...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qeveria franceze merr masa kundër dhunës në familje

Sipas shifrave të qeverisë, një grua vritet çdo tre ditë në Francë nga partneri apo ish-partneri i saj

Voa

04/09/2019 - 19:39

Kryeministri francez Edouard Philippe ka paraqitur masa ndaj dhunës në familje, pas një seri vrasjesh të grave dhe zemërimit të publikut. Mbi 100 gra janë vrarë këtë vit në Francë nga bashkëshortët, partnerët apo ish-partnerët e tyre. 

Sipas shifrave të qeverisë, një grua vritet çdo tre ditë në Francë nga partneri apo ish-partneri i saj. Nganjëherë, gratë vriten pasi qëndruan me një burrë abuziv. Por, disa vriten edhe nëse largohen dhe raportojnë rrezikun tek autoritetet. I tillë ishte rasti i Julie Douib, nënë e dy fëmijëve, e cila u vra në mars nga ish-partneri i saj.

“Ajo bëri denoncim pesë – gjashtë herë. Unë vetë denoncova kërcënimet me vdekje disa herë. Na njoftuan tre ditë para vdekjes së saj, se të gjitha denoncimet ishin rrëzuar. Nuk e kuptoj pse”, thotë Lucien Douib, babai i Julie Douib.

Julie ishte viktima e 30-të e dhunës në familje këtë vit në Francë. Pas saj, 71 gra të tjera u vranë në Francë. Viktimat në rritje kanë ngjallur zemërimin e publikut që kërkon të merren masa.

Kryeministri francez Edouard Philippe njoftoi se qeveria po krijon një fond të ri për strehimin e grave që janë viktima të dhunës në familje.

“E dimë se gratë që qëndrojnë me një partner abuziv, përgjithësisht dorëzohen për shkak të mungesës së burimeve materiale dhe financiare për të jetuar me fëmijët e tyre. Do të mobilizojmë 5 milionë Euro të tjera për të krijuar 1 mijë vende akomodimi dhe strehimi emergjence. 250 strehëza emergjence do të krijohen në vitin 2020 për të siguruar sigurinë e menjëhershme. Ministria e Strehimit do të krijojë 750 të tjera nëpërmjet fondit të strehimit të përkohshëm. Kjo do të ketë prioritet gratë që largohen me fëmijët e tyre. Nuk do të jetë strehë emergjence kolektive dhe mund të rrinë nga 6 muaj deri në 1 vit”, tha Kryeministri Philippe.

Ndër masat të tjera janë programet arsimore për familjet problematike dhe angazhimi i policisë për denoncimet dhe ndëshkimin e abuzuesve.

“Kur partnerët apo ish-partnerët të marrin frymën dhe pastaj nuk ndëshkohen, jam i bindur se është e gjithë shoqëria që mbytet. Është koha t’u garantohet të gjitha grave franceze e drejta për të jetuar, me apo pa partnerët e tyre, në mënyrë që të vendoset kështu drejtësia”, tha Kryeministri Philippe.

Dhuna në familje është e pranishme në mbarë botën. Sipas një studimi të Kombeve të Bashkuara, rreth 30 mijë gra u vranë në vitin 2017 nga partnerët e tyre, kryesisht për shkak të mungesës së mbrojtjes për gratë e abuzuara.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA