Seuli, thirrje Uashingtonit për fillimin e bisedimeve me Penianin
Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae In, u bëri thirrje sot Shteteve të Bashkuara të nisin bisedimet me Korenë e Veriut
Voa
26/02/2018 - 19:55
Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae In, u bëri thirrje sot Shteteve të Bashkuara të nisin bisedimet me Korenë e Veriut, kjo pasi një delegacion i këtij vendi i ka konfirmuar gatishmërinë e Penianit për bisedime me Uashingtonin.
Gjatë një takimi me zëvendës kryeministrin kinez Liu Yandong (në Seul), presidenti Moon tha gjithashtu se Koreja e Veriut duhet të tregojë se është e gatshme për çnuklearizim. Sipas tij është e rëndësishme që të dyja palët të ulen së shpejti, ballë për ballë.
Dje, në periferi të ceremonive në mbyllje të Lojrave Olimpike Dimërore, udhëheqësi i Koresë së Jugut zhvilloi një takim me kreun e delegacionit të Koresë së Veriut Kim Yong-chol, një zyrtar i lartë i Partisë Punëtore në pushtet. Muajin e kaluar dy Koretë zhvilluan bisedimet e tyre të para të nivelit të lartë në dy vjet.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë dje thuhej se: "do të shohim nëse mesazhi i Penianit përfaqëson hapat e parë në rrugën drejt çnuklearizimit”. Por ndërkohë SHBA dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojnë të bëjnë të qartë se programeve bërthamore e raketore të Koresë së Veriut u ka ardhur fundi.
Të premten, administrata e Trampit publikoi sanksione të reja ndaj Penianit.
Të martën delegacionet e dy Koreve do të takohen për të diskutuar pjesëmarrjen e Penianit në Lojrat Paraolimpike Dimërore që mbahen në Piong-Çang në datat 9 deri 18 mars.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 7 reads



