Marrëveshja me Serbinë ‘e përkoshme’ – Hovenier
Kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin dhe ende nuk kemi marrë asgjë nga Brukseli.
SHJ
17/03/2023 - 08:08
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të enjten se nuk planifikon të nënshkruaj asgjë në takimin e së shtunës në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë në Beograd, në prag të takimit më 18 mars ku do të diskutohet për udhërrëfyesin e zbatimit të një plani të ofruar nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kur dikush të nënshkruajë diçka, unë do ta bëj, për këtë vendosin qytetarët por nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë”, tha presidenti serb, duke mohuar të ketë marrë ndonjë projekt të udhërrëfyesit nga Bashkimi Evropian.
“Kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin dhe ende nuk kemi marrë asgjë nga Brukseli. Nuk ka nevojë të alarmohet publiku. Kur të ketë, do të informoj publikun dhe do të vë në dukje të këqijat, ose të mirat, nëse ka të mira në diçka që është e vështirë për ne”, tha presidenti Vuçiç.
Presidenti serb tha se takimi i Ohrit nuk do të jetë ‘ditë e gjykimit’ duke nënvizuar se do të përpiqet të bëjë atë që është më e mira për Serbinë.
“Ditët e kaluara kam diskutuar se çfarë është e nevojshme për të arritur normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, e them normalizim me qëllim, dhe kur them normalizim, nuk është eufemizëm për njohjen e Kosovës, de fakto apo de jure. Për mua, normalizimi do të thotë të kemi marrëdhënie më të mira me shqiptarët se sa sot, të zgjidhim problemet e panumërta që kemi dhe të përpiqemi të jetojmë bashkë aq sa është e mundur, e nëse jo - atëherë pranë njëri-tjetrit”, tha ai, duke nënvizuar se nuk do të heq dorë nga vijat e kuqe të Serbisë kundruall Kosovës, duke iu referuar qëndrimeve të tij kundër mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Presidenti serb tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm për Serbinë, meqë ofron siguri dhe mbështetje për serbët e Kosovës.
“Nëse shqiptarët pranojnë ta formojnë Asociacionin, do të ketë gjëra që nuk janë të lehta për ne dhe nuk do ta fsheh asnjërën para qytetarëve. Por, rezultati për vendin tonë do të jetë i mirë dhe kjo është më e rëndësishmja”, tha presidenti serb.
Prishtina e cila është gjetur nën trysni ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit heziton ta bëjë këtë duke përmendur shqetësimin se ai mund të shndërrohet në një mekanizëm të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë.
Diplomatët perëndimorë e kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë duke theksuar se themelimi i Asociacionit është detyrim ligjor ndërkombëtar i Kosovës.
Marrëveshja Kosovë -Serbi, e mundshme brenda këtij viti - Eskobari
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, tha të enjten se një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mundshme brenda këtij viti.
Zoti Escobar, i cili sonte dhe nesër do të qëndrojë në Prishtinë, i bëri këto komente në përfundim të vizitës në Beograd. Takimet e Beogradit dhe Prishtinës i paraprijnë takimit të së shtunës në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Në takimin e Ohrit palët pritet të diskutojnë rrugët e zbatimit të një plani perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.
"Do të doja ta shihja marrëveshjen gjatë këtij viti kalendarik. Mendoj se kjo është plotësisht e mundur”, tha zoti Escobar.
I dërguari amerikan po ashtu tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet, çështja është kur do të ndodhë.
"Ajo që do të donim të shihnim në takimin e Ohrit, është pranimi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kur flas për këtë kërkesë, nuk është se dua të jem konfrontues, apo ta hedh si sfidë. Është fakt që Asosacioni përfshihet në Marrëveshjen e Brukselit, është pjesë e marrëveshjes së tanishme, është pjesë e përfundimeve të Këshillit Evropian, është politikë e Shteteve të Bashkuara. Pra do të ndodhë. Çështja është se sa shpejt do të ndodhë."
Zoti Escobar tha se gjendja e serbëve në Kosovë do të përmirësohej përmes themelimit të Asociacionit.
"Ata janë gjithmonë në qendër të konfrontimeve, tensioneve dhe kjo u shkakton atyre dëme psikologjike dhe dëme të tjera”, theksoi ai.
I dërguari amerikan tha se marrëveshja paraqet një nga mundësitë më të mira për rajonin, ndërsa nënvizoi se jo domosdoshmërisht do të ketë ndonjë nënshkrim marrëveshjeje në Ohër, por hapje të rrugës përpara.
“Pritjet tona janë që të dy udhëheqësit të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t'i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke e pasur të qartë se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha ai.
Përfitimet nga kjo marrëveshje, tha zoti Escobar, janë integrimi më i shpejtë ekonomik, jo vetëm i Kosovës dhe i Serbisë, por i gjithë rajonit.
Hovenier: Marrëveshja Kosovë – Serbi, nuk ka ofertë më të mirë
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të mërkurën se plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është një marrëveshje e përkohshme që siguron një ‘status quo’ më të mirë ndërmjet palëve, të cilat duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi, të cilën ai e cilësoi të jashtëzakonshme.
Ambasadori Hovenier i bëri këto komente në një takim me një grup gazetarësh në Prishtinë, në prag të bisedimeve të së shtunës në Ohër të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Dua të jem i qartë se Shtetet e Bashkuara nuk shohin të ketë një marrëveshje më të mirë në këtë kohë. Ky është një hap i rëndësishëm përpara. Është një mundësi e jashtëzakonshme që çon përpara qëndrueshmërinë rajonale dhe vendos marrëdhëniet Kosovë – Serbi në një ‘status quo’ shumë më të mirë”, tha ambasadori amerikan Hovenier.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se një nga pikat e planit nënkupton që Serbia do të pajtohej me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe për këtë arsye nuk ishte i gatshëm të nënshkruaj.
“Është një marrëveshje e përkohshme dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në pozicionin e tyre se presin një marrëveshje përfundimtare që në fund do të jetë e përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Ky është qëllimi dhe kjo marrëveshje na sjell shumë më afër”, tha ai.
Ambasadori amerikan në Prishtinë tërhoqi vëmendjen në konsensusin e gjerë perëndimorë rreth planit dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Nëse arrihet marrëveshja në Ohër atëherë tha ai, do të shihet ripërtëritja e përkushtimit amerikan për përmbushjen e këtij synimi.
Ambasadori amerikan tha se themelimi i Asociacionit të komunave e shumicë serbe është përparësi. Zoti Lajçak, tha se u ka dorëzuar autoriteteve në Kosovë 15 modele të ndryshme që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të pakicave në Evropë e që do të mund të përdoreshin gjatë hartimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kemi qenë të qartë. Nuk besojmë se është e duhur për Kosovën që të pajtohet me çfarëdo që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Që të pajtohet me diçka që nuk është në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, tha ambasadori Hovenier.
Diplomatët perëndimorë krahas diskutimeve me udhëheqësit e të dyja vendeve janë përfshirë edhe në sigurimin e një pajtimi në shkallë të gjerë brenda shoqërive të të dyja palëve, duke nxitur opozitën në Serbi dhe në Kosovë që të mbështesin procesin drejt marrëveshjes.
Kjo përmbledhje javore është përpiluar nga SHJ sipas raporteve të Voa-s në datën 17 mars 2023
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 79 reads



