...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qëllimi` Ramës me dhuratat ndaj Trampit: Sazanin dhe Zvërnecin

Qëllimi i qeverisë “Rama” është të përgatisë kushtet për të gëzuar mbështetje politike nga Trampi meqënse ai pritet të fitojë zgjedhjet në SHBA dhe meqënse qeveria “Rama” është një nga qeveritë më sorosiste në botë

Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)

15/03/2024 - 20:02

Koment` i Ylli Përmetit: Gjykuar nga ndryshimet gjeopolitike në nivel ndërkombëtar dhe nga karakteri i qeverisë “Rama”, zvetënimi në një shkallë të padëshmuar ndonjë herë në historinë e qeverive tona, në këtë rast nga veprimet ligjore që ka bërë për të tjetërsuar ose “kthyer në hale turistike” zonat e mbrojtura, gjasat janë se Rama ka njoftuar “oborrin” e Trampit se ka dy dhurata të vyera për të, Sazanin dhe Zvërnecin; si pasojë, Kushneri, dhëndri` Trampit, tregoi planin e tij dje për të investuar miliona dollarë por, siç thuhet, me fonde nga vendet arabe!

Me këta të fundit, dihet se Trampi ka patur lidhje të ngushta me Sauditët, dhe si pasojë, kuptohet se kush qendron pas tyre. Qëllimi i qeverisë “Rama”, rrjedhimisht, është të përgatisë kushtet për të gëzuar mbështetje politike nga Trampi meqënse ai pritet të fitojë zgjedhjet në SHBA dhe meqënse qeveria “Rama” është një nga qeveritë më sorosiste në botë. Domethënë, të zbusë retorikën anti-sorosiste të Trampit me pasuritë më të shtrenjta të popullit tonë.

Ndërsa qëllimi` Ramës ka pak gjasa të garantohet me dhurata të tilla, sepse Trampi ka një luftë të hapur me Sorosin dhe sorosistët, për jetë a vdekje, gjasat janë se ai mund të “mëshirojë” Ramën me to. Kaq do të mjaftonte për Ramën që të vazhdonte me politikat e tij rrënuese të Shqipërisë dhe veçanërisht lidhur me zonat e mbrojtura, ndaj të cilave ai ka treguar një armiqësi të paparë.

Por përpjekja e Ramës mund të dështojë, sepse politika e përgjithme e Trampit është anti-globaliste, e cila nënkupton veprimtari ekonomike në atdhe dhe jo rreth botës. Por mund edhe të ketë përjashtime. Sidoqoftë, gjasat janë se Rama do të dështojë me përpjekjen e tij dhe për arsye të tjera, të karakterit gjeopolitik dhe juridik.          

Lexo dhe dy raporte:

Zona të mbrojtura dhe qeveri e korruptuar

Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, shpalli të premten në një intervistë për Bloomberg se ka në plan të zhvillojë për resorte turistike ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit në Shqipëri, investime që duket se lidhen me vendimin kundërthënës të socialistëve shqiptarë në pushtet për të zhbërë ligjin për Zonat e Mbrojtura, në kundërshti me rekomandimet e Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për median amerikane Bloomberg, Kushner deklaroi se në zonën e Zvërnecit synon të ndërtojë dhjetëmijë njësi akomodimi turistike ndërsa në Sazan imazhet janë gati për vila dhe hotele. Kushner nuk bëri të ditur se mbi çfarë marrëveshjeje, procedure prokurimi apo kontrate do të zhvillohen këto projekte, të cilat janë në pronë publike në Shqipëri dhe nominalisht të mbrojtura nga legjislacioni mjedisor. Ajo që bëhet e ditur është që kompania e tij e investimeve mbështetet nga fonde nga vendet arabe.

Vetëm pak ditë më parë, socialistët me “opinionin” e qeverisë miratuan, pavarësisht kundërshtimeve nga Brukseli, ndryshime në ligjin Për Zonat e Mbrojtura, ndryshime të cilat efektivisht i bëjnë këto zona “të pambrojtura”. Sipas ligjit të propozuar, qeveria ka të drejtë të miratojë investime në këto zona, të cilat shtrihen përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe kanë rëndësi të madhe për biodiversitetin.

Ishulli i Sazanit është pjesë e Parkut Kombëtar Sazan Karaburun, i vetmi park tokësor dhe detar në Shqipëri. “I vetmi Parku Kombëtar Detar, ai i Karaburun-Sazan është një mrekulli e gjallë e natyrës Shqiptare. Ky park konsiderohet si shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare mes tyre kemi dhe specie të cilat i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Ekosistemi ujor/detar “Karaburun – Sazan”, i shpallur “park kombëtar detar” (kategoria II),” shkruhet në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Kjo duket se nuk e ka penguar Kushnerin të bëjë gati planet për ndërtime, gjë që duket se kanë nisur që para se ligji shqiptar, i cili teorikisht ishte një propozim i disa kryebashkiakëve socialistë përmes disa deputetëve që zakonisht nuk njihen për propozime, të bëhej publik në Tiranë.

Shqipëria është një vend i prekur nga fenomeni i kapjes së shtetit, në të cilin, ligjet nuk qeverisin një gjendje, por miratohen sipas kërkesës së një pale specifike. Ligjet me porosi konsiderohen si e kundërta e shtetit të së drejtës apo shtetit të sundimit të ligjit pasi siç vërehet edhe në këtë rast, ligjet nuk janë të barazvlefshme për të gjithë, por mund të ndryshohen sipas kërkesave specifike të një njeriu apo një grupimi të caktuar.

Pyetur nga BIRN, qeveria nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi. Reporter

Dhëndri` Trampit gatitet ta kthejë Sazanin “buqetë me…*ale” 

Kompania amerikane Affinity Partners, e sipërmarrësit amerikan Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit Donald Trump, synon të realizojë dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri, së bashku me një tjetër në Beograd, vlera e përbashkët e të cilëve mund të kalojë 1 miliard dollarët.

Sipas një artikulli të botuar sot nga Bloomberg News, kompania e investimeve e zotit Kushner me qendër në Majemi, planifikon të transformojë ishullin e Sazanit, i përdorur deri më vetëm si një baze ushtarake, në një eko-resort luksoz të markës Aman. Ai tha për Bloomberg-un, se “ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë”.

Kompania e tij Affinity kërkon gjithashtu të zhvillojë zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, duke planifikuar ndërtimin e disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila.

Për Bloomberg-un, zoti Kushner ka shpjeguar se duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, partner i tij biznesi, ai u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.

Projekti i tij i tretë në Beograd, synon transformimin e tre blloqeve të braktisura, në zemër të kryeqytetit serb, në një hotel luksoz me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1,500 rezidenca. Zona historike ka qenë e zbrazët që nga bombardimi i NATO-s në prill 1999 ndaj ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes të ish-qeverisë së atëhershme.

Zoti Kushner ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Pasi la punën e tij në qeveri, ai krijoi kompaninë Affinity Partners, e cila, sipas Bloomberg-ut, zotëron asete prej 3.1 miliardë dollarësh. Kompania pati mbështetjen e investitorëve nga vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Ai po shikon gjithashtu mundësi për të investuar në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.

Lidhur me projektet e tij në Shqipëri, Ministria shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit i tha Zërit të Amerikës se kompania e zotit Kushner ka paraqitur një aplikim pranë Agjencisë së Zhvillimit të investimeve “për një projekt turistik në ishullin e Sazanit, si shumë aplikime që bëhen nga investitorë të huaj, dhe lajmi i mirë është që tanimë turizmi ka hyrë në sektorët e interesit të investitorëve të huaj, jo vetëm të shqiptarëve. Por sipas ligjit, projekti duhet të kalojë në disa shkallë shqyrtimesh, para se të merren vendime, por gjithsesi, deri sot, një projekt i tillë nuk ka ardhur ende në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit”.

Në shpjegimin e saj, Ministria shprehet se “ka pasur edhe më parë interesime e kërkesa për zhvillim turistik në ishullin e Sazanit, çka padiskutim përkon në parim me ambicien tonë për ta kthyer ishullin në një xhevahir të kurorës së turizmit mesdhetar, por i kemi refuzuar, sepse objektivat zhvillimore të të interesuarve nuk i kemi konsideruar në perputhje me vizionin e një turizmi miqësor me mjedisin dhe natyrën, ekuilibër i domosdoshëm për Shqipërinë turistike të vizionit 2030”.

Për rastin e Zvërnecit, ministria tha se nuk ka dijeni për një projekt të tillë, duke shtuar se “çdo propozim e përpjekje për të investuar në Shqipëri është i mirësardhur. Qeveria shqiptare nuk e ka fshehur ambicien për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve cilësore në turizmin e ekselencës dhe të hotelerisë me 5 yje, me standarte ndërkombëtare. Çdo investitor serioz që vjen, për më tepër nga vende aleate strategjike të Shqipërisë siç janë edhe SHBA-të, e ka derën të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe të standarteve të larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”. Voa  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA