...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Putini njofton fundin e një epoke: dominanca perëndimore përfundon – Rusia drejt pavarësisë ekonomike

Tani e tutje perëndimi do të humbasë “dominancën e tij botërore” politikisht dhe ekonomikisht.

SHJ

16/03/2022 - 17:37

Putini tha sot në një kumtim me drejtuesit rajonalë të Federatës Ruse se sanksionet e pashembullta ndaj vendit të tij nga SHBA-ja dhe aleatët e saj si dënim për ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, shënojnë fundin e një epoke. Sipas tij, tani e tutje perëndimi do të humbasë “dominancën e tij botërore” politikisht dhe ekonomikisht. “Miti i shtetit perëndimor i ndihmës shoqërore, për të ashtuquajturit miliarderët e artë, po thërrmohet. Gjithë planeti po paguan çmimin e ambicieve perëndimore dhe përpjekjeve të tij për të mbajtur dominancën e tij në shuarje me çdo kosto”, tha Putini.

Ai parashikoi mungesa ushqimore përgjatë gjithë botës. Ngrirja e pasurive ruse në perëndim do të minojë besimin e kombeve që kanë pasuri atje dhe do t`i bëjë ata të mendojnë dy herë përpara se t`i vendosin rezervat nën kujdesin e atyre vendeve. Sipas tij, thuajse gjysma e pasurive të Moskës “thjesht u vodh” nga perëndimi dhe elitat perëndimore i kanë kthyer vendet e tyre në “perandori mashtrimesh” ndërsa Rusia do të vazhdojë të paraqes qendrimin e saj në gjithë botën pavarësisht se çfarë thotë perëndimi.

Ndryshe nga perëndimi, Rusia, tha Putini, do të respektojë të drejtat private të pasurive të huaja dhe nuk ka plane për shtetëzimin e tyre, në përgjigje të shqetësimeve që ngriti një javë më herët qeveria ruse me propozimin e saj për të shtetëzuar pasuritë e ndërmarrjeve të huaja si përgjigje ndaj ngrirjes së pasurive ruse në perëndim. Ai udhëzoi drejtuesit rajonalë për të përshpejtuar procesin e pavarësisë ekonomike dhe njoftoi ndihmë financiare për investime që do të kontribojnë në rritjen e pavarësisë në fjalë. Në fjalët e tij disa nga çështjet kryesore:

Ukraina, e mbështetur nga SHBA-të dhe një numër vendesh evropiane, po përgatitej qëllimisht për një skenar ushtarak, një masakër të përgjakshme dhe spastrime etnike në Donbas. Sulmi masiv në Donbas dhe Krime ishte thjesht një çështje kohe. Forcat tona të Armatosura ua prishën këto plane.

Çfarë të habit me cinizmin e saj të pamasë është jo vetëm gënjeshtra e paturpshme e Kievit, deklarata e pretenduar se Rusia lëshoi raketën në Donetsk (deri këtu u shkoi mendja!), por edhe fakti që e ashtuquajtura botë perëndimore e qytetëruar, media evropiane dhe amerikane, as që e vuri re tragjedinë e Donetskut, sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Talljet shumëvjeçare ndaj banorëve të Donbasit nuk mund të duroheshin më. Dhe për t'i dhënë fund gjenocidit, Rusia njohu republikat popullore të Donbasit, nënshkroi me to marrëveshjet e miqësisë dhe ndihmës së ndërsjellë. Në bazë të këtyre marrëveshjeve, republikat iu drejtuan vendit tonë për ndihmë ushtarake për të pasqyruar agresionin. Dhe ne këtë ndihmë ua dhamë, thjesht nuk mundeshim, nuk kishim të drejtë të vepronim ndryshe.

Nëse forcat tona do të vepronin  vetëm në territorin e republikave popullore, nëse do t'i ndihmonin ato të çlironin tokën e tyre, kjo nuk do të ishte një zgjidhje përfundimtare, nuk do të kishte sjellë paqen dhe nuk do të eliminonte nga rrënjët rreziqet ndaj vendit tonë tashmë, ndaj Rusisë. Përkundrazi, rreth Donbasit dhe përgjatë kufijve të tij do të shtrihej një linjë e re fronti, do të vazhdonin goditjet dhe provokimet. Pra, konflikti i armatosur do të zgjatej pafundësisht, do të nxitej nga histeria revanshiste e regjimit të Kievit, ndërsa infrastruktura e NATO-s në Ukrainë do të zhvillohej edhe më shpejt dhe në mënyrë më agresive: ne do të ishim vendosur para faktit që armët sulmuese të Aleancës do të ishin tashmë pranë kufijve tanë. 

Sot gjithë planetit i duhet të paguajë për ambiciet e Perëndimit, për përpjekjet e tij për të ruajtur me çdo mënyrë dominimin që po i rrëshket nga duart.

Politika e frenimit, dobësimit të Rusisë, duke përfshirë izolimin ekonomik, bllokadën është një strategji afatgjatë e ndërmarrë me vetëdije.     

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA