...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Populli serb proteston kundër shitjes së burimeve ekonomike tek të huajt dhe ndotjes

Vitet e fundit Serbia ka filluar të shesë burimet e saj minerare tek kompanitë e huaja, megjithë kundërshtimet e banorëve vendas

Voa

11/04/2021 - 09:59

Disa mijëra njerëz bllokuan të shtunën trafikun përpara parlamentit serb, në shenjë proteste kundër mungesës së veprimeve të qeverisë për të parandaluar ndotjen e ujit, tokës dhe ajrit nga industri të tilla si minierat.

Protestuesit, të cilët kishin shkuar në Beograd nga e gjithë Serbia, mbanin pankarta ku shkruhej: "Prisni korrupsionin dhe krimin, jo pyjet", dhe "Të rinjtë po largohen sepse nuk marrin dot frymë".

Vitet e fundit Serbia ka filluar të shesë burimet e saj minerare tek kompanitë e huaja, megjithë kundërshtimet e banorëve vendas, të cilët kanë paralajmëruar se shtimi i nxjerrjes së mineraleve mund të shkaktojë ndotje më të madhe.

Serbia, e cila në vitet 1990 kaloi nëpër një dekadë konfliktesh dhe krizash ekonomike, ka përjetuar mungesë burimesh për të luftuar ndotjen. Ndërsa kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, Serbia do të ketë nevojë për miliarda euro investime për të përmbushur standardet mjedisore të bllokut.

Aleksandar Jovanoviç, një nga udhëheqësit e protestës, u tha të pranishmëve se investitorët janë të mirëpritur, por shtoi se ata “nuk mund të helmojnë fëmijët tanë."

"Askush nga njerëzit që kanë pushtet nuk kujdeset, përveçse për të fituar para; atyre nuk u intereson ekologjia," tha për agjencinë Reuters një protestues, i cili dha vetëm emrin, Marjan.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA