...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia ‘alarmon’ Uashingtonin me satelitin bërthamor në hapësirë

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë inteligjencën me Kongresin dhe aleatët evropianë për një aftësi të re bërthamore ruse që mund të përdoret në hapësirë

Ylli Përmeti

15/02/2024 - 07:59

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë inteligjencën me Kongresin dhe aleatët evropianë për një aftësi të re bërthamore ruse që mund të përdoret në hapësirë, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje.

Kryetari republikan i Komisionit për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve i bëri thirrje administratës së Presidentit Biden të mërkurën të deklasifikojë informacionin për atë që ai e quajti një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare.

Ligjvënësi Mike Turner nuk dha detaje për natyrën e kërcënimit dhe administrata e Presidentit Biden refuzoi të jepte përgjigje. Por disa nga ligjvënësit kryesorë, përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson kërkuan të bëhet kujdes për të mos ngjallur panik.

Një këshilltar i lartë i një ligjvënësi tha, se sipas tij, kërcënimi lidhet me një armë ruse kundër-satelitore në hapësirë, për të cilën ende nuk dihet nëse është vendosur në hapësirë apo jo. Një armë e tillë mund të paraqesë rrezik të madh për satelitët amerikanë.

Këshilltari, i cili foli me kusht që të mos të identifikohet, tha se ende nuk është e qartë nëse kjo armë ruse ka kapacitet bërthamor, por shtoi se ky është burimi i frikës.

Duke folur pas deklaratës së Turner, Sullivan tha se ai po planifikonte të takohej me një grup anëtarësh të lartë të Kongresit të njohur si "Banda e Tetëve" të enjten për t`i dijësuar ata rreth çështjes, por nuk dha detaje.

"Jam pak i befasuar që kongresmeni Turner doli publikisht sot përpara një takimi mbi librat që unë të shkoja të ulem me të së bashku me profesionistët tanë të inteligjencës dhe mbrojtjes nesër," tha Sullivan.

Zoti Turner gjatë ditës së mërkurë u dërgoi një letër anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve duke thënë se komisioni ka “identifikuar një çështje urgjente për një kapacitet të huaj destabilizues ushtarak” që duhet të ndahet me të gjithë politikbërësit e Kongresit. Ai i nxiti ata të shkojnë në një dhomë të sigurtë për t’u njohur me informacionin.

Zoti Turner është njëri prej zërave që kërkon një politikë më të fuqishme kombëtare amerikane, që e ka përplasur atë me disa nga kolegët e tij republikanë që ndjekin një politikë më izoluese. Ai ka bërë thirrje për forcim të mjeteve të përgjimit të qeverisë amerikane, ndërkohë që disa republikanë dhe demokratë të vijës liberale, kanë ngritur shqetësime rreth privatësisë.

Ai po ashtu përkrah vazhdimin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë në një kohë kur çështja e sigurimit të financimit është e pasigurtë për shkak të kundërshtimit në Dhomën e Përfaqësuesve ku shumicën e përbëjnë republikanët.

Kryetari i kësaj dhome, Johnson tha se nuk është i autorizuar të zbulojë informacionin sekret. “Duam t’i sigurojmë të gjithë, se jemi në kontroll të situatës. Po punojmë dhe nuk ka nevojë për alarm,” u tha ai gazetarëve në Kapitol.

Ligjëvënësi demokrat Jim Himes, anëtar i lartë i Komisionit për Zbulimin, tha në një deklaratë se informacioni sekret është “i rëndësishëm” por “nuk ka arsye për panik.”

Komisioni i Zbulimit i Senatit deklaroi se po e përcjell situatën.

“Do të vazhdojmë ta trajtojmë me seriozitet këtë çështje dhe jemi duke diskutuar hapat e ardhshëm me administratën,” deklaruan kryetari i komisionit Senatori Mark Warner dhe Senatori Marco Rubio, nën-kryetari republikan. “Ndërkohë, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos zbuluar burimet dhe metodat që mund të jenë qenësore për t’iu ofruar Shteteve të Bashkuara një mori opsionesh për veprim”, shtuan ata.

Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit shprehën pakënaqësi me mënyrën se si zoti Turner ngriti shqetësimet e tij. Deklarata e tij duket se e zuri të papërgatitur administratën e Presidentit Biden.

Këshilltari i Presidentit për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai do të takohej të enjten, sipas një takimi të programuar ditë më parë, me ligjvënësin Turner dhe udhëheqësit e tjerë të lartë të Dhomës së Përfaqësuesve. Zoti Sullivan nuk e bëri të ditur temën e takimin dhe nuk dha detaje për deklaratën e zotit Turner.

“Do të takohem me të dhe me anëtarët e tjerë nesër,” deklaroi zoti Sullivan. “Nuk mund të them asgjë më shumë në këtë moment.”

Ai e pranoi se nuk është procedurë e zakonshme të ofrohet një takim i tillë me ligjvënësit.

“Mund të them se personalisht kam kontaktuar… (me ligjvënësit e Komisionit). Është shumë e pazakontë që një këshilltar i sigurisë kombëtare ta bëjë këtë,” tha zoti Sullivan. Ai tha se ka kontaktuar me ta në fillim të javës.

Krytari i Dhomës së Përfaëqsuesve Johnson tha se ai i ka dërguar një letër muajin e kaluar Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar takim me presidentin për të diskutuar “çështjen serioze të sigurisë kombëtare që është sekrete.” Ai tha se takimi me zotin Sullivan të enjten është në përgjigje të kërkesës së tij. 

Zyrtarët amerikanë reagojnë pas alarmit të ligjvënësit për kërcënimin e sigurisë

Shtëpia e Bardhë, krahas zyrtarëve të tjerë të lartë, po përpiqen të ofrojnë garanci për publikun amerikan pas paralajmërimeve të një ligjvënësi të rëndësishëm rreth “një kërcënimi serioz kombëtar të sigurisë” ndaj Shteteve të Bashkuara.

Në një veprim të pazakontë, që befasoi disa nga kolegët e tij në Kongres, Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Mike Turner, i bëri thirrje publike Presidentit Joe Biden të deklasifikojë informacionet e zbulimit rreth kërcënimit, të cilin ai nuk e emërton, në mënyrë që publiku amerikan dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara të dalin me një kundërpërgjigje.

Ligjëvënësi republikan Mike Turner refuzoi të sqarojë për çfarë rreziku bëhet fjalë. Por në një letër që zoti Turner duket se u ka dërguar kolegëve të tij, të shpërndarë në rrjete sociale nga mediat, ai e cilëson rrezikun si një “aftësi e huaj ushatarake destabilizuese”.

Disa media, duke cituar zyrtarë amerikanë, njoftuan të mërkurën vonë, se kërcënimi ka të bëjë më një aftësi të re të Rusisë me bazë në hapësirë. Por një zyrtar amerikan, që bisedoi me Zërin e Amerikës me kusht të mos identifikohet me emër për shkak të natyrës të ndjeshme të informacionit të zbulimit, tha se ndonëse rreziku është i konsiderueshëm, nuk është i menjëhershëm.

“Kërcënimi i përshkruar nuk ka të bëjë me një aftësi aktive, që të jetë dërguar tashmë (në hapësirë),” deklaroi zyrtari.

Shtëpia e Bardhë po ashtu u mundua të zbusë shqetësimet, duke theksuar se tashmë ka planifikuar që t’u japë hollësi ligjvënësve të enjten.

“Jam i bindur që Presidenti Biden, me vendimet që po merr, do të garantojë sigurinë e amerikanëve në të ardhmen,” deklaroi Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan.

“Besojmë që mund ta mbrojmë, do ta mbrojmë dhe po e mbrojmë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara,” u tha gazetarëve zoti Sullivan, duke shtuar se është i befasuar që ligjvënësi Turner i bëri shqetësimet e tij publike, duke ditur se takimi ishte planifikuar që më parë për t’u zhvilluar sot (të enjten).

Zoti Sullivan po ashtu mbrojti vendimin për të mos e bërë publik informacionin e zbulimit mbi kërcënimin, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së “burimeve dhe metodave” amerikane të sigurimit të informacionit dhe gadishmërinë e presidentit në të kaluarën për të deklasifikuar informacionet e zbulimit.

“Presidenti nuk do të hezitonte ta bënte këtë, nëse do të ishte në interes të sigurisë kombëtare”, deklaroi ai. “Kjo administratë ka shkuar një hap tej, duke përdorur forma më krijuese, më strategjike, për trajtimin e deklasifikimit të informacionit të zbulimit në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ndryshe nga administratat e tjera në të kaluarën.”

Disa ligjvënës po ashtu reaguan

Ligjvënësi kryesor demokrat i Komisionit të Zbulimin në Dhomën e Përfaqësuesve, Jim Himes, e quajti kërcënimin “të konsiderueshëm” por “jo për të ngjallur panik.”

“Ja vlen të diskutohet se a mund të deklasifikohet më shumë informacion për këtë çështje,” shtoi ai përmes një deklarate. “Por ky nuk është një diskutim që duhet të bëhet publikisht.”

Drejtuesit e Komisionit të Zbulimit në Senat gjithashtu u munduan t’i qetësojnë shqetësimet e ngritura.

Komisioni “e ka këtë informacion të zbulimit dhe që nga fillimi po e përcjell në mënyrë rigoroze,” deklaruan në një deklaratë të përbashkët kryetari demokrat i komisionit, Mark Warner dhe nënkryetari i tij republikan Marco Rubio.

“Do të vazhdojmë ta trajtojmë me seriozitet këtë çështje dhe jemi duke diskutuar hapat e ardhshëm me administratën” shtuan ata. “Ndërkohë, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos zbuluar burimet dhe metodat, që mund të jenë jetike për t’iu ofruar Shteteve të Bashkuara një mori alternativash për të vepruar.”

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson u tha gazetarëve disa herë se “nuk ka nevojë për alarmim të publikut.”

“Dua të siguroj popullin amerikan,” deklaroi zoti Johnson. “Vetëm dua t’i siguroj të gjithë se jemi në kontroll të situatës. Po punojmë dhe nuk ka nevojë për alarm.”

Shtëpia e Bardhë e konfirmon: Rusia po rrit aftësitë anti-satelitore

Rusia po krijon një armë kundër satelitëve, konfirmoi Shtëpia e Bardhë të enjten, pasi një ligjvënës ngriti alarmin mbi atë që ai e cilësoi si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se ky veprim i Rusisë mund të bjerë ndesh me një traktat që ndalon armët e shkatërrimit në masë në hapësirë. Megjithatë, sipas tyre, ky nuk është një kërcënim urgjent. Zyrtarët thonë se nuk ka vend për panik, ndërsa ligjvënësit u takuan me dyer të mbyllura për të diskutuar këtë çështje.

E gjithë vëmendja është drejt hapësirës, pas konfimimit të Uashingtonit se Rusia, e cila lëshoi një raketë në fillim të këtij muaji, po investon në një teknologji që Shtëpia e Bardhë thotë se mund të shkelë një traktat që ndalon armët e shkatërrimit në masë në hapësirë.

“Mund të konfirmoj se ka të bëjë me aftësitë anti-satelitore që Rusia po zhvillon. Dua të jem i qartë për disa gjëra menjëherë. E para, kjo nuk është një aftësi aktive dhe gatshme. Dhe megjithëse angazhimi i Rusisë për zhvillimin e kësaj aftësie është shqetësues, kjo nuk përbën kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e askujt. Nuk bëhet fjalë për një armë që mund të përdoret për të sulmuar njerëzit ose për të shkaktuar shkatërrim fizik në Tokë“, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby.

Kongresi diskutoi të enjten këtë çështje në një takim me dyer të mbyllura.

“Të gjithë dolëm me përshtypje shumë të forta se administrata po e merr këtë çështje shumë seriozisht dhe se ka një plan”, tha ligjvënësi republikan Mike Turner.

Zyrtarët e Pentagonit thanë se Forca Hapësinore amerikane është e gatshme të mbrohet. Analistët thonë se ushtria amerikane është e qartë mbi rreziqet në hapësirë.

“Ndërsa në të kaluarën hapësira ishte një përparësi dytësore për të gjitha shërbimet e tjera ushtarake, tani është përparësi kryesore për dikë në Pentagon dhe ata kanë filluar me të vërtetë të lëvizin në këtë drejtim”, thotë Todd Harrison nga Instituti amerikan “Enterprise”.

Shumë nga aktivitetet tona tokësore, që nga sistemet që rregullojnë transportin global, tek sistemet ushtarake, e deri tek satelitët e motit, kontrollohen nga hapësira.

Analisti Harrison thonë se vendet e tjera janë të vetëdijshme për këtë dhe kanë zhvilluar teknologjinë e tyre ushtarake.

Ne përdorim hapësirën për kaq shumë gjëra të ndryshme në ushtri, saqë nëse një kundërshtar mund të na marrë hapësirën dhe na mohon mundësinë për të përdorur ato sisteme hapësinore, ata do të pengonin avantazhet më të mëdha të ushtrisë amerikane. Pra, kjo është arsyeja pse kombet e tjera, si Rusia dhe Kina në veçanti, kanë investuar në aftësi anti-satelitore për vite”, thotë zoti Harrison.

Zoti Kirby, i cili tha se Rusia me këto veprime mund të jetë duke shkelur Traktatin e Hapësirës së Jashtme, shtoi se masa e parë e Uashingtonit është diplomatike.

"Planifikojmë të angazhohemi drejtpërdrejt me rusët, si dhe me aleatët dhe partnerët”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Ekspertët e kontrollit të armëve thonë se traktati i vitit 1967 nuk jep hollësi mbi pasojat. Por ata thonë se shkelja e tij do të alarmonte fuqitë e tjera të mëdha.

“Kjo do të ndikonte në ekonomimë globale dhe sigurisht shoqërinë. Pra, Kina do të ishte thellësisht e shqetësuar. India do të ishte jashtëzakonisht e shqetësuar, vende me të cilat Rusia ka marrëdhënie më të mira, sesa ato me ne. Pra, mendoj se do të pasohej me qortim. Kjo mund të mjaftojë për ta nxitur Rusinë të tërhiqet”, thotë Daryl Kimball nga Shoqata e Kontrollit të Armëve.

Se çfarë do të ndodhë, mbetet të shihet.

Putini mohon

Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia po zhvillon një armë bërthamore për përdorim në hapësirë kundër satelitëve. Shpërthimi i një arme të tillë mund të shkatërrojnë gjithçka, që nga komunikimi ushtarak e deri tek shërbimet e komunikacionit, tha të martën një burim me dijeni për çështjen.

Burimi, i cili foli në kushte anonime, tha se sipas tij sistemi rus përfshinte një pajisje bërthamore shpërthyese të vendosur në orbitë. Presidenti Vladimir Putin tha të martën se Rusia ishte kundër vendosjes së armëve bërthamore në hapësirë, ndërsa ministri i tij i mbrojtjes mohoi kategorikisht njoftimet se Rusia po zhvillonte aftësi bërthamore për përdorim në hapësirë.

Shtëpia e Bardhë dhe Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtarë nuk pranuan të komentojnë mbi këtë çështje. Njoftimet rreth zhvillimit të mundshëm të armëve bërthamore hapësinore ruse dolën në pah pasi kryetari republikan i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Mike Turner, lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar për një "kërcënim serioz të sigurisë kombëtare".

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha të enjten se Shtetet e Bashkuara besojnë se sistemi që po zhvillohet nga Rusia do të shkelte një traktat që ndalon dislokimin në hapësirë të armëve të shkatërrimit në masë. Traktati i vitit 1967 i ndalon vendet nënshkruese, përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, që të vendosin “në orbitë rreth tokës çdo objekt që mban armë bërthamore ose çfarëdo lloj armësh të shkatërrimit në masë”.

Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë të tendosura nga një mori çështjesh, ndër to agresioni i Moskës ndaj Ukrainës, i cili ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Perëndimit dhe Rusisë që nga kriza e vendosjes së raketave ruse në Kubë në vitit 1962.

Gazeta New York Times raportoi të shtunën, pa cituar burime, se javët e fundit ka qarkulluar një paralajmërim nga agjencitë amerikane të spiunazhit se Rusia mund të planifikojë një lëshim të ri sekret satelitor me qëllime ushtarake dhe se pyetja kryesore ishte nëse bëhej fjalë për armë bërthamore.

Agjencia e lajmeve Bloomberg njoftoi të martën se Rusia mund të vendosë në hapësirë një armë bërthamore ose një mbushje provë që në fillim të këtij viti. Bloomberg citoi gjithashtu burime të paidentifikuara të kenë thënë se Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia nuk planifikon të shpërthejë një bombë, por se ekzistonte rreziku i një shpërthimi aksidental, çka do të çaktivizonte shumë satelitë. Shtëpia e Bardhë dhe Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar nuk pranuan të komentojnë mbi raportin e agjencisë Bloomberg.

Në këtë raport ka kontribuar Voa dhe FT

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA