...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mbi 64 për qind e amerikanëve nuk kuptojnë kur zyrtarët thonë të vërtetën

Pothuajse 70 për qind e amerikanëve thonë se qeveria federale e fsheh qëllimisht informacionin që mund ta japë pa cënuar sigurinë ndërsa 64 për qind të tjerë thonë se kur zyrtarët e zgjedhur flasin, është e vështirë të kuptosh se çfarë është dhe çfarë nuk është e vërtetë.

Voa

23/07/2019 - 18:19

Shumica e amerikanëve mendojnë se niveli i mosbesimit tek qeveria e tyre dhe tek njerëzit e tjerë në përgjithësi, pengon përpjekjet për të zgjidhur problemet me të cilat përballet shoqëria, si emigracioni, racizmi, kujdesi shëndetësor, taksat dhe e drejta e votës.

Qendra Kërkimore Pew publikoi së fundi rezultatet e një sondazhi që përfshinte mbi 10 mijë vetë.

"Shumë njerëz nuk mendojnë më se qeveria mund të jetë një forcë për të mirë ose që mund të sjellë ndryshim në jetën e tyre", citon Qendra Pew një nga pjesëmarrësit në sondazh, i cili shton se "Kjo lloj shkëputjeje dhe apatie do të çojë në një qeveri edhe më të keqe dhe më pak përfaqësuese."

Pothuajse 70 për qind e amerikanëve thonë se qeveria federale e fsheh qëllimisht informacionin që mund ta japë pa cënuar sigurinë ndërsa 64 për qind të tjerë thonë se kur zyrtarët e zgjedhur flasin, është e vështirë të kuptosh se çfarë është dhe çfarë nuk është e vërtetë.

Besimi i publikut tek qeveria, që ra së tepërmi në vitet '60 dhe '70, u rikthye disi në vitet '80 dhe në fillim të viteve 2000, sipas një sondazhi të muajit prill të Organizatës Pew.

Besimi i amerikanëve tek qeveria është tani në nivelin 17 për qind, një nivel i ulët historik.

Shumica e njerëzve të anketuar mendojnë se ky mosbesim është i justifikuar - 75 për qind e të anketuarve kanë thënë se qeveria nuk duhet të ketë besimin e publikut në një nivel më të lartë sesa e ka aktualisht.

Republikanët dhe të anketuarit me prirje republikane kishin më shumë gjasa ta lidhnin mosbesimin ndaj qeverisë me korrupsionin dhe performancën e dobët qeveritare, ndërsa homologët e tyre demokratë dhe me prirje demokrate kishin prirjen ta lidhnin marrëdhënien me qeverinë me performancën e Presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas sondazhit, besimi tek njerëzit e tjerë në përgjithësi ka rënë, por më së shumti kur hyn në mes politika. Ndërkohë që shumica i besojnë të tjerëve që "të bëjnë gjënë e duhur", siç është zbatimi i ligjit, kjo ndryshon kur është fjala për pranimin e rezultatit të zgjedhjeve, rishqyrtimi i pikëpamjeve në raport me informacionin e ri dhe një mori situatash të tjera.

Në sondazh, besimi tek të tjerët ndryshonte në bazë të racës, moshës, të të ardhurave dhe arsimit - pjesëmarrësit më të moshuar, më të pasur dhe më të arsimuar kishin nivele më të larta të besimit personal. Njerëzit e bardhë kishin nivele të larta besimi për të tjerët në 27 për qind të rasteve, më shumë se dyfishi i të anketuarve afrikano-amerikanë dhe hispanikë.

"Amerikanët që mund të ndihen të pafavorizuar kanë më pak gjasa të shprehin besim tek njerëzit e tjerë", vë në dukje Organizata Pew.

Çuditërisht, republikanët dhe demokratët kishin nivele të ngjashme të besimit personal tek të tjerët, por kishin pikëpamje të ndryshme për qeverinë - republikanët në përgjithësi shprehnin më shumë besim.

Pse ka rëndësi besimi i publikut tek qeveria? Përveç se është baza e çdo qeverie që shpall se pushteti i saj e merr forcën nga njerëzit, 64 për qind e amerikanëve thonë se besimi i ulët tek qeveria pengon reagimin e njerëzve ndaj problemeve më të mëdha që ka vendi. 70 për qind e të anketuarve mendojnë të njëjtën gjë për mosbesimin tek njerëzit e tjerë. Zgjidhjet për çështje për të cilat ka dallime partiake, si emigracioni, kujdesi shëndetësor, taksat, të drejtat e votimit dhe martesa mes njerëzve të të njëjtit seks, sipas të anketuarve, janë duke u vështirësuar.

Megjithatë, 84 për qind e pjesëmarrësve në sondazh mendonin se besimi i ulët tek qeveria federale mund të ndreqet. Në komentet e hapura, pjesëmarrësit sugjeroni zgjidhje për përmirësimin e gjendjes, si pakësimi i besnikërisë partiake dhe minimizimi i mbulimeve sensacionale në media.

"Besimi është si zamku që i lidh njerëzit bashkë. Pa të, ne bashkëpunojmë më pak me njëri-tjetrin dhe elementët që ndikojnë në cilësinë e përgjithshme të jetës sonë preken, "- komentonte një 38-vjeçar i përfshirë në në sondazh.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA