Uashingtoni dhe Moska përgatiten për luftën e madhe
Në 21 shkurt 2023, Putini si fillim nga Moska dhe Bajdeni më pas nga Varshava, mbajtën qendrime diametralisht të kundërta: sipas të parit Rusia nuk do të mposhtet kurrë nga perëndimi ndërsa sipas të dytit Ukraina s`do të jetë kurrë një fitore për Rusinë
SHJ
21/02/2023 - 14:18
Biden siguron aleatët për mbështetjen, ndërsa lufta hyn në një fazë kritike
Pasi bëri një vizitë të paparalajmëruar në Kiev, zoti Biden shkoi në Varshavë të hënën me synimin për të forcuar unitetin perëndimor ndërsa si Ukraina edhe Rusia bëhen gati për ofensiva të reja në pranverë. Lufta më e madhe rnë Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore - ka shkaktuar deri tani vdekjen e mijëra personave, ka shkatërruar sistemin e infrastrukturës së Ukrainës dhe ka dëmtuar ekonominë globale.
"Mendova se ishte kritike që të mos kishte asnjë dyshim, asnjë lloj dyshimi, për mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën në luftë," tha zoti Biden në krah të presidentit ukrainas Volodomyr Zelenskyy në Kiev përpara se të nisej për në Poloni.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se në fjalimin në Kështjellën Mbretërore, presidenti demokrat do të theksojë se hapat që do të ndërmarrin vendet demokratike në vitet e ardhshme do të kenë ndikim për një kohë të gjatë.
Ndërsa presidenti Biden po e përdor udhëtimin e tij në Evropë si një moment konfirmimi mbështetjeje për Ukrainën dhe aleatët, Shtëpia e Bardhë ka theksuar se nuk duket të ketë një përfundim të qartë të luftës në të ardhmen e afërt dhe se situata në terren po bëhet gjithnjë e më komplekse.
Biden në Poloni: Kievi qëndron i fortë, NATO më e bashkuar se kurrë
Presidenti Joe Biden tha në një fjalim në Poloni se një vit pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës, Kievi qëndron i fortë dhe NATO-ja është më e bashkuar se kurrë.
"Një vit më parë, bota ishte e shqetësuar për rënien e mundshme të Kievit. Unë mund të deklaroj: Kievi qëndron i fortë, Kievi qëndron krenar, qëndron i papërkulur dhe më e rëndësishmja, qëndron i lirë", tha presidenti Biden në fjalimin që mbajti para Kështjellës Mbretërore të Varshavës.
Në fjalimin që mbajti një ditë pas një vizite dramatike në Kiev, presidenti Joe Biden siguroi Ukrainën dhe aleatët e NATO-s për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara.
“Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë”, tha ai.
Presidenti Biden tha se “mbështetja për Ukrainën nuk do të ndalet, NATO-ja nuk do të përçahet dhe ne nuk do të lodhemi," tha ai.
"Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës sonë të NATO-s dhe nenit 5 është i fortë", tha zoti Biden duke iu referuar parimit të NATO-s se një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.
“Çdo anëtar i NATO-s e di këtë. Edhe Rusia e di: një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve."
Presidenti amerikan tha se presidenti rus, Vladimir Putin po përballet sot me demokraci më të forta.
"Kur Presidenti Putin urdhëroi tanket e tij të hynin në Ukrainë, ai mendoi se ne nuk do të bënim asgjë. Ai ishte i gabuar", tha zoti Biden.
Ai tha se Rusia po kryen mizori ndaj Ukrainës, duke i quajtur veprimet e Moskës “krime kundër njerëzimit”.
Presidenti rus Putin ka bërë shpesh fajtor perëndimin për luftën në Ukrainë. Ai bëri të njëjtën gjë të martën në fjalimin për gjendjen e vendit.
Presidenti Biden reagoi kundër këtyre akuzave duke thënë se “perëndimi nuk po bën komplot për të sulmuar Rusinë”, por po mbron demokracitë.
Zoti Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre do të shpallin më shumë sanksione kundër Rusisë këtë javë lidhur me agresionin që filloi gati një vit më parë.
Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të organizojnë një takim të nivelit të lartë të NATO-s vitin e ardhshëm, në 75 vjetorin e aleancës.
Simbolizmi i vizitës së Presidentit Biden
Një ditë pas një vizite të paparalajmëruar në Ukrainë, prania e zotit Biden në Varshavë përforcon mesazhin e përkushtimit amerikan ndaj krahut lindor të aleancës që ndodhet më pranë konfliktit dhe i dërgon një mesazh Moskës për unitetin perëndimor.
Pas pritjes në Pallatin Presidencial të Varshavës, Presidenti Biden dhe ai i Polonisë Andrzej Duda, mbajtën bisedime ku ritheksuan mbështetjen për Ukrainën dhe nevojën e ruajtjes së sigurisë në Evropë, në kushtet e agresionit rus.
"Siç i thashë presidentit Zelenskiy kur folëm dje në Kiev, mund të them me krenari se mbështetja jonë për Ukrainën mbetet e palëkundur”, tha zoti Biden.
Presidenti Biden e cilësoi marrëdhënien me Poloninë, kritike për Shtetet e Bashkuara dhe shprehu vlerësimin për bashkëpunimin dhe ndihmën e saj.
"Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Poloninë dhe NATO-n ashtu siç NATO-ja ka nevojë për Shtetet e Bashkuara. Sepse me gjithë aftësinë tonë për të vepruar kudo tjetër në botë - dhe përgjegjësia jonë shtrihet përtej Evropës - nuk ka diskutim që ne duhet të kemi siguri në Evropë. Është aleanca e vetme më e rëndësishme, dhe do të thoja ndoshta aleanca më e rëndësishme në histori, jo vetëm në historinë moderne, por në histori”, tha Presidenti Biden.
Presidenti Duda tha se vizita në Ukrainë e Presidentit Biden ishte “një shenjë e rëndësishme që bota e lirë nuk harron”, duke e quajtur atë një gjest “të guximshëm”.
"Ne (Polonia) po përpiqemi të jemi jo vetëm një vend siguria e të cilit garantohet nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, por edhe një vend që u sjell siguri të tjerëve", tha zoti Duda.
Polonia ka kufirin më të gjatë të NATO-s me Ukrainën dhe ka qenë rruga kryesore për furnizimin me armë dhe daljen e refugjatëve.
Të mërkurën, Presidenti Biden do të konsultohet me zotin Duda dhe udhëheqës të tjerë të grupit të Bukureshtit, që përbëhet nga nëntë aleatët e krahut më lindor të NATO-s.
“Për të gjithë ne kjo është një vizitë simbolike jashtëzakonisht e rëndësishme këtu në rajon. Ne si polakë nuk e perceptojmë si një vizitë tek ne. Kjo është një vizitë në rajonin tonë. E kombinuar me vizitën në Kiev, është një sinjal shumë i fortë i përgjegjësisë që Shtetet e Bashkuara marrin vazhdimisht për sigurinë e Evropës dhe botës", tha zoti Duda.
Një fazë e re, e ndërlikuar e luftës
Vizita e Presidentit Biden vjen ndërsa agresioni rus i Ukrainës po shkon drejt një faze edhe më të ndërlikuar, ndërsa si Ukraina edhe Rusia bëhen gati për ofensiva të reja në pranverë.
Lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore - ka shkaktuar deri tani vdekjen e mijëra personave, ka shkatërruar sistemin e infrastrukturës së Ukrainës dhe ka dëmtuar ekonominë globale.
Shtëpia e Bardhë ka theksuar se nuk duket të ketë një përfundim të qartë të luftës në të ardhmen e afërt dhe se situata në terren po bëhet gjithnjë e më komplekse.
