...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Uashingtoni pezullon përparimin e marrëdhënieve Turqi-SHBA

Çdo transaksion i rëndësishëm me entitetet ruse të mbrojtjes mund t'i nënshtrohet ligjit CAATSA, dhe kjo përveç sanksioneve që tashmë janë vendosur

Voa-SHJ

29/04/2021 - 07:54

Sekretari i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi të mërkurën Turqinë dhe të gjithë aleatët e Shteteve të Bashkuara që të mos blejnë armë të tjera ruse, duke thënë se kjo mund të sjellë më shumë sanksione.

Marrëdhëniet SHBA-Turqi janë tensionuar për çështje që variojnë nga blerja nga Turqia e sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore S-400, për të cilat Ankaraja u vu në shënjestër të sanksioneve amerikane, tek mosmarrëveshjet për politikën ndaj Sirisë, të drejtat e njeriut dhe një padi gjyqësore amerikane ndaj Halkbank, ku shteti turk ka shumicën e aksioneve.

"Është gjithashtu shumë e rëndësishme në të ardhmen që Turqia, dhe kjo vlen edhe për të gjithë aleatët e SHBA, të shmangin blerjet e armatimit rus, duke përfshirë edhe S-400 të tjera", tha sekretari Blinken gjatë një konference virtuale në Qendrën e Shtypit të Huaj në Uashington.

"E përsëris, çdo transaksion i rëndësishëm me entitetet ruse të mbrojtjes mund t'i nënshtrohet ligjit CAATSA, dhe kjo përveç sanksioneve që tashmë janë vendosur," tha ai, duke iu referuar Aktit të Kundërveprimit ndaj Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve, i cili është krijuar për të shkurajuar vendet e ndryshme që të mos blejnë pajisje ushtarake nga rivali i NATO-s.

Zoti Blinken tha gjithashtu se duke pasur parasysh pikëpamjet gjerësisht të njohura të Presidentit Joe Biden, deklarata e tij e së shtunës se masakrat kundër armenëve në Perandorinë Osmane në vitin 1915 janë gjenocid, nuk ishte aspak e papritur.

Zëdhënësi i Presidentit të Turqisë tha të dielën se deklarata e zotit Biden ishte "thjesht skandaloze" dhe se Turqia do të kundër përgjigjej gjatë muajve të ardhshëm.   

Por sipas reporterit të televizionit Skaj në Greqi, Erdogani po tund flamurin turk në bazën ushtarake të Incirlikut, ku mbahen disa nga armët bërthamore të Amerikës, duke nënkuptuar se ato janë në dorë të Turqisë. Sipas të njëjtit reporter, Uashingtoni ka pezulluar përparimin e marrëdhënieve me Turqinë duke bllokuar ambasadorin e ri turk, të emëruar nga Erdogani, prej tre muajsh, i cili pret të dorëzojë të dhënat e tij në ambasadën amerikane. Kushti amerikan për përparimin e marrdhënieve është largimi i sistemit rus mbrojtës S-400.  

SHJ 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA