...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qytetarët amerikanë dhe kinezë ndiejnë peshën e tarifave tregtare

Ndërsa po rritet ngërçi tregtar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, konsumatorët në të dyja vendet kanë filluar të ndjejnë efektet

Voa

02/06/2019 - 10:09

Ndërsa po rritet ngërçi tregtar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, konsumatorët në të dyja vendet kanë filluar të ndjejnë efektet. 

Bill Locke ka shitur biçikleta për rreth katër vjet dhe dyqani i tij po përballet për të dytën herë me rritjen e tarifave.

“Fillimisht, prodhuesit rritën çmimet. Pastaj, të njëjtën gjë bënë kompanitë shitëse, si e jona, duke rritur çmimet me sa më pak që të jetë e mundur; një rritje me nga 5% - 7%”, thotë zoti Locke.

Ai thotë se klientët duhet të blejnë biçikleta sa më shpejt të jetë e mundur, pasi çmimet do të rriten sërish.

“Do të ngrihen çmimet ndjeshëm. Çmimi bazë i një biçiklete fillonte diku tek 500 dollarë. Tani do të shkojë 600. Biçikletat më të shtrenjta sportive që ishin 1000 – 1500 dollarë, tani do të shkojnë deri në 2500. Do të ketë rritje të mëdha çmimesh në muajt që vijnë”, thotë zoti Locke.

Shumë blerës thonë se nuk janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë para.

“Nuk do të më pëlqente të shpenzoja më shumë për të njëjtin produkt që kushtonte më pak deri më tani”, thotë Gory Olvard, pronar biçiklete.

“Nuk do të doja të paguaja për shkak të tarifave apo tensioneve ekonomike. 50 apo 100 dollarë më shumë mund të më kufizonin, nëse do të doja të blija një biçikletë tjetër”, thotë Angie Lover, pronare biçiklete.

Vendosja e tarifave të reja do të ndikonte të gjithë tregun, shpjegon zoti Locke. Shumica e biçikletave që montohen në SHBA nuk janë me pjesë 100% amerikane. Skeletet e biçikletave, timonët dhe frenat prodhohen në Kinë. Fillimisht do të rriten çmimet për biçikletat e prodhuara krejtësisht në Kinë.

Zoti Locke thotë se çmimet e reja mund të largojnë klientët e rinj, duke shkaktuar humbje të mëtejshme. Në vazhdim, do të hyjë në lojë tregu i biçikletave të përdorura.

“Shumë prej biçikletave që shiten të përdorura në Uashington janë të vjedhura. Do të shtohet pra niveli i vjedhjeve, pasi shitja e tyre do të jetë më e shpejtë dhe me çmime më të larta”, thotë zoti Locke.

Ky është një tjetër shembull se si ndryshimet në një pjesë të ekonomisë mund të çojnë në pasoja të pamenduara diku tjetër, ndërkohë që lufta tregtare vazhdon.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA