...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Politikat neoliberale gjymtojnë lindshmërinë e shoqërisë italiane

Nataliteti në Itali ka rënie rekord. Rinia ka humbur besimin tek e ardhmja. Tani po krijohet qeveria e 66 brenda 73 vitesh. Borxhet e shtetit dhe papunësia janë të larta. Gjithnjë e më pak italianë mendojnë për bambini.

DW

04/09/2019 - 15:56

Kuota e lindshmërisë prej vitesh është ndër më të ulëtat në Europë. Çfarë nuk shkon në Itali?! Sociologët vëzhgojnë, se brezat e dekadave të fundit i kanë këmbyer rolet.

Raffaella CAso, pranë Institutit Kërkimor Eurispes vëren: "Sot nuk ndihmojnë më të rinjtë të moshuarit, por anasjelltas. Gjyshërit ua kalojnë trashëgiminë në imobilje apo kursimet nga pensioni nipërve e mbesave të tyre ose u paguajnë atyre qiranë apo kopështin e fëmijëve."

Italianet lindin mesatarisht në moshën 33 vjeç, nëse ato lindin një fëmijë, ato janë më të moshuara krahasuar me europianet e tjera. Shumë gra e burra nuk i shohin më fëmijët si një bekim për jetën e tyre, por si barrë. Enrico, djali i Luisa-s: ''Jeta është mjaft e ndërlikuar mes punës, taksave dhe shpenzimeve. Ato pak orë që mbeten të lira në ditë ti do të çlodhesh, të mendosh për veten e të dalësh me miqtë. Një fëmijë të bëhet pengesë për të gjitha këto."

Enrico-s i pëlqen që është bërë dajë dhe sa herë ka mundësi viziton mbesën e vogël dhe motrën e tij. Familja është e rëndësishme për të, por jo një fëmijë i veti! 42-vjeçari preferon çdo ditë para se të nisë punën në farmaci që ta hajë drekën tek mamaja. Luisa kishte menduar një tjetër të ardhme për fëmijët e saj: ''Vërtetë të realizuar nuk e shoh as vajzën e as djalin tim. Serena ndonëse ka studiuar, çfarë merr ajo sot?! Vetëm një punë të paguar keq në një shoqëri ajrore. Shumë vite e kam mbështetur atë financiarisht. Mirë që u martua. Po Enrico?! Hiç gjë?! Edhe për të kisha përfytyruar një të ardhme ndryshe!"

Luisa është e zhgënjyer nga Italia me 66 qeveri në 74 vitet e jetës së saj. Këto qeveri kanë prodhuar shumë kriza dhe pak të ardhme për vendin - pak për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të Livias, mbesës së saj të vogël.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA