Punonjësit e policisë serbe madhërojnë genocidin dhe luten për tjetër
Për njohësit e mentalitetit dërmues serb, nuk është çudi që policë dhe eprorë të tyre këndojnë këso këngësh
Adil Fetahu
03/01/2022 - 15:09
Në një objekt hotelier në Priboj (te kufiri: Serbi-Mali Zi – BH), policë dhe eprorë të tyre, të MPB të Serbisë, kanë festuar, duke vallëzuar e kënduar këngë që madhërojnë gjenocidin dhe tharrasin për gjenocid të ri.
Këtë fakt, me tekst dhe foto-inçizim (Yutube) e ka transmetuar portali “Istraga.ba”. Atë inçizim e ka postuar në profilin e tij në fejsbuk polici Marko Pantoviq, nga Drejtoria e Policisë së Pribojit. Edhe pse postimi është hequr shpejt nga fejsbuku, gazetarët e Sanxhakpress-it e kanë regjistruar e ruajtur dhe e kanë transmetuar në kanalin e tyre.
Nga inçizimi shihet e dëgjohet se si policë dhe eprorë të tyre, duke vallëzuar, këndojnë vargje të cilat madhërojnë gjenocidin dhe thërrasin për gjenocid të ri kundër Boshnjakëve:
Oj Srebrenice, tako si mi mila, dabogda se tri put ponovila!
Oj Sjenice, nova Srebrenice!
Oj Pazaru, novi Vukovaru!
Oj Fatima, gdje su ti dimije, u cetnika kod Ledenika?!
Përkthimi i përmbajtjes:
Oj Srebrenicë, aq shumë të dua, dhashtë Zoti tri herë të përsëritesh;
Oj Sjenicë, Srebrenicë e re;
O Pazar, Vukovar i ri;
Oj Fatime, ku i ke dimitë, te cetnikët në Ledenik?!
Këto vargje, bashkë me policët i kanë kënduar edhe eprorët e tyre: Vukosav Darmanoviq, zëvendës i kryeshefit të Qendrës Rajonale të Drejtorisë së Policisë Kufitare në Priboj; Marko Zhujiq, oficer i Drejtorisë Policore në Priboj; Millovin Bjelloviq, ndihmës i komandantit dhe shef i ndërrimit të policisë kufitare, Priboj.
Askush nga kompetentët në Serbi nuk ka reaguar deri më tash për këtë mënyrë të festimit të policisë. Për njohësit e mentalitetit dërmues serb, nuk është çudi që policë dhe eprorë të tyre këndojnë këso këngësh. Aq më tepër kur dihet se cili është eprori i tyre, ministër i policisë Aleksandër Vulin, megafoni dhe dora e djathtë e kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 168 reads