Analistët paralajmërojnë se ka një rrugë të gjatë përpara.
“Luftimet janë ende të ndezura dhe si Ukraina ashtu edhe Rusia mendojnë se mund të triumfojnë ushtarakisht. Pra padyshim jemi larg fundit dhe situata në terren e tregon këtë", thotë për Zërin e Amerikës, studiuesi Mathieu Droin i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Udhëtimi i Presidentit Biden përkoi me fjalimin e Presidentit Putin përpara përvjetorit të pushtimit dhe me sa duket synonte ta linte atë në hije. Vizita e tij në Ukrainë thotë eksperti Droin, e nxjerr udhëheqësin rus në dritë të keqe.
"Natyrisht për Vladimir Putinin, të kesh presidentin e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë vetëm disa ditë para përvjetorit (të luftës) është një sinjal shumë, shumë i keq", thotë ai.
Vizita e Presidentit Biden u mirëprit nga polakët e zakonshëm dhe nga 2.5 milionë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë refugjatë nga konflikti, që tani jetojnë në Poloni. Shumë kërkojnë mbështetje më të guximshme perëndimore për Kievin, përfshirë furnizimin me avionë luftarakë, gjë që deri tani Shtetet e Bashkuara nuk e kanë premtuar.
Akuza e Putinit
Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi vendet perëndimore për fillimin dhe mbështetjen e luftës në Ukrainë. Ai refuzoi çdo faj për Moskën pothuajse një vit pas nisjes së agresionit ndaj fqinjit të saj, që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima deri tani. Në fjalimin e tij vjetor për gjendjen e vendit, zoti Putin gjithashtu njoftoi se Rusia pezulloi pjesëmarrjen në marrëveshjen për kontrollin e armëve bërthamore, START. Ky vendim u konsiderua si i papërgjegjshëm nga Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi të martën vendet perëndimore për gjithçka në lidhje me luftën Ukrainë, gjatë fjalimit vjetor në Moskë, një ditë pas vizitës së paparalajmëruar të presidentit amerikan, Joe Biden në Kiev.
“Përgjegjësia për nxitjen e konfliktit ukrainas, për përshkallëzimin e tij dhe për numrin në rritje të viktimave i takon tërësisht elitave perëndimore. Sigurisht edhe regjimi aktual në Kiev, për të cilin populli ukrainas është në thelb një grup i të huajve”, tha udhëheqësi rus gjatë fjalimit të tij.
Presidenti Putin shtoi se ishte Rusia, jo Ukraina, që luftonte për ekzistencën e saj.
“Elitat perëndimore nuk i fshehin qëllimet e tyre për t'i sjellë Rusisë një humbje strategjike. Kjo nënkupton fundin tonë, një herë e përgjithmonë. Ne e kuptojmë pikërisht kështu. Ne do të reagojmë ndaj tij në përputhje me rrethanat pasi në këtë rast bëhet fjalë për vetë ekzistencën e vendit tonë”, tha më tej zoti Putin.
Udhëheqësi rus po ashtu njoftoi se Rusia po pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin e armëve bërthamore, START.
“Ata duan të na shkaktojnë disfatë strategjike ndërsa futen fshehurazi në objektet tona strategjike bërthamore. Lidhur me këtë, më duhet të them se Rusia pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri START. Më lejoni të përsëris: Rusia nuk e braktis traktatin, por pezullon pjesëmarrjen e saj”, tha udhëheqësi rus.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e quajti këtë vendim, “thellësisht fatkeq dhe të papërgjegjshëm”.
“Kur filloi punën administrata jonë, ne e zgjeruam START-in e ri, sepse ai ishte në interes të sigurisë të vendit tonë dhe në fakt në interes të sigurisë së Rusisë. Kjo vetëm nënvizon se çfarë veprimi i papërgjegjshëm është ky. Ne do të ndjekim me kujdes se çfarë do të bëjë në të vërtetë Rusia. Ne gjithashtu do të sigurohemi që në çdo rast të reagojmë me vendosmëri për sigurinë e vendit tonë dhe të aleatëve tanë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, i cili ndodhet për vizitë në Athinë.
Rusia tha më pas se do të respektojë kufizimet për numrin e armëve bërthamore, sipas traktatit të ri START me SHBA-në megjithëse Presidenti Vladimir Putin pezulloi pjesëmarrjen e Moskës në këtë pakt.
Sipas traktatit, të nënshkruar në vitin 2010 dhe të vlefshëm deri në vitin 2026, Moska dhe Uashingtoni zotohen të mbajnë jo më shumë se 1,550 mbushje strategjike bërthamore të dislokuara dhe një maksimum prej 700 raketash me rreze të gjatë veprim dhe avionë bombardues strategjikë.
“Për të ruajtur një shkallë të mjaftueshme stabiliteti dhe parashikimi në sferën e raketave bërthamore, Rusia synon t'i përmbahet një qasjeje të përgjegjshme dhe do të vazhdojë të respektojë rreptësisht kufizimet sasiore të parashikuara nga traktati i ri START”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së jashtme ruse.
Kjo ministri vuri në dukje se Rusia do të vazhdojë të shkëmbejë informacione për provat me raketa balistike, sipas marrëveshjeve të mëparshme me Shtetet e Bashkuara.
Në fjalimin e tij për gjendjen e kombit, zoti Putin tha të martën se Rusia do të pezullonte pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri START, që parashikon kufizime të numrit të armëve bërthamore dhe inspektime të objekteve bërthamore. Ai tha se inspektime të tilla nuk kanë kuptim pasi SHBA dhe aleatët e saj kanë deklaruar se kanë qëllim t'i shkaktojnë Rusisë disfatë ushtarake në Ukrainë.
Dhoma e ulët e parlamentit rus, do të shqyrtojë të mërkurën projektligjin e presidentit Vladimir Putin për pezullimin e pjesëmarrjes në traktatin bërthamor START dhe do të marrë menjëherë një vendim për të, tha të martën kryetari I Dumës ruse, Vyacheslav Volodin.
Duma më pas do ta dërgojë projektligjin në dhomën e lartë të Këshillit të Federatës, tha ai në një deklaratë.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Rusisë ta rishqytojë vendimin e saj.
“Më shumë armë bërthamore dhe më pak kontroll të tyre e bëjnë botën më të rrezikshme. Unë i bëj thirrje Rusisë të rishqyrtojë vendimin e saj.. Duhet të kujtojmë se kjo është një nga marrëveshjet e fundit të mëdha të kontrollit të armëve që kemi”, tha shefi i NATO-s. Stoltenberg.
Traktati START u nënshkrua në Pragë në vitin 2010 dhe hyri në fuqi një vit më pas. Në vitin 2021, pakti bërthamor START u zgjat për pesë vjet të tjera menjëherë pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden mori detyrën.
Shefi i NATO-s Stoltenberg hodhi poshtë pretendimet e presidentit rus që fajësoi perëndimin për luftën në Ukrainë, duke e quajtur atë një luftë perandorake të Putinit.
“Është presidenti Putin ai që filloi këtë luftë perandorake pushtuese dhe ai vazhdon ta përshkallëzojë atë. Ai mendonte se mund të shkatërronte Ukrainën dhe të na përçante, por ai nënvlerësoi vendosmërinë e popullit ukrainas për të mbrojtur atdheun e tij dhe nënvlerësoi unitetin tonë. Një vit që kur filloi pushtimin rus, ai e bëri të qartë sot se po përgatitet për më shumë luftë”, tha shefi i NATO-s, Stoltenberg.
Më 24 shkurt mbushet një vit nga fillimi i agresionit rus, që mesa duket shpresonte ta pushtonte me shpejtësi Kievin. Por rezistenca e fortë nga forcat ukrainase e mbështetur nga armët perëndimore i ktheu mbrapsht trupat e Moskës. Ukraina ka rimarrë shumë zona të pushtuara fillimisht nga Rusia, mirëpo të dy palët tani janë përfshirë në beteja në zona të tjera.
Rusia ndërkaq kryen sulme pothuajse të pandërprera ajrore. Të martën, sulmet ruse vranë të paktën gjashtë persona në rajonin e Khersonit, në lindje të Ukrainës.
Rusia nuk do të mposhtet kurrë nga perëndimi
Presidenti rus Vladimir Putin u zotua të martën se do të vazhdojë luftën tanimë njëvjeçare të Rusisë në Ukrainë dhe akuzoi aleancën e NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për ndezjen e flakëve të konfliktit me besimin e gabuar se mund ta mposhtin Moskën në një përplasje globale.
I rrethuar nga flamuj rusë trengjyrësh, presidenti Putin u tha udhëheqësve politik dhe ushtarak të Rusisë se vendi i tij kishte bërë gjithçka që ishte e mundur për të shmangur luftën, por Ukraina e mbështetur nga perëndimi kishte planifikuar të sulmonte Krimenë, gadishullin e aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Perëndimi, tha presidenti Putin, e nxori xhindin nga shishja në një mori rajonesh në mbarë botën duke mbjellë kaos dhe luftë.
“Populli i Ukrainës është shndërruar në peng të regjimit të Kievit dhe sundimtarëve të tij perëndimorë, të cilët e kanë pushtuar këtë vend në kuptimin politik, ushtarak dhe ekonomik. Regjimi i sotëm ukrainas në thelb nuk u shërben interesave kombëtare, por atyre të vendeve të treta”, tha presidenti rus.
“Ata synojnë ta shndërrojnë konfliktin lokal në një përplasje globale. Ne e kuptojmë në këtë mënyrë dhe do të reagojmë në përputhje me rrethanat”, tha ai.
Mposhtja e Rusisë, është e pamundur, tha shefi 70-vjeçar i Kremlinit, duke nënvizuar se Rusia nuk do t'u dorëzohet kurrë përpjekjeve perëndimore për të përçarë shoqërinë e saj, duke shtuar se shumica e rusëve e mbështetën atë që ai vazhdon ta quaj “operacion i posaçëm ushtarak”.
Duartrokitjet e mbuluan pjesën e fjalimit në të cilin foli për aneksimin e katër territoreve ukrainase vitin e kaluar. Ai kërkoi nga të pranishmit, më mesin e të cilëve ligjvënës, ushtarë, shefa spiunazhi dhe shefa të kompanive shtetërore, të ngriheshin në këmbë për të kujtuar ata që kanë humbur jetën në luftë. Ai premtoi një fond të veçantë për familjet e të vrarëve.
Konflikti në Ukrainë është padyshim basti më i madh i një shefi të Kremlinit që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, të cilin udhëheqësit perëndimorë si presidenti amerikan Joe Biden thonë se ai duhet ta humbas.
Forcat ruse kanë pësuar tre përmbysje të mëdha në fushën e betejës që nga fillimi i luftës, por ende kontrollojnë rreth një të pestën e Ukrainës.
Dhjetëra mijëra veta janë vrarë në konflikt dhe presidenti Putin, 70 vjeç, tani thotë se Rusia është e përfshirë në një betejë ekzistenciale me “perëndimin arrogant”, i cili, thotë ai, dëshiron të copëtojë Rusinë dhe të vjedhë burimet e saj të mëdha natyrore.
Perëndimi dhe Ukraina e kundërshtojnë rrëfimin rus dhe thonë se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes nuk është justifikim për atë që ata e cilësojnë një rrëmbim territoresh e stilit perandorak, i dënuar të dështojë.
Ky raport i përditësuar ka shfrytëzuar raportet e Voa-s por është edituar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 108 reads



