Meksika ‘kufijtë te thana’ SHBA-së: gjyqtarët do të zgjidhen nga populli
Zgjedhjen e gjyqtarëve si dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë përmes një votimi popullor
Voa
28/08/2024 - 08:51
Qeveria e Meksikës ka ngrirë marrëdhëniet me ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, tha të martën Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador, pasi ambasadorët e tyre kritikuan një reformë të propozuar gjyqësore të mbështetur nga udhëheqësi meksikan.
“Ka një pauzë”, tha Presidenti Lopez Obrador gjatë një konference shtypi, duke sqaruar se ngrirja ishte me ambasadat dhe jo me vendet. Presidenti meksikan mbështet një reformë që kërkon zgjedhjen e gjyqtarëve si dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë përmes një votimi popullor.
Një komision i dhomës së ulët të Kongresit të Meksikës e miratoi propozimin të hënën vonë, duke i hapur rrugën miratimit nga Kongresi i sapozgjedhur që merr detyrën në muajin shtator.
Përkrahësit thonë se reforma do ta forcojë demokracinë dhe do të ndihmojë në rregullimin e një sistemi, për të cilin ata argumentojnë se nuk i shërben publikut. Nga ana tjetër, kritikët thonë se reforma do të anonte gjyqësorin në favor të ekzekutivit, do të ndërpresë karrierën e gjyqtarëve dhe do t'i bëjë gjykatat më të cenueshme përballë ndikimit kriminal.
Javën e kaluar, ambasadori amerikan, Ken Salazar, e cilësoi reformën si një “rrezik të madh për funksionimin e demokracisë në Meksikë” dhe paralajmëroi për një rrezikim të mundshëm të marrëdhënieve tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. SHBA-të dhe Meksika janë partnerët më të mëdhenj tregtarë të njëra-tjetrës.
Ambasadori i Kanadasë në Meksikë, Graeme Clark, ngriti gjithashtu shqetësimin për investimet. Të martën, pas komenteve të Presidentit Lopez Obrador, ambasadori amerikan Ken Salazar postoi një notë diplomatike nga ambasada që mbante datën 23 gusht.
“Shtetet e Bashkuara e mbështesin konceptin e reformës gjyqësore në Meksikë, por kemi shqetësime domethënëse se zgjedhja e gjyqtarëve përmes votës popullore nuk do ta trajtojë as korrupsionin në gjyqësor dhe as nuk do të forcojë degën juridike të qeverisë së Meksikës”, thuhej në letrën zyrtare.
Ambasada kanadeze nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për koment. Presidenti meksikan e ka kritikuar atë që e ka cilësuar si ndërhyrje të ambasadorit Salazar në politikën e brendshme të vendit të tij.
“Si do ta lejojmë ambasadorin të japë mendimin e tij, të thotë se kjo që po bëjmë është e gabuar? Ne nuk do t'i themi të largohet nga vendi. Por që ai ta lexojë Kushtetutën tonë”.
Presidenti Lopez Obrador tha se: "pauza" do të vazhdojë derisa “të ketë konfirmim se (ambasadat) do të respektojnë pavarësinë e Meksikës".
Më vonë të martën, Ministrja e Jashtme e Meksikës, Alicia Barcena, mbështeti presidentin përmes një mesazhi të postuar në rrjetin X, duke thënë se vendimet për Meksikën merren nga meksikanët.
Ajo theksoi se marrëdhëniet me “miqtë dhe fqinjët në Amerikën e Veriut” kanë përparësi dhe mbeten “normale dhe fluide” në baza ditore. Në notën diplomatike amerikane thuhej se Shtetet e Bashkuara kishin “respektin maksimal për sovranitetin e Meksikës”.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 25 reads