...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SHBA rikthen ndëshkimin me vdekje

Në SHBA, Byroja Federale e Burgjeve do të rifillojë dënimet me vdekje pas një ndërprerjeje 16-vjeçare

Voa

25/07/2019 - 20:09

Në SHBA, Byroja Federale e Burgjeve do të rifillojë dënimet me vdekje pas një ndërprerjeje 16-vjeçare, ndërkohë që ekzekutimet nga shtetet e veçanta nuk janë ndalur.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi se planet janë që muajt e ardhshëm të ekzekutohen me vdekje pesë të burgosur të dënuar për vrasje nga gjykatat federale.

BFB ka miratuar një drogë për ekzekutimet me vdekje, e cila përdoret aktualisht nga disa shtete, duke i hapur rrugën ekzekutimit me injeksion të pesë të burgosurve, sipas një deklarate të Departamentit të Drejtësisë. Tre nga ekzekutimet janë planifikuar për në dhjetor dhe dy për janar 2020. Departamenti tha se ekzekutimet e tjera do të planifikohen në një datë të mëvonshme.

Ekzekutimi i fundit federal në Shtetet e Bashkuara ishte ai i vitit 2003, kur veterani i Luftës së Gjirit Louis Jones Jr u ekzekutua me vdekje për rrëmbimin dhe vrasjen e një ushtari 19-vjeçar. Aktualisht ka 65 të burgosur që presin ekzekutimin me vdekje në rang federal. Më shumë se gjysma e shteteve amerikane kanë në fuqi ligje për ndëshkimin kapital.

Midis pesë të dënuarve të planifikuar për ekzekutim është Daniel Lewis Lee, anëtar i një grupi supremacist të bardhë, i cili u shpall fajtor në vitin 1999 për vrasjen e një familjeje prej tre personash, duke përfshirë një vajzë 8-vjeçare. Të pesë të dënuarit i kanë shteruar të gjitha ankesat dhe mjetet e tjera, tha Departamenti i Drejtësisë.

Të burgosurit do të ekzekutohen duke përdorur pentobarbital, një ilaç vdekjeprurës që zëvendëson një procedurë tjetër me tre faza të përdorur më parë në ekzekutimet federale. Që nga viti 2010, 14 shtete kanë përdorur pentobarbitalin në më shumë se 200 ekzekutime, sipas Departamentit të Drejtësisë.

Ndëshkim kapital u ndalua në SHBA në vitin 1972 pasi Gjykata Supreme e shpalli atë një "dënim arbitrar". Por më vonë ai u rikthye pjesërisht në vitin 1988, duke çuar në ekzekutimin e tre të burgosurve.

SHBA është i vetmi vend perëndimor ku ende aplikohet ekzekutimi me me vdekje.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA