar Rusisë me raketa balistike me rreze të shkurtër. Ukraina ka deklaruar se Irani ka dërguar edhe instruktorë për të ndihmuar ushtrinë ruse në përdorimin e sistemeve të dronëve, një pretendim që Teherani e ka mohuar.
Përdorimi i gjerë i dronëve, veçanërisht i modeleve relativisht të lira iraniane, ndryshoi mënyrën se si zhvillohet lufta në Ukrainë dhe ndikoi më gjerë në mënyrën se si ushtritë moderne vlerësojnë nevojat e tyre ushtarake. Kjo e detyroi Ukrainën të zhvillojë teknologji kundër dronëve, të cilat analistët thonë se tashmë rivalizojnë sistemet tradicionale të mbrojtjes ajrore.
Ukraina ndihmoi në mbrojtjen e shteteve të Gjirit kundër Iranit
Katër vjet pasi Rusia përdori gjerësisht dronët iranianë kundër Ukrainës, Kievi tani ka sjellë në Lindjen e Mesme përvojën e fituar në luftën kundër tyre.
Pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli filluan luftën me Iranin në fund të shkurtit, ushtria iraniane nisi valë sulmesh me dronë kundër objektivave ushtarake amerikane në vendet e Gjirit. Ukraina e pa këtë si një mundësi për të shfaqur dhe eksportuar sistemet e saj me kosto të ulët kundër dronëve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në mars se më shumë se 200 ekspertë ushtarakë ukrainas ishin dërguar në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në mbrojtjen e aleatëve kundër dronëve iranianë. (“Ne nuk duam që ky terror i regjimit iranian kundër fqinjëve të tij të ketë sukses”), deklaroi ai gjatë një fjalimi në Parlamentin britanik.
Ukraina ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje mbrojtjeje me Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të fokusuara në përballimin e kërcënimeve nga raketat dhe dronët iranianë.
A po bashkohen këto luftëra?
Ukraina gjithnjë e më shumë e ka paraqitur luftën e saj me Rusinë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme si të ndërlidhura, duke thënë se Irani dhe Rusia po ndihmojnë njëra-tjetrën në konfliktet përkatëse.
Të shtunën, Zelenski deklaroi se shërbimet ukrainase të inteligjencës kishin mbledhur prova se Rusia po i siguronte Iranit të dhëna nga satelitët për mbikëqyrjen e vendeve të Gjirit dhe bazave ushtarake amerikane në rajon, duke ndihmuar Teheranin në planifikimin dhe kryerjen e sulmeve. Ai tha se Ukraina do t’ua dorëzonte këto të dhëna aleatëve perëndimorë.
Po atë ditë, Ukraina goditi anijen iraniane në Detin Kaspik, duke e akuzuar se transportonte ngarkesë ushtarake midis Iranit dhe Rusisë, pa sqaruar drejtimin e transportit. Ky sulm shihet si sinjali më i qartë deri tani se përplasja e gjatë e tërthortë midis Kievit dhe Teheranit mund të kalojë në një përballje më të drejtpërdrejtë.
Zelenski mund ta përdorë gjithashtu këtë sulm për të bindur presidentin amerikan Donald Trump se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë të njëjtin kundërshtar dhe për të kërkuar lidhje më të ngushta ushtarake. Lideri ukrainas pritet të takohet me Trump të martën pasdite dhe ka thënë se përparësia e tij kryesore është sigurimi i më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Reagimi i Iranit
Në një postim në platformën X, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi e lidhi drejtpërdrejt sulmin ndaj anijes me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Ai e quajti sulmin: “një shkelje të hapur të Kartës së OKB-së” dhe pretendoi se ishte kryer: “me urdhër të Izraelit për të tërhequr Evropën në luftën e tij”.
Araghchi shtoi se kishte biseduar me diplomaten e lartë të Bashkimit Evropian dhe ministrin e Jashtëm rus për t’u bërë të qartë se sulmi: “NUK MUND TË MBETET PA PËRGJIGJE.”
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 7 reads



