...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Maqedonia e V. kaloi fazën e parë të propozimit francez

Pas fazës së parë, Shkupi do të duhet të ndryshojë Kushtetutën për njohjen e pakicës bullgare në të. Ky shikohet si një proces i vështirë dhe jo lehtësisht i arritshëm për shkak të mungesës së dy të tretës së votave në parlament nga koalicioni i shumicës parlamentare.

Voa

16/07/2022 - 17:54

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi të shtunën propozimin francez që pritet t’i hapë rrugën Shkupit për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

68 ligjvënës votuan në favor të propozimit. Deputetët e opozitës maqedonase u larguan nga seanca para se të bëhej votimi. Miratimi u prit me duartrokitje në sallën e parlamentit.

Debati zgjati për tre ditë dhe u përshkua nga tensione të shpeshta midis deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe partisë nacionaliste “E Majta” nga njëra anë dhe atyre të Lidhjes Social Demokrate në pushtet, nga ana tjetër.

Opozita akuzon qeverinë për tradhëti kombëtare dhe heqje dorë nga gjuha, identiteti dhe historia kombëtare maqedonase dhe thotë se “propozimi francez synon bullgarizimin e popullit maqedonas”.

Vendimet e votuara të shtunën në parlament do t’i dërgohen qeverisë për miratim.

Pas kësaj, sipas pritjeve, Këshilli Evropian do të mbajë një konferencë të shpejtë ndërqeveritare në të cilën do t’i hapet drita e gjelbër çeljes së bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësim në BE.

Megjithatë, propozimi francez lë të kuptohet se bisedimet për Maqedoninë e Veriut do të bëhen në dy faza.

Pas fazës së parë, Shkupi do të duhet të ndryshojë Kushtetutën për njohjen e pakicës bullgare në të. Ky shikohet si një proces i vështirë dhe jo lehtësisht i arritshëm për shkak të mungesës së dy të tretës së votave në parlament nga koalicioni i shumicës parlamentare.

Përshëndetjet

Shtetet e Bashkuara përshëndetën të shtunën vendimin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut për të miratuar "propozimin francez", që i hap rrugën hapave të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Ne i kuptojmë kompromiset e vështira që përmban ky vendim, i cili njeh dhe respekton identitetin kulturor të Maqedonisë së Veriut dhe gjuhën maqedonase”, shprehet në një deklaratë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ai shton se vendimi vjen në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor dhe Evropën.

Zoti Blinken shkruante në Twitter se Shtetet e Bashkuara mbështesin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën e tyre në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Një Bashkim Evropian që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fortë dhe më i begatë”, shprehet ai në deklaratën për shtyp, duke shtuar se tani është koha për të vazhuar punën për hapat e ardhshëm.

Vendimi i Maqedonisë së Veriut u përshëndet edhe nga Bashkimi Evropian

“Urime Maqedonisë së Veriut për votimin që tani hap rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një mundësi historike. Dhe ju e shfrytëzuat atë. Një hap i madh në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje evropiane. E ardhmja juaj”, shkruante në Twitter Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se votimi “i hap rrugën mbajtjes së konferencës ndërqeveritare javën e ardhshme”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se e mirëpret “votimin e parlamentit maqedonas që u hap rrugën konferencave të para për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

“Ne duam që ju të jeni anëtarë të Bashkimit Evropian dhe do të jemi krah jush deri në fund”, shprehet Kancelari gjerman.

Një shumicë prej 68 anëtarësh në parlamentin me 120 vende votoi në favor të propozimit që kishte si synim zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë që po pengonte ecjen përpara në procesin e anëtarësimit të vendit në BE. Opozita ishte kundër dhe u larguan nga salla pa votuar.   

Hapet rruga e bisedimeve për Shqipërinë

Vendimi i parlamentit maqedonas, sjell automatikisht zhbllokimin e nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim edhe me Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë duke u shprehur në një status në Facebook se “pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marë fund”. Zoti Rama vuri në dukje se fati i bisedimeve të vendit të tij kishte qenë “për tre vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare”, duke fajësuar njëkohësisht dhe faktorët politikë vendas, të cilët sipas tij “nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman”.

Kryeministri bëri të ditur se delegacioni shqiptar do të niset që të hënën për në Bruksel, ku të nesërmen pritet organizimi i Konferencës së parë ndërqeveritare. Zoti Rama theksoi se “ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam”.

Për presidentin Ilir Meta, nisja e bisedimeve për anëtarësim “duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarës për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse”.

Ndërsa sipas ish kryeministrit Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike, nisja zyrtare e bisedimeve lidhet me “dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE-së”, nënvizoi zoti Berisha në një deklaratë.

Nënshkruhet në Sofje Protokolli midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Ministrat e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë e nënshkruan të dielën në Sofje, Protokollin e dytë midis dy vendeve fqinje përmes së cilit i mundësohet Maqedonisë së Veriut hapja e rrugës drejt negociatave me Bashkimin Evropian. Takimi vjen një ditë pas miratimit në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut të propozimit francez. Protokolli është pjesë e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë midis dy vendeve të arritur në vitin 2017.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se ky akt paraqet një shans historik që pas 17 vjetësh me status kandidat Maqedonia e Veriut fiton rastin t’i hapë që nga e marta bisedimet me BE-në me që do të pasonte fillimin e fazës së fundit të aderimit drejt BE-së.

“Shpresojmë që ky proces dypalësh i bashkëpunimit me Republikën e Bullgarisë dhe rruga e negociatave integruese me me BE-në do të mundësojnë një bashkëpunim më të ngushtë midis dy shteteve tona” tha zoti Osmani.

Ndërkohë, ministrja e jashtme bullgare Teodora Gençovska tha se është arritur përparim në të gjitha grupet sektoriale që janë pesë gjithsej në numër; Se ekspertët e Ministrisë së Jashtme bullgare janë të gasthëm të vazhdojnë punën me grupet e punës së Ministrisë së Jashtme maqedonase dhe se tani mbetet të zbatohet marrëveshja e arritur dhe për këtë, sipas saj, duhet një angazhim serioz nga të dy shtetet.

“Bullgaria, tha zonja Gençovska, është shteti që më fuqimisht e mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, teksa u uroi atyre sukses në këtë rrugë.

Megjithatë, Protokolli, përmbajtja e të clit ende nuk dihet, u tha se do të bëhej publik pas nënshkrimit të tij. Kjo do të sqaronte një sërë çështjesh të diskutuara si në qarqet politike por dhe më gjerë në Shkup lidhur me pretendimet se autoritetet maqedonase kanë bërë lëshime sa i takon gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas.

Ky lajm është përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA