SHBA paralajmëron Evropën për vonesa në dërgesat e armëve ndërsa lufta me Iranin zbraz rezervat
Dërgesat e shtyra mund të përfshijnë edhe ato që përdoren për mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë
Financial Times
02/05/2026 - 08:51
Uashingtoni ka paralajmëruar aleatët evropianë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Poloninë, Lituaninë dhe Estoninë, të presin vonesa të gjata në furnizimet me armë amerikane, ndërsa përpiqet të rindërtojë rezervat e zbrazura nga lufta me Iranin. Pentagoni u ka bërë të ditur këtyre vendeve se duhet të llogarisin vonesa serioze për disa sisteme raketore, sipas nëntë burimeve në dijeni.
Dy prej tyre thanë se po zhvillohen edhe bisedime për shtyrjen e dërgesave drejt Azisë. Vonesat lidhen pjesërisht me shqetësimet e forta për nivelin e rezervave amerikane, pas përdorimit të madh të armëve gjatë dy muajve të fundit në Iran. Ushtria amerikane është detyruar tashmë të zhvendosë armë nga rajone të tjera, përfshirë Indo-Paqësorin, për të mbuluar mungesat.
Lufta me Iranin ka shtuar gjithashtu dyshimet nëse SHBA ka mjaftueshëm rezerva për të frenuar Pekinin apo për të përballuar Kinën në një përplasje të mundshme për Tajvanin.
Përveç alarmit në Evropë, këto vonesa janë lajm i keq për Ukrainën, në kohën kur ka shqetësime për mbështetjen amerikane pas katër vitesh lufte që nga pushtimi i plotë rus. Vonesat do të prekin municionet për sistemet Himars, Nasams dhe të tjerë.
Himars, të përdorura në Ukrainë, janë sisteme shumë të lëvizshme raketore të prodhuara nga Lockheed Martin. Ndërsa Nasams janë sisteme kundërajrore me rreze të mesme, të prodhuara bashkë nga Raytheon dhe ndërmarrja norvegjeze Kongsberg.
Pentagoni tha se po “shqyrton me kujdes kërkesat e reja për pajisje nga partnerët, si dhe rastet ekzistuese të transferimit të armëve për t’i përputhur me nevojat operacionale”, duke refuzuar të japë hollësi për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Vonesat vijnë në një kohë acarimi në marrëdhëniet ndëratlantike. Presidenti Donald Tramp ka kritikuar aleatët për mosangazhim të mjaftueshëm në fushatën amerikane kundër Iranit. Megjithatë, disa burime theksojnë se vonesat nuk synojnë ndëshkimin e Evropës, por pasqyrojnë shqetësimet e SHBA për rezervat.
“Pentagoni mund të përballet me një luftë të gjatë në Lindjen e Mesme dhe njëkohësisht kërkon të forcojë pengimin në Indo-Paqësor,” tha Tom Wright, ish-zyrtar në qeverinë e Xho Bajdenit, tani tek Brookings Institution. “Është i gatshëm ta lërë Evropën pas për këtë qëllim. Evropa duhet të rindërtojë rrjetin e vet të prodhimit ushtarak me shpejtësi shumë të lartë.”
Trampi i hodhi poshtë shqetësimet për rezervat: “Kemi rezerva në mbarë botën dhe mund t’i përdorim kur të jetë e nevojshme.”
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se edhe aleatët në Azi duhet të përgatiten për vonesa. Japonia dhe Koreja e Jugut mbështeten në armë amerikane, përfshirë raketat mbrojtëse Patriot.
Megjithëse Nasams nuk janë përdorur gjerësisht në konfliktin me Iranin, SHBA po përgatit një paketë shumë të madhe shitjesh armësh për Tajvanin, që përfshin këto sisteme dhe raketat Patriot, me një vlerë rreth 6 miliardë dollarë.
“Aleatët në Azi ka gjasa të nënvlerësojnë ndikimin e mungesave të municioneve amerikane dhe kohëzgjatjen e tij,” tha Kristofer Xhonstoun, ish-zyrtar i lartë i Pentagonit.
Ai shtoi se Japonia ka shfaqur pakënaqësi për vonesat në dërgesat që ka paguar, përfshirë raketat Tomahawk, dhe kjo do t’i shtyjë vendet të mbështeten më shumë në prodhimin vendas apo zgjidhje jo-amerikane.
Ndërmarrjet amerikane të mbrojtjes po përpiqen të rrisin prodhimin e armëve kyçe, përfshirë raketat Patriot. Trampi ka thënë se prodhimi mund të katërfishohet, por rezervat do të mbeten të kufizuara pasi rritja e prodhimit kërkon vite.
Admirali Samuel Paparo ka deklaruar se mund të duhen deri në dy vjet për të arritur nivelin e nevojshëm të prodhimit.
Edhe më parë SHBA ka shtyrë dërgesa armësh. Në vitin 2024, qeveria e Bajdenit ndaloi përkohësisht dërgesat e raketave Patriot dhe Nasams drejt vendeve të tjera për t’i përshpejtuar ato për Ukrainën. Por gjendja e tanishme quhet më e rëndë për shkak të përmasës më të gjerë të problemit.
Tensioni mbi rezervat tashmë po dëmton Ukrainën. Një zyrtar i lartë ukrainas tha se armët amerikane kanë pësuar vonesa që nga fillimi i luftës me Iranin. Sipas Presidentit Volodimir Zelenski, vonesat kanë bërë që lëshuesit Patriot të mbeten të zbrazët gjatë sulmeve raketore ruse.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 13 reads



