...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zgjerim detar deri në 200 milje vetëm me firmën e Erdoganit - rrjedhje e re

Rrjedhje e re nga Ankaraja për “mbifuqi” në ligjin e ri dhe qëndrime të këshilltarit të Tajip Erdoganit për zgjerimin e ujërave detare

Kathimerini

16/05/2026 - 09:51

Një rikujtim se casus belli i vitit 1995 mbetet ende në fuqi në rast se Greqia zgjeron ujërat territoriale në Egje u bë dje nga një këshilltar i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili tha se “shkelja e kufirit të 6 miljeve qoftë edhe me një centimetër do të quhet shkak lufte”, ndërsa Athina pret ende formën përfundimtare që do të marrë projektligji i paralajmëruar nga Ankaraja për zonat detare në Egje dhe në Mesdheun Lindor.

Më saktë, dje pati edhe disa rrjedhje të tjera (këtë herë nga partia në pushtet AKP drejt zyrës së Bloomberg në Turqi) lidhur me “mbifuqitë” që projektligji i ri do t’i japë presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, në mënyrë që ai të mund të shpallë në mënyrë të njëanshme Zonë të Posaçme Ekonomike (ZPE) dhe zona të tjera detare.

Sipas rrjedhjes, pushtetet ekzekutive do t’i japin Erdoganit mundësinë të shpallë ZPE deri në 200 milje detare. Vetë rrjedhja tregon paqartësinë që ekziston rreth çështjes. 200 miljet detare mund të zbatohen vetëm në Mesdheun Lindor, por jo në Egje, ku në asnjë pikë s`ka me një largësi e tillë.

Largësia mes skajit lindor të Eubesë dhe gadishullit të Eritresë (Çeshme) në Egjeun qendror është pak më pak se 80 milje detare dhe është një nga largësitë më të mëdha nga një breg kontinental tek tjetri.

Dhe, natyrisht, ndërmjet tyre ndodhen shumë ishuj të banuar të Egjeut, të cilët – mbi bazën e Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit (UNCLOS) – kanë të drejta të plota për shelfin kontinental dhe ZPE, dhe jo vetëm për ujëra territoriale siç pretendon Ankaraja. Për më tepër, edhe kur shpallet një ZPE, UNCLOS përcakton se duhet të ketë marrëveshje mes shteteve me brigje përballë njëri-tjetrit.

Rrjedhja e re e Ankarasë tek Bloomberg për mbifuqitë që ligji i ri do t’i japë presidentit turk, në mënyrë që ai të mund të shpallë ZPE deri në një shtrirje prej 200 miljesh detare. Në të njëjtën rrjedhje theksohet se nisma e Turqisë është përgjigje ndaj lëvizjeve të Greqisë dhe të Republikës së Qipros, me synimin për të treguar se Ankaraja nuk mund të mungojë nga zhvillimet në Mesdheun Lindor.

Është me interes se në shkrimin e Bloomberg-it ka edhe përmendje të entitetit qipriot turk, pasi vihet në dukje se Turqia e njeh atë si një njësi të veçantë nga Republika e Qipros. Natyra e rrjedhjes është treguese e rrethanave krejtësisht politike brenda të cilave zhvillohet e gjithë kjo bisedë për projektligjin që pritet të paraqitet, sepse edhe nëse Turqia, si çdo shtet tjetër në botë, shpall ZPE, më pas duhet të arrijë marrëveshje me shtetet e tjera bregdetare për shtrirjen e saj.

Për këtë arsye është shumë e mundshme që Ankaraja të veprojë njësoj si Athina kur paraqiti në prill të vitit 2025 Planifikimin Hapësinor Detar, ku u paraqitën kufijtë maksimalë të ZPE-së greke, me shënimin e qartë se, me përjashtim të pikave tashmë të përcaktuara (me Italinë dhe pjesërisht me Egjiptin), kufijtë mund të ndryshojnë kur të zhvillohen bisedimet me palët e tjera të përfshira.

Dje, siç u përmend më sipër, Çagri Erhani, këshilltar kryesor i Recep Tayyip Erdoğan, tha se projektligji (i cili pritet të paraqitet në fillim të qershorit) nuk përbën një hap të ri kundër Greqisë.

Lidhur me casus belli, Erhani tha se qëndrimi i Turqisë për 6 miljet detare në Egje nuk ka ndryshuar dhe se vendimi i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë i vitit 1995 mbetet plotësisht në fuqi. Ai shtoi se vazhdon të mbizotërojë gjendja sipas së cilës shkelja e kufirit të 6 miljeve qoftë edhe me një centimetër do të quhet shkak lufte (casus belli).

Në fund, dje pati edhe shkrime të reja ku përsëritet pretendimi se në projektligjin që po përgatitet do të ketë përmendje të qartë edhe për “zonat gri”.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA