...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kisingeri: Uashingtoni` pamatur me anëtarësimin e Ukrainës në Nato

Uashingtoni dhe Stoltenbergu i “mbyllën derën” Zeleknskit për t`u anëtarësuar në Nato pikërisht dinën kur Putini nënshkroi traktatet për pranimin e katër rajoneve të Ukrainës ndërsa i treguan fushëbetejën për vazhdimin e luftës

SHJ

01/10/2022 - 09:53

Uashingtoni dhe Stoltenbergu i “mbyllën derën” Zeleknskit për t`u anëtarësuar në Nato pikërisht dinën kur Putini nënshkroi traktatet për pranimin e katër rajoneve të Ukrainës ndërsa i treguan fushëbetejën për vazhdimin e luftës. Gjatë nënshkrimit të traktateve në Moskë për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, Zelenski parashtroi kërkesën (fast-tract) për t`u anëtarësuar në Nato dhe në BE. Hamendësisht, për të mbrojtur pjesën tjetër të Ukrainës që i ka mbetur. Por kreu i Nato-s, Stoltenbergu, iu përgjigj Zelenskit se megjithëse dyert e Nato-s mbeten të hapura për çdo demokraci në Evropë “vendimet tona janë të njëzëshme”! Pak orë më pas u përgjigj dhe Shtëpia e Bardhë me të njëjtën gjuhë: se SHBA-ja është e angazhuar me politikën e “dyerve të hapura” për Nato-n por tani nuk është koha. “Pikërisht tani, qendrimi ynë është se rruga më e mirë për ne për të mbështetur Ukrainën është përmes praktikës, mbështetje në terren, dhe se procesi në Bruksel duhet të kapet në një kohë tjetër” tha zëdhënësi i saj.

Një “goditje“ tjetër për Ukrainën pasoi nga ish-sekretari i shtetit amerikan Henri Kisniger: ai tha për Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë se përpjekjet e Uashingtonit për të përfshirë Ukrainën në Nato pas rrënimit të Bashkimit Sovjetik nuk ishin të matura. Sipas tij Uashingtoni u përpoq të përfshinte padallim gjithë ish-anëtarët e bllokut sovjet nën ombrellën e tij pas rënies së murit të Berlinit, dhe se gjithë rajoni mes Evropës qendrore dhe kufirit rus u hap për rindërtim. “Nga këndvështrimi rus, SHBA-ja atëherë u përpoq të integronte gjithë rajonin, pa dallim, në një sistem të drejtuar nga Amerika” duke hequr “rripin e sigurisë” ruse; kjo nuk ishte politikë e mençur amerikane për të përfshirë Ukrainën në Nato.

Ndërsa ai nuk beson se mund të arrihet paqe me Putinin, perëndimi, sipas tij, “duhet të kërkojë një mundësi për një angazhim që garanton lirinë e Ukrainës” dhe ta mbajë atë pjesë të sistemit evropian. Ai beson se Rusia në një farë mënyre e ka humbur luftën sepse aftësia e saj për të kërcënuar Evropën me sulme konvencionale, e cila e gëzonte për dekada ose qoftë edhe shekuj, “tani është kapërcyer në mënyrë të dukshme”. Por pavarësisht këtij fakti, ai tha se herët a vonë Perëndimi dhe Rusia duhet të angazhohen në dialog, ndoshta në nivel jozyrtar ose kërkimor (exploratory), sepse në një “mjedis bërthamor” ky përfundim parapëlqehet ndaj “vendimit të fushëbetejës”.

Më herët (në gusht) Kisingeri paralajmëroi se SHBA-ja e gjente veten “në buzë të luftës me Rusinë dhe Kinën mbi çështje që ajo pjesërisht krijoi” duke refuzuar diplomacinë tradicionale meqë ajo ka kërkuar të “konvertonte ose dënonte bashkëfolësit se sa të depërtonte mendimin e tyre”. Ai pati një qendrim më të drejtëpërdrejtë në maj kur tha se Ukraina duhet të përgatitësh që të lëshonte ca territor për Rusinë me qëllim që të arrinte një marrëveshje paqeje. Në atë kohë ai kishte në mendje Krimenë. Ky qendrim shkaktoi revoltë të fortë në Kiev.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA