...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Izrael, ne do t`ju shpallim kriminelë lufte përpara botës - Erdogani

Edhe vendet perëndimore ishin përgjegjëse për më shumë se 7,700 njerëz

Voa

29/10/2023 - 06:58

Izraeli tha të shtunën se kishte thirrur për konsultime diplomatët e vet në Turqi lidhur me “deklaratat gjithnjë e më të ashpra” që vinin nga Ankaraja zyrtare.

Njoftimi erdhi pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha përpara një turme të madhe që protestonte në Stamboll, se qeveria e tij po përgatitej të ngrejë akuza për krime lufte ndaj Izraelit, për shkak të veprimeve në Rripin e Gazës.

Për arsye sigurie, Izraeli i largoi më herët diplomatët nga Turqia. Ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen u shpreh në rrjetin X, platforma e njohur më parë si Twitter, se diplomatët tani po urdhëroheshin të tërhiqeshin për të shyrtuar marrëdhëniet diplomatike mes Turqisë dhe Izraelit.

Deklarata e zotit Cohen sugjeron një lëvizje që mund të ndërpresë lidhjet diplomatike të sapo rivendosura midis dy vendeve. Deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka patur reagime nga Ministria e Jashtme e Turqisë.

Më herët të shtunën, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha gjatë një tubimi pro-palestinez, ku merrnin pjesë qindra mijëra protestues, se Ankaraja po planifikonte ta akuzonte zyrtarisht Izraelin për krime lufte në Rripin e Gazës.

“Izrael, ne do t’ju shpallim kriminelë lufte përpara botës”, u shpreh zoti Erdogan pa sqaruar mekanizmat që synon të përdorë ose se çfarë do të nënkuptojë ky veprim. “Ne po bëjmë përgatitjet dhe do ta shpallim Izraelin si (vend) kriminel lufte përpara botës”.

Zyra e presidentit nuk e komentoi deklaratën e zotit Erdogan.

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale është shprehur se një hetim i hapur në vitin 2021, lidhur me dyshimet për krime në territoret palestineze, mund t’i analizojë pretendimet për krime lufte gjatë konfliktit aktual mes Izraelit dhe Hamasit.

Në fjalimin e tij përpara protestuesve në Stamboll, Presidenti Erdogan tha se edhe vendet perëndimore ishin përgjegjëse për më shumë se 7,700 njerëz, që Ministria e Shëndetësisë së Gazës që udhëhiqet nga Hamasi, tha se janë vrarë gjatë tre javëve të fundit.

Ai e akuzoi Perëndimin se kishte dështuar të ndalonte bombardimet intensive të Izraelit pasi militantët e Hamasit, grupi që sundon territorin palestinez, thyen kufirin duke vrarë dhe rrëmbyer njerëz në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor.

Në fillim të konfliktit, zoti Erdogan u bëri thirrje të dy palëve që t’u japin fund armiqësive. Turqia tha se ishte përfshirë në bisedime në përpjekje për të siguruar lirimin e më shumë se 220 pengjeve të marra nga Hamasi. Nuk është e qartë nëse këto përpjekje po japin ndonjë rezultat.

Por ditët e fundit, udhëheqësi turk i ka shtuar kritikat ndaj Izraelit. Zoti Erdogan i ka cilësuar si “gjenocid” veprimet e Izraelit në Gaza, duke pohuar se grupi militant Hamas, i konsideruar si organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, është një grup që lufton për çlirimin e vendit dhe popullit të tij.

Në të kaluarën, Turqia ka pritur disa udhëheqës të Hamasit. Vitin e kaluar Turqia dhe Izraeli emëruan ambasadorë në vendet e tyre respektive, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet diplomatike pas vite tensionesh.

Në vitin 2018, Turqia tërhoqi ambasadorin e saj në Izrael dhe dëboi ambasadorin e Izraelit në shenjë proteste kundër vrasjes së dhjetëra palestinezëve nga izraelitët në kufirin me Gazën.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA