Kronologjia e krizës Ukrainë-Rusi-Perëndim: largimi i ambasadorëve sinjalizon Luftën e Ftohtë
Luftimet janë shtuar javët e fundit në Ukrainën lindore, ku forcat qeveritare luftojnë me separatistët e mbështetur nga Rusia në një konflikt shtatë-vjeçar që Kievi thotë se ka vrarë 14,000 njerëz
Voa
15/04/2021 - 08:11
Rusia dhe Ukraina zhvilluan të mërkurën stërvitje të njëkohshme ushtarake ndërsa ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të NATO-s filluan diskutimet emergjente mbi grumbullimin e trupave ruse pranë kufirit ukrainas.
Uashingtoni dhe NATO-ja janë alarmuar nga grumbullimi i madh i trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krime, gadishulli që Moska aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
Dy anije luftarake të SHBA pritet të mbërrijnë në Detin e Zi këtë javë.
Rusia, e cila tha se lëvizja detare e SHBA është një provokim jo miqësor dhe paralajmëroi Uashingtonin të qëndrojë larg Krimesë dhe bregdetit të saj të Detit të Zi, ka thënë se grumbullimi i trupave është një stërvitje ushtarake e shpejtë tre javore për të provuar gatishmërinë luftarake në përgjigje të asaj që ajo e quan sjellje kërcënuese nga ana e NATO-s. Ajo ka thënë që stërvitja do të përfundojë brenda dy javësh.
Në prag të mbërritjes së anijeve luftarake të SHBA, marina ruse filloi të mërkurën një stërvitje në Detin e Zi, me manovra që përfshijnë qitje ndaj objektivave tokësore dhe ajrorë. Stërvitja vjen një ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i bëri thirrje Moskës që t'i japë fund grumbullimit të trupave.
Në Ukrainë, forcat e armatosura provuan të zmbrapsnin një sulm tankesh dhe këmbësorie afër kufirit të Krimesë së aneksuar, ndërsa ministri i saj i mbrojtjes, Andrii Taran, u tha parlamentarëve evropianë në Bruksel se Rusia po përgatitet të depozitojë armë bërthamore në Krime.
Taran nuk dha asnjë provë për pohimin e tij por tha se Rusia po grumbullon 110,000 trupa në kufirin me Ukrainës, në 56 grupe taktike me madhësi batalioni, duke cituar burimet e zbulimit.
Shtohen luftimet në Ukrainën lindore
Luftimet janë shtuar javët e fundit në Ukrainën lindore, ku forcat qeveritare luftojnë me separatistët e mbështetur nga Rusia në një konflikt shtatë-vjeçar që Kievi thotë se ka vrarë 14,000 njerëz.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili zhvilloi bisedime në Bruksel me zotin Stoltenberg përpara një video konference me të 30 aleatët e NATO-s, tha se aleanca "do të diskutonte mbi veprimet agresive të Rusisë në dhe rreth Ukrainës", por pa dhënë hollësi.
Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara ranë në një pikë tjetër të ulët muajin e kaluar, kur Presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai mendonte se Vladimir Putini ishte një "vrasës".
Në një telefonatë me Presidentin Putin të martën, Presidenti Biden propozoi të mbahej një samit midis dy udhëheqësve për të trajtuar një mori çështjesh, duke përfshirë uljen e tensioneve mbi Ukrainën.
Kremlini tha të mërkurën se ishte herët për të folur për një samit të tillë në terma konkretë dhe se mbajtja e një takimi të tillë do të varej nga sjellja e ardhshme e Uashingtonit, një referencë mesa duket për sanksionet që mund të vendosin SHBA ndaj Moskës.
Rusia ka akuzuar rregullisht NATO për destabilizim të Evropës duke forcuar trupat e saj në vendet balltike dhe Poloni pas aneksimit të Krimesë nga Moska.
NATO-ja e ka mohuar pretendimin e ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu se aleanca po vendos 40,000 trupa dhe 15,000 pajisje ushtarake pranë kufijve të Rusisë, kryesisht në Detin e Zi dhe rajonet balltike.
Reagimet e Bajdinit dhe Merkelit
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti amerikan Joe Biden i bënë thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga kufiri ukrainas për të çtensionuar situatën në rajon, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane të mërkurën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s janë alarmuar nga grumbullimi i madh i trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krime, gadishullin që Moska aneksoi nga Kievi në 2014.
Gjatë telefonatës së tyre, Kancelarja Merkel dhe Presidenti Biden diskutuan zhvillimet e fundit në Ukrainën lindore dhe i bënë thirrje Rusisë që të shmangë ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm.
"Kancelarja dhe presidenti ranë dakord se Rusia duhet të zvogëlojë përforcimet e fundit të trupave në mënyrë që të çtensionojë situatën", tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert.
Në Uashington, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Presidenti Biden kishte folur me Presidentin rus Vladimir Putin të martën për të theksuar pasojat e aktiviteteve të Rusisë.
Gjenerali amerikan: Rrezik “i ulët deri mesatar” për një ndërhyrje ruse në Ukrainë
Komandanti ushtarak amerikan që po vëzhgon nga afër grumbullimin e forcave ushtarake të Rusisë në Krime dhe përgjatë kufirit të Ukrainës tha se ka vetëm një gjasë "të ulët deri mesatare" që forcat ruse në të vërtetë të fillojnë një operacion pushtimi.
Gjenerali i Forcave Ajrore Tod Wolters, komandanti i Komandës Evropiane të forcave amerikane, i bëri komentet gjatë një seance dëgjimore me ligjvënësit të enjten në Uashington, ku paralajmëroi se manovrimi i Kremlinit mbetet "shqetësim i madh".
"Kemi të bëjmë me një forcë shumë të madhe tokësore", u tha Wolters anëtarëve të Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, duke mos pranuar të jepte shifra.
"Ka gjithashtu një grumbullim të një force të konsiderueshme ajrore dhe detare", tha ai. "Vigjilenca jonë është në nivel të lartë", shtoi gjenerali amerikan.
Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe NATO kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur një shpjegim nga Rusia për lëvizjet e trupave, duke hedhur poshtë insistimin e Moskës se po grumbullonte forcat për një stërvitje ushtarake. Ata gjithashtu i kanë bërë thirrje Rusisë që të ulë tensionet, duke theksuar se ky është grumbullimi më i madh i trupave ruse që nga pushtimi dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014, pjesë e një "modeli provokimesh agresive".
Duke dëshmuar para ligjvënësve të mërkurën, zyrtarët amerikanë të zbulimit thanë se qëllimi i Rusisë mbetet i paqartë. Drejtori i CIA-s William Burns tha se Moska thjesht mund të përpiqet të sinjalizojë Ukrainën dhe Perëndimin se ata duhet të respektojnë fuqinë e saj ushtarake, por ai paralajmëroi se grumbullimi "ka arritur pikën ku gjithashtu mund të sigurojë bazën për një ndërhyrje të kufizuar ushtarake".
Zyrtarë të tjerë të lartë të inteligjencës amerikane e kanë përshkruar situatën si të pasigurt
"Rusët janë pozicionuar për t'i dhënë vetes opsione", tha Gjeneral Lejtnant Scott Berrier, shef i Agjencisë së Inteligjencës në Departamentin e Mbrojtjes, gjatë dëshmisë para ligjvënësve, përkrah drejtorit të CIA-s William Burns. "Ata në të vërtetë mund të jenë duke u përgatitur për një seri stërvitjesh që mund të fillojnë në çdo moment, ose mund të vendosin, ndoshta të bëjnë një sulm me objektiv të kufizuar", shtoi ai.
Megjithatë, Gjenerali Wolters tha të enjten se mund të ketë shenja se kërcënimi po zvogëlohet, duke iu referuar aktivitetit përgjatë linjave të furnizimit rus "që është stabilizuar".
"Mendoj se, me prirjen që unë shoh tani, gjasat e një sulmi do të fillojnë të zbehen", tha ai, kur u pyet se si situata mund të evoluojë në tre-katër javët e ardhshme.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë ndihmash ushtarake prej 125 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse "për të ndihmuar forcat e Ukrainës të ruajnë integritetin territorial të vendit".
Duke folur në Bruksel të mërkurën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se Uashingtoni do të "shqyrtonte vazhdimin" e ndihmës për Kievin në fushën e mbrojtjes''.
NATO: Bllokimi i lundrimit, pjesë e praktikave destabilizuese të Moskës
NATO-ja e akuzon Rusinë se po acaron tensionet, duke i cilësuar si “veprim i pajustifikueshëm” planet e Moskës për të kufizuar kalimet përmes Ngushticës së Kerçit në Detin e Zi.
Në një deklaratë, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu tha se kufizimet duket se janë pjesë e një “tendence më të gjerë për destabilizim”.
“Militarizimi në Krime, Detin e Zi dhe Detin Azov që vazhdon nga ana e rusëve, përbën kërcënim të vazhdueshëm për pavarësinë e Ukrainës dhe minon stabilitetin në rajon,” tha zonja Lungescu. “I bëjmë thirrje Rusisë të garantojë qasje të papenguar në portet ukrainase në Detin Azov dhe të lejojë lundrim të lirë”.
Ministria e jashtme e Ukrainës shprehu shqetësim të enjten lidhur me përpjekjet e Moskës për të mbyllur qasjen në Detin e Zi përmes Ngushticës së Kerçit. Kievi i akuzon anijet ruse se po përpiqen të mos lejojnë kalimin e anijeve ukrainase në Detin Azov.
Agjencia ruse e lajmeve RIA njoftoi të premten se Moska ka në plan të pezullojë kalimet në Detin e Zi të anijeve të huaja dhe “anijeve të tjera shtetërore” duke filluar nga java e ardhshme dhe se kufizimet do të mbeten në fuqi për afro gjashtë muaj.
Duke cituar një deklaratë të ministrisë ruse të mbrojtjes, RIA tha se kufizimet nuk prekin Ngushticën e Kerçit, një pikë kritike tranziti për tregtinë rajonale.
Ukraina kërkon bisedime katër palëshe me Rusinë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy të premten bëri thirrje për negociata paqësore katërpalëshe që do të përfshinin Presidentin rus Vladimir Putin për të ulur tensionet pas grumbullimit të trupave ruse përgjatë kufirit të saj lindor. Presidenti Zelenskiy i bëri komentet gjatë një vizite në Paris, ku ai zhvilloi bisedime me Presidentin Francez Emmanuel Macron dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel si pjesë e një përpjekje diplomatike për t’i bërë presion Rusisë për të tërhequr forcat e saj dhe për të rivendosur një armëpushim në Ukrainën lindore.
Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëri-tjetrën për përplasjet në rritje në rajonin lindor të Donbasit, ku trupat ukrainase kanë luftuar me forcat e mbështetura nga Rusia në konfliktin që Ukraina thotë se ka shkaktuar vdekjen e më shumë 14,000 njerëzve që nga viti 2014.
Ngërçi ka rritur tensionet midis Moskës dhe administratës së Presidentit amerikan Joe Biden, e cila vendosi një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë këtë javë që e shtyu Moskën të hakmerrej me masa të ngjashme të premten. Presidenti Zelenskiy bëri thirrje për bisedime në të ashtuquajturin formati 'Normandia' midis udhëheqësve të Rusisë, Gjermanisë, Francës dhe Ukrainës që nuk janë zhvilluar që nga dhjetori i vitit 2019.
"Unë jam i vendosur për një organizim të një takimi mes katër udhëheqësve", u tha zoti Zelenskiy gazetarëve.
"Çështja e situatës së sigurisë në lindje të Ukrainës dhe dhënia fund e pushtimit të territoreve tona do të duhet të zgjidhen në takimet e N4, mes katër udhëheqësve", shtoi ai.
Ukraina tha se një kërkesë e mëparshme për bisedime të drejtpërdrejta me Putinin, e bërë pas vrasjes së katër ushtarëve ukrainas në një ditë në fund të marsit, ishte injoruar. Zelenskiy po lobon gjithashtu në vendet anëtare të NATO-s për të shpejtuar anëtarësimin e Ukrainës në aleancën ushtarake, një përpjekje e cila kundërshtohet ashpër nga Moska.
I pyetur në lidhje me kërkesën e Kievit për t'u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, një këshilltar i presidentit francez tha këto çështje do të duhet të diskutoheshin kolektivisht brenda këtyre organizatave.
"Temë kryesore e bisedimeve ishte çështja se si Franca mund të ndihmojë në uljen e tensioneve", tha zyrtari.
Në një deklaratë pas takimit, Franca, Gjermania dhe Ukraina i kërkuan Rusisë që të tërhiqte trupat e saj nga kufiri me Ukrainën.
Kremlini më herët tha se luftimet në Ukrainën lindore janë pakësuar, por po e vëzhgonte situatën nga afër.
Rusia shton praninë ushtarake në Detin e Zi ndërsa Amerika anuloi dislokimin e luftanijeve
Dy anije luftarake ruse kaluan ngushticën e Bosforit për të shkuar në Detin e Zi të shtunën ndërsa 15 anije më të vogla u vendosën në det ndërsa Moska shton prezencën e saj detare në një kohë thellimi tensionesh me Perëndimin dhe Ukrainën.
Përforcimet detare ruse përkojnë me shtimin e trupave të shumta pranë kufirit me Ukrainën, gjë të cilën Moska e ka quajtur një stërvitje të përkohshme mbrojtjeje. Veprimet vijnë pas shkallëzimit të luftimeve në pjesën lindore të Ukrainës mes seperatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare ukrainase.
Marrëdhëniet e Rusisë me Uashingtonin, i cili anuloi dislokimin e dy anijeve luftarake amerikane në Detin e Zi javën e shkuar pas reagimeve të ashpra të Kremlinit, janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.
Dy anije ruse zbarkimi nga Flota Veriore e Rusisë, të afta për transportimin e tankeve, trupave dhe mjeteve të blinduara gjatë sulmeve bregdetare, kaluan përgjatë Bosforit të shtunën, sipas një gazetari të agjencisë së lajmeve Reuters i cili i kishte parë ato.
Priten më shumë përforcime nga dy anije zbarkuese nga Flota Baltike e Rusisë të cilat priten të kalojnë së shpejti ngushticën e Bosforit. Agjencia shtetërore ruse e informimit, RIA, njoftoi të shtunën se 15 anije më të vogla nga Flota Kaspike e Rusisë tashmë ishin vendosur në Detin e Zi si pjesë e një manovre ushtarake.
Shenjë tjetër e thellimit të tensioneve në rajon ishte edhe një anije me kamionë logjistikë dhe pajisje për forcat e NATO-s në Rumani që kaloi Bosforin mbrëmjen e së premtes, sipas të njëjtit gazetar të agjencisë së lajmeve Reuters.
Rusia dhe Ukraina dëbojnë nga një diplomat, ndërsa shtohen tensionet mes dy vendeve
Rusia akuzoi një diplomat ukrainas të shtunën se po përpiqej të merrte informacione të klasifikuara dhe e urdhëroi atë të largohej nga vendi deri më 22 prill, duke nxitur kështu një përgjigje të menjëhershme nga Ukraina, ndërkohë që tensionet kufitare vazhdojnë të jenë të larta.
Shërbimi rus i sigurisë (FSB) tha se Oleksandr Sosoniuk ishte ndaluar kur u përpoq të merrte informacione nga bankat që përdorin organet ruse të zbatimit të ligjit, gjatë një takimi me një shtetas rus.
Ministria e Jashtme i dha zotit Sosoniuk 72 orë kohë për t'u larguar, dhe Ukraina veproi po kështu me një diplomat rus në Kiev. Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se zoti Sosoniuk ishte mbajtur për disa orë përpara se të lejohej të kthehej në konsullatën e tij në Shën Piterburg dhe e quajti arrestimin e zotit Sosoniuk një provokim. "Ne i mohojmë plotësisht akuzat e ngritura kundër zyrtarit konsullor", tha ajo në një deklaratë.
Rusia ndalon dy bjellorusë. Një prej tyre ka edhe shtetësi amerikane
Ndërkohë shërbimi rus i sigurisë, FSB tha të shtunën se kishte ndaluar dy qytetarë bjellorusë në Rusi, për atë që tha se ishte një tentativë për grusht shteti dhe për vrasje kundër presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko.
Në bashkëpunim me KGB-në, FSB-ja ndaloi Yuri Zyankevichin, një jurist që ka shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe bjelloruse dhe analistin bjellorus, Alexander Feduta, sipas një deklarate të FSB-së.
Çekia dëbon diplomatët rusë, duke akuzuar zbulimin rus për shpërthimin e një depoje municionesh
Në një zhvillim tjetër Republika Çeke po dëbon 18 diplomatë rusë bazuar në dyshimet se shërbimet ruse të zbulimit ishin përfshirë në një shpërthim municionesh në 2014, thanë të shtunën Kryeministri Andrej Babis dhe Ministri i Jashtëm Jan Hamacek.
"Ekziston dyshimi i mirëbazuar për përfshirje të oficerëve të shërbimit rus të zbulimit (GRU), njësia 29155, në shpërthimin e depove të municioneve në zonën e Vrbetice", tha Kryeministri Babis në një konferencë të treguar drejtpërdrejt në televizion.
Disa shpërthime tronditën depon e municioneve në Vrbetice, 330 km në juglindje të Pragës, më 16 tetor 2014. Shpërthimet vranë dy punonjës të një kompanie private që po merrte me qera depon nga një organizatë ushtarake shtetërore.
Ministri Hamacek tha se 18 punonjës të ambasadës ruse të identifikuar si personel i shërbimeve sekrete do të urdhërohen të largohen nga ky vend i NATO-s brenda 48 orësh.
Agjencia e lajmeve Interfax citoi të shtunën Vladimir Dzhabarovin, nënkryetar i parë i komisionit të çështjeve ndërkombëtare të dhomës së lartë të parlamentit rus, duke thënë se pretendimet e Pragës se oficerët e zbulimit rus ishin përfshirë në shpërthimin e depos së municioneve në vitin 2014 janë absurde.
Përgjigja e Rusisë ndaj dëbimit të 18 diplomatëve duhet të jetë proporcionale, u citua zoti Dzhabarov t'i ketë thënë agjensisë ruse të lajmeve Interfax.
Moska paralajmëron hakmarrje pas dëbimit të diplomatëve nga Çekia
Republika Çeke tha të dielën se ka informuar aleatët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian në lidhje me përfshirjen e dyshuar ruse në një shpërthim depoje municionesh në vitin 2014 dhe çështja do të trajtohet të hënën në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së.
Vendi i Evropës Qendrore dëboi 18 punonjës të ambasadës ruse të shtunën për këtë çështje dhe tha se hetimet i lidhnin shërbimet ruse të zbulimit me shpërthimin, i cili la pas vetes dy të vrarë.
Kryeministri çek, Andrej Babish, tha se të 18 diplomatët, të cilët janë identifikuar se kanë punuar për shërbimet ruse të inteligjencës, kanë 48 orë afat për t’u larguar nga vendi.
Duke reaguar ndaj dëbimeve, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha për mediat ruse se "Praga është e vetëdijshme se çfarë pason lojërat e tilla”.
Rusia dëbon 20 diplomatë çekë
Në Rusi, Agjencia Shtetërore e Lajmeve RIA njoftoi se autoritetet po dëbojnë nga vendi 20 diplomatë çekë, të cilët i kanë urdhëruar të largohen deri të hënën.
Masa vjen si hakmarrje ndaj vendimit të Pragës për të dëbuar disa diplomatë rusë duke akuzuar Moskën se qëndronte pas një shpërthimi në një depo municionesh të këtij vendi. Agjensia ruse e Lajmeve RIA citonte ministrinë e Jashtme ruse.
Të dielën Shtetet e Bashkuara thanë se qëndrojnë krah Republikës Çeke lidhur me vendimin për të dëbuar diplomatët rusë.
"SHBA qëndron me Republikën Çeke në përgjigjen e saj të vendosur kundër veprimeve keqdashëse të Rusisë në tokën e çeke", shkruante zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në Twitter.
"Ne duhet të veprojmë në mënyrë të vendosur në përgjigje të veprimeve ruse që vënë në rrezik integritetin territorial, sigurinë energjitike ose infrastrukturën kritike të aleatëve dhe partnerëve tanë", tha ai.
Të dielën, Komisioni Evropian konfirmoi njoftimin e ministrit të Jashtëm çek, Jan Hamacek, se mosmarrëveshja me Rusinë do të trajtohet gjatë një video konference të ministrave të jashtëm, të planifikuar që më parë për të hënën.
Çekia: Reagimi i Rusisë më i fortë se sa pritej
Republika Çeke tha të hënën se dëbimi nga Rusia i 20 punonjësve të ambasadës Çeke në përgjigje të dëbimit nga Praga të 18 diplomatëve rusë ishte një reagim më i fortë se sa pritej dhe se qeveria do të shqyrtonte hapat e mëtejshëm.
Zyrtarët e qeverisë çeke thanë të hënën se nuk prisnin një përgjigje kaq të fortë të Rusisë ndaj masave për dëbimin e diplomatëve rusë nga Praga.
“Ata dëbuan më shumë diplomatë sesa numri i oficerëve të inteligjencës ruse që ne dëbuam. Ne prisnim një reagim sepse kështu funksionon diplomacia. Por, Republika Çeke nuk ka bërë asgjë, ne ishim viktimë e operacioneve të Rusisë. Duke marrë parasysh reagimin e fortë, ndoshta ata po tregojnë se nuk janë të kënaqur me faktin që forcat çeke të sigurisë mbyllën stacionet e Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës ruse (SVR) dhe të inteligjencës së ushtrisë ruse (GRU)”, tha Ministri i Jashtëm çek në detyrë, Jan Hamacek.
Zoti Hamacek shtoi se ai u kishte kërkuar ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian "një shprehje solidariteti" në një video konferencë të hënën.
“Kërkova nga aleatët dhe miqtë që të shprehnin solidaritet me ne. Dua të falenderoj ata që tashmë kanë folur për këtë çështje. Deklaratat kanë qenë të forta dhe inkurajuese. Kjo tregon se Republika Çeke ka aleatë, nuk është e vetme, dhe se ne do të ecim përpara me unitet”, tha ai.
Zoti Hamacek gjithashtu tha se Republika Çeke do të përqendrohej vetëm në sigurimin e vaksinave të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve, pasi vendi kishte shqyrtuar më parë mundësinë e porositjes së vaksinës ruse Sputnik V.
Qeveria Çeke ka thënë se ka dyshime të arsyeshme se dy agjentë rusë të zbulimit, të akuzuar për përfshirje në incidentin e helmimit me një agjent nervor në Britani në vitin 2018, ishin përgjegjës për shpërthimin në një depo municionesh katër vjet më parë që shkaktoi vdekjen e dy personave.
Kjo është përplasja me e madhe mes Pragës dhe Moskës pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe fundit të dominimit të tij në Evropën Lindore më 1989.
Largimi i ambasadorëve sinjalizon ndërprejen e marrëdhënieve
Ambasadori amerikan në Moskë tha të martën se do të kthehet në atdhe për konsultime – një lëvizje kjo që vjen pasi Kremlini e shtyu të largohej përkohësisht, ndërsa Uashingtoni dhe Moska po shkëmbejnë akuza.
Ambasadori John Sullivan tha në një deklaratë se do të kthehet këtë javë në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar marrëdhëniet SHBA – Rusi me zyrtarët e administratës së Presidentit Joe Biden. Ai theksoi se do të kthehej në Moskë brenda disa javësh.
“Mendoj se është e rëndësishme për mua të flas drejtpërsëdrejti me kolegët e mi të rinj në administratën Biden në Uashington, për gjendjen aktuale të marrëdhënies dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, shprehet zoti Sullivan në një deklaratë të qarkulluar nga ambasada. “Gjithashtu, nuk e kam parë familjen time prej një viti dhe kjo është një tjetër arsye për t’u kthyer në shtëpi për një vizitë”.
Largimi i Ambasadorit Sullivan vjen pasi Rusia të premten për pak sa nuk i kërkoi atij të largohej nga vendi. Rusia tha se i “sugjeroi” të ndjekë shembullin e ambasadorit rus në Uashington, i cili u thërrit për konsultime muajin e kaluar pas përshkrimit që Presidenti Biden i bëri Presidentit Putin si një “vrasës”. Rusia nuk ka caktuar një datë për rikthimin e ambasadorit Anatoly Antonov në Uashington.
Zëvendës Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha se "ne jemi në fillimet e analizimit të situatës" në lidhje me propozimin e Presidentit Biden për samitin dhe se asnjë specifikë nuk është diskutuar ende. "Një pikëpyetje e madhe është se çfarë kursi do të ndjekin Shtetet e Bashkuara", tha zoti Ryabkov, sipas njoftimeve të agjencive ruse të lajmeve.
Ndërsa sanksionet e reja amerikane kufizuan më tej mundësinë e Rusisë për të marrë hua, duke ua ndaluar institucioneve financiare amerikane të blejnë bono të qeverisë ruse direkt nga institucionet shtetërore, ato nuk synuan tregun dytësor. Administrata e Presidentit Biden e la të hapur mundësinë për lëvizje më ndëshkuese nëse do të jetë nevojshme.
Fyodor Lukyanov, një ekspert kryesor i politikës së jashtme me seli në Moskë, tha se ndërsa këshillat e Kremlinit për Ambasadorin Sullivan që të largohej për konsultime nuk arritën deri tek dëbimi, ato pasqyrojnë shqetësimin e Moskës për sanksionet e reja.
"Nëse kontaktet politike janë zvogëluar në zero dhe lidhjet ekonomike kurrë nuk kanë qenë mjaft të ngushta, pse kaq shumë njerëz në ambasada?", tha zoti Lukyanov. Ai parashikon se lidhjet do të vazhdojnë të përkeqësohen pavarësisht nga oferta e Presidentit Biden për të mbajtur një samit.
"Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të paktën ndanin një respekt të caktuar reciprok dhe një njohje të legjitimitetit politik të njëri-tjetrit dhe gjërat nuk janë më kështu", vuri në dukje zoti Lukyanov.
"Secila palë e sheh tjetrën se po shkon drejt kalbëzimit dhe se i mungon e drejta morale dhe politike për t'u sjellë ashtu siç sillet", tha ai.
Ministri ukrainas: Trupat ruse vazhdojnë të arrijnë në kufi
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të martën se Rusia së shpejti do të ketë më shumë se 120,000 trupa në kufirin me Ukrainën.
Ministri bëri thirrje për sanksione të reja ekonomike perëndimore ndaj Moskës.
Kievi, Uashingtoni dhe NATO-ja janë alarmuar nga grumbullimi i madh i trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krime, gadishullin që Moska aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
Zyrtarët perëndimorë thonë se përqendrimi i forcave tani është më i madh sesa gjatë aneksimit të Krimesë.
"Trupat ruse vazhdojnë të arrijnë në afërsi të kufijve tanë në verilindje, në lindje dhe në jug. Brenda rreth një jave, ata pritet të arrijnë një forcë të kombinuar prej mbi 120,000 trupash," tha zoti Kuleba në një konferencë shtypi në internet.
"Kjo nuk do të thotë që ata do ta ndalin grumbullimin e forcave në këto shifra," tha ministri i jashtëm, duke paralajmëruar për atë që ai e quajti paparashikueshmëri e Moskës, edhe pse, siç u shpreh ai, Ukraina nuk dëshiron konflikt me Rusinë.
Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se Rusia ka përqendruar më shumë se 150,000 trupa në kufirin me Ukrainën dhe në Krime.
Rusia ka thënë se grumbullimi i forcave është një stërvitje e shpejtë ushtarake tre javore për të provuar gatishmërinë luftarake në përgjigje të asaj që ajo e quan sjellje kërcënuese të NATO-s. Ajo ka thënë se manovrat ushtarake do të përfundojnë brenda dy javësh.
Ministri i jashtëm ukrainas ndoqi një konferencë me video me ministrat e jashtëm të BE dhe tha se "u bëri thirrje hapur kolegëve të fillojnë të shqyrtojnë një raund të ri sanksionesh ndaj sektorëve të ndryshëm ekonomikë të Rusisë".
Ai shtoi se nuk e ndjente që ministrat e BE-së të ishin të gatshëm për një veprim të tillë, por u tha atyre se sanksionet individuale ndaj zyrtarëve rusë janë të pamjaftueshme.
Moska thotë se do të hakmerret nëse Praga dëbon diplomatë të tjerë rusë
Ministria e Jashtme ruse tha të enjten se do të hakmerret ndaj çdo veprimi të Republikës Çeke ndaj personelit të ambasadës së Rusisë në Pragë.
Komentet që u transmetuan nga agjencia ruse e lajmeve RIA, pasuan kërkesën e Republikës Çeke që Moska të lejojë kthimin e 20 pjesëtarëve të personelit të ambasadës çeke të dëbuar nga Moska deri të enjten në mesditë, ose të përballet me dëbime të mëtejshme të diplomatëve të saj nga Praga.
Ministri i jashtëm çek, Jakub Kulhanek, që sapo është emëruar në këtë post, tha se Praga do të barazojë personelin në ambasadat përkatëse të vendeve nëse Rusia nuk lejon kthimin e diplomatëve çekë.
*Përditësuar 22-04-2021
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 67 reads



