...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pentagoni kërkon të shesë avionë ushtarakë në vendet europiane (Greqi etj.) si hakmarrje ndaj Turqisë për t'u mbrojtur nga Rusia

Lajmet për klientët e rinj të mundshëm përkojnë me tensionin e SHBA-së me Turqinë për avionët F-35 lidhur me planet e Ankarasë për të blerë një sistem mbrojtës të raketave ruse

Voa

06/04/2019 - 08:24

Një zyrtar i Pentagonit i tha Kongresit se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë të zgjerojnë shitjet e avionëve luftarakë F-35 të prodhuara nga Lockheed Martin Corp, në pesë vende të reja duke përfshirë Rumaninë, Greqinë dhe Poloninë, ndërsa aleatët evropianë po shtojnë mbrojtjen e tyre përballë një Rusie të fuqizuar.

Në dëshminë me shkrim të paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve dhe që u pa nga agjencia Reuters, nën-admirali Mathias Winter - kreu i zyrës së Pentagonit për avionët F-35 - tha se "klientët e ardhshëm potencialë të shitjeve ushtarake jashtë përfshijnë Singaporin, Greqinë, Rumaninë, Spanjën dhe Poloninë".

Lajmet për klientët e rinj të mundshëm përkojnë me tensionin e SHBA-së me Turqinë për avionët F-35 lidhur me planet e Ankarasë për të blerë një sistem mbrojtës të raketave ruse.

Shitjet e huaja ushtarake si ato të avionëve F-35 konsiderohen marrëveshje mes qeverive ku Pentagoni vepron si ndërmjetës midis kontraktorit të mbrojtjes dhe një qeverie të huaj.

Vende të tjera që konsiderojnë avionin F-35

Aleatë të tjerë amerikanë kanë shfaqur interes në blerjen e avionit të fshehtë, të padiktueshëm nga radarët, duke përfshirë Finlandën, Zvicrën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në dëshminë e plotë të nën-admiralit Winter, e cila do të bëhet publike të premten, thuhet se Shtetet e Bashkuara do t'i përgjigjeshin të gjitha kërkesave zyrtare për informacion rreth avionit.

Vitin e kaluar, Belgjika ishte klienti i parë i ri për avionin F-35 në vite, duke zgjedhur atë në vend të Tyfunit të kompanisë Eurofighter për të zëvendësuar avionët e vjetëruar F-16 përmes në një marrëveshjeje prej 4 miliardë dollarësh ($ 4.55 miliardë).

Nën Presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë shpalosur planin "Blini produkte Amerikane" që heq kufizimet mbi shitjet dhe inkurajon zyrtarët amerikanë të marrin një rol më të madh në rritjen e biznesit jashtë vendit për industrinë e armëve amerikane.

Në dispozicion tre modele të F-35

Lockheed, kontraktori kryesor i avionit, po zhvillon dhe ndërton tre modele të avionëve të rinj për ushtrinë amerikane dhe 10 vende të tjera që kanë nënshkruar kontrata blerjeje: Britania, Australia, Italia, Turqia, Norvegjia, Holanda, Izraeli, Japonia, Koreja e Jugut dhe Belgjika.

Shitjet e armëve të SHBA-së për qeveritë e huaja u rritën 13 për qind duke arritur në 192.3 miliardë dollarë në 30 shtator, tha Departamenti i Shtetit në nëntor.

Lockheed dorëzoi 91 avionë luftarakë F-35 në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre gjatë vitit 2018.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA