Italia udhëheq përpjekjen për të dobësuar rregullat e gjelbra në buxhetin prej 2 trilionë eurosh të BE-së
Roma ka paralajmëruar se kriteret mjedisore të Brukselit do të përjashtojnë sektorë të tërë nga fondet e Bashkimit Evropian
Politico
14/07/2026 - 07:06
Italia po udhëheq një përpjekje për të dobësuar rregullat mjedisore në buxhetin e ardhshëm prej 2 trilionë eurosh të Bashkimit Evropian, duke hapur një përçarje të re që rrezikon t`i ndërlikojë edhe më tej bisedimet tashmë të vështira, sipas tre diplomatëve të BE-së të njohur me diskutimet.
Qeveria e djathtë e Romës po përpiqet të rrëzojë një rregull të ri, i cili synon të ndalojë shtetet të shpenzojnë fondet e BE-së në mënyra që dëmtojnë mjedisin. Sipas saj, këto plane do të lënë sektorë të tërë pa financim dhe do të minojnë përpjekjet për të forcuar konkurrueshmërinë e bllokut përballë Shteteve të Bashkuara.
“Në një botë ku Shtetet e Bashkuara dhe Kina po mobilizojnë miliarda e miliarda për të forcuar industrinë dhe konkurrueshmërinë e tyre, Evropa nuk mund të bëhet pengesë për industrinë dhe konkurrueshmërinë e vet”, deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni para parlamentit kombëtar në qershor.
Italia po synon parimin «Mos shkakto dëm të rëndësishëm» (Do No Significant Harm – DNSH) në projektbuxhetin e Komisionit Evropian për periudhën 2028–2034. Ky propozim ka shkaktuar reagime nga qeveri, grupe biznesi dhe Partia Popullore Evropiane (PPE).
Kritikët druhen se këto udhëzime të reja do të përjashtojnë në praktikë industrinë e rëndë dhe projektet e mëdha ndërtimore nga fondet e BE-së për arsye mjedisore, duke sjellë humbje vendesh pune dhe çindustrializim.
Në një grup udhëzimesh të miratuara të hënën për të plotësuar propozimin e saj buxhetor, Komisioni përjashtoi shpenzimet për mbrojtjen, sigurinë dhe gjendjet e krizës – përfshirë mbështetjen për rajonet kufitare me Rusinë – nga zbatimi i parimit DNSH, për të qetësuar kryeqytetet evropiane që kishin kërkuar këto përjashtime.
Në projektudhëzimet, të siguruara nga POLITICO, Komisioni propozoi gjithashtu përjashtimin e projekteve të cilat quhen me “interes publik mbizotërues”, duke hapur mundësinë që qendrat e të dhënave ose projektet për lëndët e para kritike të përfitojnë trajtim më të dobishëm.
Por kjo nuk mjafton për Italinë, e cila synon t'i dobësojë edhe më tej këto rregulla gjatë bisedimeve, tha një diplomat i BE-së. Si shenjë pakënaqësie, muajin e kaluar Roma abstenoi në votimin për tekstin më të gjerë që përfshin parimin DNSH, thanë tre diplomatët.
Kjo krijon tensione mes Italisë – një kritike e kahershme e rregullave të gjelbra të BE-së – dhe një grupi vendesh nordike si Danimarka dhe Finlanda, të cilat kërkojnë të kundërtën. “Nuk mund ta përballojmë që buxheti i BE-së të përdoret për të shkatërruar planetin tonë; prandaj nevojiten mbrojtje të forta”, deklaroi Rasmus Nordqvist, eurodeputeti që udhëheq negociatat buxhetore për Grupin e Gjelbër.
Italia është e vendosur ta zbusë edhe më tej parimin DNSH kur 27 qeveritë e BE-së të diskutojnë udhëzimet e Komisionit në vjeshtë, me synimin për të arritur një marrëveshje deri në fund të vitit, tha një nga diplomatët.
Shpenzoni në mënyrë të gjelbër
Komisioni Evropian e paraqiti parimin «Mos shkakto dëm të rëndësishëm» në vitin 2020, në kulmin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, për të orientuar më shumë fonde drejt synimeve klimatike.
Qëllimi është të parandalohet përdorimi i fondeve të BE-së për veprimtari që dëmtojnë gjashtë objektivat mjedisore të Unionit, përfshirë heqjen dorë nga lëndët djegëse fosile dhe rikthimin e natyrës.
Megjithatë, atni ky parim zbatohet vetëm për programe të caktuara të BE-së dhe jo si një kërkesë e përgjithshme për të gjithë buxhetin. Ai parashikon gjithashtu disa përjashtime, duke u dhënë shteteve anëtare më shumë liri në zbatimin e tij.
Për të forcuar zbatimin, Komisioni propozoi që të gjitha shpenzimet e BE-së – me përjashtim të mbrojtjes, rasteve të krizës, përfshirë luftën, dhe projekteve me «interes publik mbizotërues» – t'i nënshtrohen parimit DNSH në buxhetin 2028–2034, të paraqitur korrikun e kaluar.
Një shkresë tjetër shoqëruese, gjithashtu i siguruar nga POLITICO, rendit veprimtaritë që do të përjashtohen, përfshirë elektrifikimin, infrastrukturën hapësinore dhe djegësit e mbetjeve të rrezikshme.
Mbështetësit thonë se rregulla më të gjera mjedisore do të mbyllin zbrazëtitë dhe do ta ndihmojnë Bashkimin Evropian të arrijë synimet klimatike.
«Parimi "Mos shkakto dëm të rëndësishëm" është për të siguruar që paratë publike të mbështesin – dhe jo të dëmtojnë – synimet e vetë Evropës», tha Faustine Bas-Defossez, drejtoreshë për natyrën, shëndetin dhe mjedisin në Byronë Evropiane të Mjedisit.
«Çdo përjashtim i ri e dobëson këtë mbrojtje, shpërdoron paratë e taksapaguesve dhe e bën Evropën më pak të aftë për t'u përballur me krizat klimatike, të natyrës dhe të ndotjes», shtoi ajo.
Por propozimi i Komisionit ka hasur edhe në kundërshtimin e fortë të Partisë Popullore Evropiane (PPE), grupi më i fuqishëm në Parlamentin Evropian, i cili muajin e kaluar propozoi zbutjen e kushtit DNSH në buxhet.
«Parimet duhet të zbatohen aty ku janë të realizueshme dhe të përshtatshme, pa krijuar barrë shtesë dhe detyrime raportimi për shtetet anëtare dhe, mbi të gjitha, për përfituesit përfundimtarë», tha eurodeputeti i PPE-së, Janusz Lewandowski, i cili udhëhoqi propozimin.
Parlamenti Evropian pritet ta shqyrtuar parimin DNSH në kuadër të bisedimeve për buxhetin me qeveritë e BE-së gjatë vitit 2027.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 5 reads



