...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kina shpreson në fitoren e opozitës në Tajvan dhe dëbimin e amerikanëve nga ishulli

SHBA-ja do të autorizojë një përplasje ushtarake të drejtëpërdrejtë me Kinën nëse Pekini sulmonte Tajvanin

SHJ

09/04/2023 - 13:08

Tajvani zhvillon zgjedhje presidenciale për nëntë muaj dhe Kina shpreson të fitojë partia Kuomintang e opozitës. Kjo është arsyeja se pse ajo ka ulur shfaqjen ushtarake rreth ishullit, thonë studiuesit. Gjatë luftës civile të vitit 1949 partia komuniste kineze e mundi atë dhe e dëboi në ishull por dakadat e fundit ajo është kthyer shpresa e saj, sepse në zgjedhjet bashkiake të fundit ajo fitoi mbështetje të madhe. 

Ushtria kineze ‘gati për të luftuar’ pas manovrave afër Tajvanit

Ushtria e Kinës tha sot se është "gati për të luftuar" pas përfundimit të stërvitjeve luftarake tre ditore në shkallë të gjerë rreth Tajvanit. Pjesë e stërvitjes ishte edhe simulimi i izolimit të ishullit të pavarur. Stërvitjet ushtarake ishin një përgjigje ndaj udhëtimit të presidentes tajvaneze në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar.

Manovrat kishin për qëllim të dërgonin një paralajmërim për ishullin e pavarur të Tajvanit, që Kina thotë se është pjesë e saj, tha sot ushtria e Kinës.

“Trupat luftarake janë gati të luftojnë në çdo kohë dhe mund të luftojnë në çdo kohë për të goditur me vendosmëri çdo formë të “pavarësisë së Tajvanit” dhe përpjekjet për ndërhyrje të huaja”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë kineze.

Manovrat ishin të ngjashme me ato të kryera nga Kina gushtin e kaluar, kur ajo qëlloi me raketa mbi objektiva në detin përreth Tajvanit në shenjë hakmarrje për vizitën e kryetares së atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan, por ato kanë qenë të një shkalle më të vogël dhe kanë shkaktuar pengesa më të vogla.

Ekspertët ushtarakë thonë se stërvitjet shërbejnë si kërcënim dhe si një mundësi për trupat kineze, që të praktikojnë mbylljen e Tajvanit, duke bllokuar trafikun detar dhe ajror, një opsion i rëndësishëm strategjik që ushtria kineze mund ta zbatojë në rast se vendos ta marrë me forcë Tajvanin.

Veprimet kineze pasojnë misionin delikat të Presidentes Tsai Ing-wen për të forcuar aleancat diplomatike të Tajvanit në Amerikën Qendrore dhe me Shtetet e Bashkuara. Ajo e mbylli udhëtimin e saj në Shtetet e Bashkuara me një takim me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, në Kaliforni. Një delegacion i Kongresit amerikan u takua gjithashtu me zonjën Tsai gjatë fundjavës në Tajvan pas kthimit të saj në vend.

Kina iu përgjigj menjëherë takimit të Presidentes Tsai me zotin McCarthy, duke vendosur ndalim udhëtimi dhe sanksione financiare ndaj atyre që u takuan me Presidenten e Tajvanit në Shtetet e Bashkuara dhe me rritjen e aktivitetit ushtarak rreth ishullit gjatë fundjavës.

Ushtria e Tajvanit tha se Kina dërgoi dhjetëra avionë luftarakë dhe 11 luftanije drejt Tajvanit në kuadër të stërvitjes së saj ushtarake që filloi të shtunën.

Banorët e kryeqytetit të Tajvanit, Taipei, thanë se nuk janë të frikësuar nga mundësia e një sulmi ushtarak nga Kina.

"Shumica e njerëzve ndoshta nuk kanë frikë sepse mendojnë se Kina nuk do të fillojë një luftë kundër Tajvanit. Ata nuk kanë nevojë të nisin një luftë sepse mund të përdorin metoda të tjera për t’i bërë trysni Tajvanit. Përdorimi i forcës ushtarake në sytë e vendeve të tjera nuk do të shihej si një shenjë e fuqisë së një vendi. Një sulm i një vendi të fuqishëm ndaj një vendi të vogël dhe më të dobët mund të shihet si një akt frikësimi", thotë ish-ushtari tajvanez Tang Pao-hsing.

Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen denoncoi manovrat e ushtrisë kineze, duke thënë se Tajvani do të vazhdojë të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera, pasi ishulli përballet me "ekspansionizmin e vazhdueshëm autoritar" të Kinës.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë shpesh se Shtetet e Bashkuara do të mbronin Tajvanin ushtarakisht nëse Kina do ta sulmonte atë, megjithëse Uashingtoni ka konfirmuar se politika e tij e “Një Kine” të vetme nuk ka ndryshuar.

Politika e një "Një Kine", e pranon se Pekini e konsideron Tajvanin si pjesë të Kinës. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë statusin e Tajvanit të pazgjidhur dhe dërgojnë ndihma ushtarake në ishullin e vetëqeverisur për ta ndihmuar atë të mbrohet. Voa

Blinkeni paralajmëron sulm kinez dhe krizë botërore ekonomike

Nëse Kina sulmon ushtarakisht Tajvanin, kjo do të kishte pasoja globale, ka paralajmëruar edhe Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Blinkeni ka thënë për grupin mediatik gjerman, Funke Mediengruppe, se kjo mund të çojë në një krizë ekonomike globale. Tajvani ka një rol kyç në tregtinë globale. "Çdo ditë kalojnë me anije rreth 50% e tregtisë botërore në rrugën detare të Tajvanit. Të paktën 70% e gjysmëpërçuesve prodhohen në Tajvan", ka thënë Blinken.

Kryediplomati amerikan ka premtuar ndihmë të mëtejshme me armë nga SHBA për republikën e vogël demokratike të ishullit. Në të njëjtën kohë ai ka kërkuar nga qeveria e Pekinit një zgjidhje të konfliktit me marrëveshje. "Duke iu referuar marrëdhënies me Kinën ne kemi qëndrimin që të gjitha dallimet të zgjidhen në mënyrë paqësore." Blinken theksoi, se SHBA i mbetet politikës "Një Kinë".

Në shenjë proteste ndaj vizitës së presidentes së Tajvanit, Tsai-Ing-ven në SHBA, Kina vendosi sanksione kundër organizatorëve të aktiviteteve me presidenten tajvaneze, Tsai. Sipas Ministrisë së Jashtme në Pekin, edhe Biblioteka Presidenciale, Ronald Reagan ndëshkohet me sanksione, sepse aty u zhvillua një takim i Tsait me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy. Sanksione u vendosën edhe kundër Institutit Hudson, që e vlerësoi me medalje presidenten e Tajvanit. DW

Kongresmeni amerikan i hedh barut zjarrit

SHBA-ja do të autorizojë një përplasje ushtarake të drejtëpërdrejtë me Kinën nëse Pekini sulmonte Tajvanin, tha Michael McCaul, anëtar i Komitetit të Dhomës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe përfaqësues republikan i Teksasit. Ai foli nga Tajpei ku shkoi për një vizitë tre-ditore bashkë me një dërgatë dypartiake.

Ai sqaroi se ligjbërësit amerikanë do të pajtohen që të dërgojnë ushtarë në Tajvan nëse populli amerikan mbështet nismën. “Nëse Kina komuniste ndërhynte në Tajvan, me siguri do të jetë në tryezë dhe diçka që do të diskutohet me Kongresin dhe popullin amerikan. Nëse populli amerikan na mbështet, Kongresi do ta ndjek”, tha ai, ndërsa përmendi dhe qendrimin tjetër se “lufta është zgjedhja e fundit”.

Ai sqaroi dhe qëllimin e dërgatës amerikane, se ajo synonte “përfrikësimin e Kinës”. Ai sqaroi, gjithashtu, se ai po bënte ç`ishte e mundur për të përshpejtuar furnzimin me armë të Tajvanit duke këshilluar vendet e tjerë që kanë armë se ata mund t`i shesin ato në ishull me lejen e qeverisë amerikane.       

Kina dërgon avion luftarakë pranë Tajvanit pas takimeve në SHBA të Presidentes Ing-wen

Kina dërgoi anije dhe avionë luftarakë drejt Tajvanit të shtunën, njoftuan autoritetet tajvaneze, në shenjë hakmarrjeje për takimin ndërmjet Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe presidentes së ishullit të vetëqeverisur të Tajvanit, për të cilin Pekini thotë se është territor kinez.

Ushtria kineze njoftoi fillimin e patrullimit ushtarak tre-ditor, si një paralajmërim për tajvanezët që duan ta bëjnë të përhershme pavarësinë de facto të ishullit.

Të shtunën, tetë anije luftarake dhe 42 avionë u zbuluan pranë Tajvanit. 29 prej tyre fluturuan përgjatë vijës së ngushtricës që ndaj ishullin nga Kina, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit.

Ushtria kineze nuk dha asnjë sinjal nëse patrullimet mund të përfshijnë përsëritjen e stërvitjeve të mëparshme si lëshimi i raketave në det, çfarë patën shkaktuar ndëprerjen e tansportit ajror dhe detar.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, së bashku me disa ligjvënës të tjerë, u takuan të enjten në Bibliotekën Presidenciale Ronald Reagan në Kaliforni, me presidenten e Tajvanit Tsai Ing-wen, për të treguar mbështetje ndaj ishullit përballë kërcënimeve nga Kina.

Pekini u përgjigj të premten duke vendosur ndalim udhëtimi dhe sanksione financiare kundër grupeve dhe individëve amerikanë të lidhur me vizitën e Presidentes Tsai në Shtetet e Bashkuara.

Tajvani u nda nga Kina në vitin 1949 pas luftës civile. Partia Komuniste që udhëheq Kinën thotë se ishulli është territor kinez dhe ka paralajmëruar edhe marrjen me forcë nëse është e nevojshme.

Pekini pretendon se kontakti me autoritetet e huaja e inkurajon Tajvanin që kërkon formalisht pavarësinë, një hap që sipas udhëheqjes kineze mund të shkaktojë luftë. Voa

Përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA