...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kurti mund të shkarkohet me mocion mosbesimi në kuvend

Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar

SHJ

04/06/2023 - 19:29

Vuçiçi bisedime me serbët e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nga 9 deri më 12 qershor do të zhvillojë bisedime me serbët e Kosovës, teksa tensionet në veri të Kosovës po vazhdojnë.

Gjatë një adresimi në Beograd, Vuçiç foli shkurtimisht për situatën në Kosovë, duke falënderuar serbët në veri, që sipas tij po luftojnë për të drejtat e tyre.

“Dua t’i falënderoj ata që po luftojnë për të drejtat e tyre në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme. Është e rëndësishme që të mbahet paqja dhe të bisedohet me të gjithë”, tha Vuçiç.

Nisma e AAK-së për mocion mosbesimi mund të sigurojë shumicën në kuvend

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën, më 7 qershor, ka shprehur mendimin para mediave se veprimet e Qeverisë së Kosovës, duhet të ndodhin brenda afatit të caktuar nga partnerët perëndimorë.

Në të kundërtën, ai tha se opozita e ka numrin e domosdoshëm për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte e dobishme për gjithë spektrin politik, përshirë edhe për shumicën në pushtet. Votat janë. Opozita e ka numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin”, tha Haradinaj.

Për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë nevojiten votat e 40 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për të kaluar një mocion i tillë janë të domosdoshme së paku 61 vota të deputetëve, nga numri i përgjithshëm prej 120 deputetësh sa ka Kuvendi i Kosovës.

Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, ka 57 deputetë në Kuvend. Nga partitë opozitare, PDK-ja ka 18 deputetë, LDK-ja ka 16, ndërkaq AAK-ja ka tetë deputetë. Të tri këto parti së bashku kanë 42 deputetë, që është numër i mjaftueshëm për të nisur një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit.

Grupi parlamentar multietnik ka tetë deputetë, ndërkaq 13 të tjerë janë pa grup parlamentar, ku bëjnë pesë edhe nëntë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ka edhe deputetë që janë pjesë e shumicës parlamentare dhe jashtë saj, që mund të votojnë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Por, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se realisht partitë opozitare së bashku kanë rreth 40 vota dhe ato nuk duhet të përqendrohen tash në “taktizimet e vogla politike”.

Ajo thotë se kryeministri Kurti duhet të reflektojë dhe të koordinojë hapat e mëtejmë me partnerët perëndimorë.

“PDK-ja do të përdorë të gjitha instrumentet politike dhe parlamentare për t’ia pamundësuar kryeministrit [Kurti] rrënimin e të ardhmes euroatlantike të Kosovës”, thotë ajo, pa saktësuar se a do ta mbështesë PDK-ja një mocion eventual mosbesimi ndaj Qeverisë.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se situata, në rrethanat aktuale, nuk është në interes të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Pozita e opozitës është shumë e shkurtër në kërkesën që ka iniciuar ish-kryeministri Haradianj, si kryetar i AAK-së. Është një numër i caktuar i deputetëve që mund të shkaktojnë mocion, por që mocioni përfundon me debat dhe pa sukses. LDK-ja nuk është e interesuar të hyjë në një mocion pa sukses”, thekson Haziri.

Por, Arton Demhasaj nga Lëvizja Çohu, thotë se nisma e AAK-së për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, megjithatë, nuk është bërë kot. Sipas tij, situata të ngjashme, kur partitë opozitare kanë deklaruar se nuk e përkrahin një mocion, kanë ndodhur edhe më parë, deri në ditën kur mocioni ka hyrë në Kuvend.

“Pra, nuk e pranojnë paraprakisht. Mbase aktualisht janë duke e shikuar situatën momentale, se deri ku mund të shkojë Qeveria dhe a po reflekton ajo ose jo ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë. Nëse ka reflektim, atëherë edhe mund të mos ketë mocion dhe të mos mblidhen nënshkrimet formale të nevojshme. Por, në rast se Qeveria nuk reflekton dhe nuk e respekton afatin që e kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë, atëherë mocioni e merr seriozitetin, mblidhen nënshkrimet dhe shpejt mund të shkojë edhe në Kuvend.

Kurti pranon sfidën amerikane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi të mërkurën se ka sfida në marrëdhëniet me dy të dërguarit atë amerikan dhe evropian, Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak, lidhur me situatën në veri të vendit, por nuk la të kuptohet se do të veprojë në bazë të kërkesave të tyre për uljen e tensioneve në zonë.

I kritikuar ashpër nga diplomatët perëndimorë për mungesë të bashkërendimit lidhur me veprimet në veri të Kosovës, kryeministri Kurti tha sot se nuk beson që gjërat mund të zgjidhen me trysni.

“Kam qenë konstruktiv, i përkushtuar, kreativ dhe jam që të gjitha këto, por nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash, ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur që do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët evropianë dhe amerikanë, por marrëdhëniet tona bilaterale me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyeshme”, u tha ai gazetarëve gjatë një veprimtarie në Mitrovicë.

Kryeministri Kurti tha se është në favor të zgjedhjeve të reja në komunat veriore, por siç tha, pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit.

Sundimi i ligjit tha ai nënkupton vënien para drejtësisë të përgjegjësve për sulmet ndaj forcave paqeruajtëse të NATO-s, policisë së Kosovës dhe gazetarëve që po mbulonin zhvillimet në veri, ku protestat e qytetarëve serbë të Kosovës, që po vazhdojnë që nga 26 maji, u përshkuan me dhunë të hënën e kaluar.

“Këto grupe kriminale duhet të përballen me drejtësinë për krimet dhe shkeljet që kanë bërë, prej djegies së veturave e te plagosjet me armë zjarri, shok-bomba e granata dore”, tha kryeministri Kurti duke shtuar se “në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimit të të gjitha trazirave të dhunshme, mund të kemi zvogëlim të pranisë së policisë nëpër ndërtesa komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer e demokratik për zgjedhjet e parakohshme, sepse jemi të vetëdijshëm që dalja ka qenë shumë e ulët herën e kaluar”.

I pyetur nga gazetarët mbi kërkesat e diplomatëve perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Kurti tha se Kosova po tregohet e vëmendshme dhe e kujdesshme meqë kërkesa ka të bëjë me marrëdhëniet e saj me Serbinë.

“Kur Shtetet e Bashkuara në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe kërkojnë diçka prej nesh, nuk kemi mëdyshje të themi po. Mirëpo, kur i dërguari amerikan kërkon diçka që ka të bëjë me marrëdhënien tonë me Serbinë, ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm e të kujdesshëm, por natyrisht gjithnjë bashkëbisedues, konstruktiv e të përkushtuar”, tha ai.

Më herët gjatë ditës presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Kosova është e gatshme për zgjedhje të reja në komunat veriore, nëse komuniteti serb që është shumicë në to nënshkruan peticion me kërkesë të tillë, gjë që do të siguronte pjesëmarrjen e tij në zgjedhje.

Eskobari përsërit qendrimin e tij nga Beogradi 

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i bëri thirrje sërish Kosovës të tërheq njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat e tyre në veriun e banuar me shumice serbe, ndërsa Beogradit të ushtrojë ndikimin e tij për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja në zonë, pa kushte.

Ai i bëri këto komente në një takim me gazetarë në Beograd ku qëndroi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak në kuadër të përpjekjeve për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Tensionet pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë për të dërguar në zyrat komunale në veri kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe.

“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth tyre dhe protestuesit duhet të largohen. Për më tepër, nëse ka zgjedhje të reja dhe ne shpresojmë që do të ketë, duam që serbët të marrin pjesë në to pa kushte. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se do ta përdor ndikimin e tij për t’i bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Të dy diplomatët shkuan në Beograd pas vizitës në Prishtinë, në të cilën nuk qenë në gjendje të njoftonin ndonjë përparim për uljen e tensioneve në veri.

Zoti Escobar mohoi të ketë caktuar ndonjë afat lidhur me kërkesat për uljen e tensioneve në veri, por sërish tha se të premten ai dhe zoti Lajçak do t’u raportojnë shefave të tyre për vizitën në të dyja vendet.

I dërguari amerikan tha se palët duhet të punojnë për zbatimin e marrëveshjes së arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Thjeshtë po them një fakt, Asociacioni është një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës, është në marrëveshjen e Brukselit, është në përfundimet e Këshillit të Evropës, është në marrëveshjen e Ohrit. Prandaj nuk është një marrëveshje ndërmjet Kurtit dhe Serbisë, është një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu që nëse në një pikë Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin evropian, do të duhet ta themelojë Asociacionin. Pra do të ndodhë por çështja është se a do të ndodhë me këtë qeveri apo me një të ardhshme”, tha zoti Escobar.

I pyetur për ndikimin e mundshëm rus në zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, zoti Escobar tha se Rusia përfiton nga përçarjet brenda Evropës dhe nuk është e interesuar të shohë zgjerimin e Bashkimit Evropian.

“Ajo që po ndodh në Kosovë tani është një problem i kahershëm, i pazgjidhur mes grupeve të ndryshme. Kjo ishte para krizës aktuale në Ukrainë. Kriza në Ukrainë e bën më të rëndësishme mundësinë për ta zgjidhur atë. Por nuk po nxitet tërësisht nga Rusia”, tha zoti Escobar.

Ndërsa vazhdon agresioni rus në Ukrainë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duan zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë.

Kurti dhe Sveçla rrezikojnë të shpallen “non grata” nga SHBA

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë duke shqyrtuar dy faza të masave kundër Kosovës nëse ajo nuk përmbush detyrimet dhe përshkallëzon situatën në veri, duke përfshirë edhe sanksionet kundër kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Faza e parë:

Ngrirja e fondeve nga BE-ja.

Ngrirja e procesit të liberalizimit të vizave.

Ngrirja e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Ngrirja e fondeve amerikane.

Ngrirja e programeve për FSK-në.

Faza e dytë:

Qëndrimi pasiv ndaj fushatës serbe për çnjohje.

Riorganizimi i pranisë ushtarake ndërkombëtare, reduktim serioz i kontingjentit amerikan.

Përjashtimi i Kosovës nga disa organizata ndërkombëtare.

Masat parashohin edhe sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Sveçla, përfshi këtu edhe shpalljen e tyre “non grata”, nëse përshkallëzohen tensionet, “me justifikimin se ato përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

dokument thuhet se “komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një tjetër krizë prapa linjave të kontaktit me Rusinë… Me nisjen e planit franko-gjerman, ekzistonte bindja se do të lindnin probleme me palën serbe, pasi një anë kokëfortë dhe jokonstruktive.”

Sipas dokumentit, “askush nuk e priste që do të ishte Qeveria e Kosovës ajo që me veprimet e veta do të nxiste pasigurinë dhe do të nxiste krizat dhe konfliktet”.

Teksti thekson se komunitetit perëndimor nuk i ka mbetur më durim dhe kërkon “një përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës. A është apo jo partner i komunitetit transatlantik?” Aty thuhet se të jesh partner do të thotë përmbushje pa kushte të të gjitha detyrimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë do të thotë pasoja”.

Krahas kritikave ndaj qeverisë aktuale, dokumenti kritikon opozitën në Kosovë dhe i akuzon ata se “nuk e kuptojnë thellësinë e seriozitetit të situatës dhe rrezikun real për Kosovën”.

Aty shtohet se opozita duhet të dalë dhe të deklarohet qartë nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog. “Fakti që opozita nuk e bën këtë gjeneron mosbesim dhe projekton oportunizëm,” shton ai.

Së fundi, teksti thotë se “nëse Kosova dështon të përmbushë detyrimet e saj, ajo rrezikon të ardhmen e saj”.

Të pyetur nëse ata ishin në dijeni të dokumentit, një zëdhënës i Komisionin Evropian u përgjigj: “Ne nuk komentojmë për rrjedhjet e supozuara të informacionit, dhe në veçanti jo për diçka që pretendon të jetë një dokument i supozuar i një vendi të tretë në lidhje me veprimet e supozuara të BE-së.”

Lajçak çmon “gatishmërinë e Vuçiqit” për të kontribuuar në ulje të tensioneve

I dërguari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, e ka çmuar gatishmërinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për, siç ka thënë ai, të kontribuuar në gjetjen e një zgjidhjeje politike për tensionet në veri të Kosovës.

Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, qëndrojnë të mërkurën në Beograd, për të diskutuar me autoritetet atje, për rëndësinë e uljeve të tensioneve në veri të Kosovës.

“Në Beograd, Escobari dhe unë kemi pasur diskutime të gjata me presidentin Vuçiq, lidhur me situatën komplekse të serbëve në Kosovë. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme, dhe kemi nevojë urgjente për zgjidhje politike për krizën aktuale”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.

Eskobari akuzon Kurtin për mungesë bashkëpunimi dhe i shpalli ‘ultimatum’

Raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe “nuk do të ndryshojnë”, por Uashingtoni ka “ disa sfida” në raportet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kështu tha gjatë një takimi me gazetarë në Ambasadën amerikane në Prishtinë i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar”, tha Escobar.

Sipas zyrtarit amerikan, pavarësisht sfidave në raportet me kryeministrin Kurti, ai tha se “shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin, nuk do të prekin këtë sentiment”.

Zyrtari i lartë amerikan tha se pavarësisht se SHBA-ja qëndron pas Kosovës, moskoordinimi me ta për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, do të ketë pasoja për Prishtinën.

“Ne kemi thënë që të mos ndizen situatat veçse delikate dhe kishte këmbëngulje duke përdorur forcën për të futur kryetarët e rinj në ndërtesa. Jam në Qeverinë amerikane që kur kam qenë 19 vjeç, kam parë shumë Qeveri amerikane që janë larguar nga ndërtesat për shkak të vërshimeve, zjarreve, uraganeve, COVID-it, por edhe protestave dhe nuk kam parë që dikush ka vënë në pikëpyetje autoritetin e Qeverisë amerikane. Prandaj, pse këto ndërtesa, pse nën këto kushte, pse pasi ne kemi kërkuar nga ta për koordinim, edhe pse ne qëndrojmë pas tyre ata nuk pranojnë të koordinohen. Kjo na lë ne të kuptojmë se si na shohin ata ne si partner dhe kjo duhet të ketë pasoja”, theksoi Escobar.

Escobar tha se SHBA-ja është e përkushtuar për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik.

"Do të jem shumë i sinqert, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh që njerëzit mendojnë se disi ne po e drejtojmë raportin dhe angazhimin tonë me Kosovën për përfitim të Serbisë", tha Escobar.

"Dua t’ua rikujtojnë njerëzve: Serbia ishte kundër pavarësisë suaj më 2008 dhe ne vazhduam përpara, ata për vite të tëra ishin kundër fushatës sonë për njohje dhe ne vazhduam përpara, ishin kundër zgjedhjeve dhe ne i pamë ato s’i legjitime”, shtoi ai.

Escobar, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë nisur vizitën në Kosovë të hënën dhe kanë zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkaq, të martën ata janë takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani, dhe me krerët e partive opozitare. Më pas ata do të takohen dde me krerët shtetërorë në Beograd.

Zyrtarët amerikanë dhe evropianë i paraqitën Kurtit tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar: qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri dhe kthimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Dy zyrtarët po vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin, me synimin që të gjejnë një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës - Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Voa raporton se Eskobari tha të martën gjithashtu se pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës duhet të arrihet sot dhe nesër.

Ai i bëri këto komente pas takimeve me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë bashkë me të dërguarin e posaçëm evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, gjatë të cilave thanë se ulja e tensioneve, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe kthimi në tryezën e bisedimeve janë kërkesat e tyre kryesore.

Lista Serbe parashtron dy kushte për zgjedhjet

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë të hënën se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, kur t’i plotësohen dy kushte.

Ajo ka thënë se forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Duke folur për tensionet në veri, Lista Serbe ka thënë se çelësi për ulje të tensioneve është që të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe që kryetarët, që ajo i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.

Ajo e ka përmendur edhe nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, gjatë përleshjeve në Zveçan.

Ata dyshohen për “veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

“Çështjet me prioritet që duhet të zgjidhen për të shtensionuar situatën në terren, e që janë edhe kërkesa të serbëve në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’, janë: largimi i forcave speciale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti nga ndërtesat komunale në veri; kryetarët e rrejshëm që nuk kanë legjitimitet dhe ligjshmëri, të mos vijnë në këto objekte, sepse nuk i kanë zgjedhur qytetarët, dhe të lirohen të arrestuarit padrejtësisht, Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq”, thotë për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i Listë Serbe, Igor Simiq.

Petroviq dhe Obrenoviq janë arrestuar më 29 maj, kur protestuesit serbë janë përleshur me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Ata akuzohen për veprat penale: “bashkim për veprime kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit mbi rendin kushtetues të Kosovës, rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe për “sulm ndaj zyrtarëve”.

Edhe Aleksandar Arsenijeviq, nga Iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe” në Kosovë, konsideron se tërheqja e forcave speciale të Kosovës është e nevojshme përpara mbajtjes së zgjedhjeve.

“Të tërhiqen forcat speciale nga veriu, t’i kthehen përgjegjësitë popullatës vendase, të fillojë formimi i Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe dhe, ngadalë dhe gradualisht, me formimin e Asociacionit, njerëzit të kthehen në institucione. Dhe, në fund, të mbahen zgjedhjet, në të cilat do të merrte pjesë Iniciativa qytetare ‘Mbijetesa Serbe’”, thotë Arsenijeviq për Radion Evropa e Lirë.

Gjendja në veri po shkon drejt qetësimit pavarësisht kritikave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të dielën transmetuesit britanik BBC, se, nuk mund të bëjë kompromis me republikën demokratike, dhe se ndërtesat komunale në tri komunat në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë asete të Republikës së Kosovës.

Duke i komentuar tensionet e fundit në veri, Kurti ka thënë se Kosova mund ta zvogëlojë numrin e zyrtarëve policorë në ndërtesat komunale, nëse paraprakisht, ato, që ai i ka cilësuar banda - të financuara nga Beogradi - të shkojnë “ose në Serbi, ose në burgje”.

“Në këto tri komuna, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ato ndërtesa janë asete të Republikës së Kosovës. Dikur kanë qenë struktura paralele të Serbisë, por ato janë struktura ilegale, të krijuara me fonde të Beogradit zyrtar, i cili dëshiron ta destabilizojë shtetin tonë, me idenë e Beogradit për të krijuar një botë të madhe serbe. Ne e kundërshtojmë diçka të tillë”.

Kurti është pyetur edhe për qëndrimet e faktorit ndërkombëtar lidhur me vendimet e tij dhe nëse ai është i shqetësuar nga diçka e tillë. Ai ka thënë se Kosova i konsideron Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, dhe aleatët e Perëndimit si "aleatë të domosdoshëm, dhe që ua ka borxh çlirimin dhe pavarësinë". “Por, ne nuk mund t'ia dorëzojmë republikën tonë demokratike një milicie fashiste, e cila paguhet nga një autokrat në Beograd”.

Escobar: Tensionet në veri kanë qenë të shmangshme

Para Kurtit, paraprakisht për BBC-në është deklaruar dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai ka thënë se përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës, ka qenë i shmangshëm.

“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”.

Escobar ka thënë se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës, kanë hasur në rezistencë.

“Nuk ka pasur nevojë që të shkohet në ato ndërtesa. Ato nuk e kanë ndonjë vlerë reale. Ato janë kryesisht të thata tani. Kurti na ka siguruar që ata kryetarë do të ushtrojnë vetëm autoritetet administrativ, për të kryer shërbime bazike komunale”.

Escobar ka përsëritur se duhet të thyhet cikli i dhunës dhe se të dyja palët, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësi për të vepruar në atë drejtim.

“Shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar janë duke e parë këtë situatë si përbalje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por na duhet ta kujtojmë se këtu ekziston edhe një dështim për arritur pajtim etnik brenda Kosovës. Ne i kemi inkurajuar të dyja palët që të angazhohen në dialog”.

Escobar, bashkë me të dërguarin evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, më 5 dhe 6 qershor.

I pyetur se çfarë kërkon aktualisht SHBA-ja nga Kurti, Escobar ka thënë se kryeministrit të Kosovës i janë dhënë shumë porosi.

“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat, dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. 

Lexoni kronologjinë e ngjarjeve: 

Shtëpia e Bardhë dhe BE-ja kërkojnë të kundërtën e qasjes së Kurtit

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA