...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zbulohen për herë të parë ‘etërit’ gjenetikë të Ballkanit: Ilirët

Ne paraqesim provë se etërit e evropianëve lindorë ishin pjesë sporadike e Ballkanit shumë kohë përpara mërgimeve sllave të lashtësisë së vonë

Ylli Përmeti

23/12/2023 - 16:07

Gjatë ditëve të para të dhjetorit, 2023, u ripublikua* një studim arkeo-gjenetik me titull “Një histori gjenetike e Ballkanit: nga kufijtë romak deri tek mërgimet sllavike”, nga 74 autorë, në revistën shkencore “Cell” (Qelizë). Studimi synon të tregojë “bazën” gjenetike të Ballkanit dhe të vërtetojë “tezën” se serbët u përhapën në gjithë gadishullin por tërthorazi tregon etërit e vërtetë të tij. 

Studimi i kryer nga Instituti i Biologjisë Evolucionare, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Spanjoll dhe Universitetin Pompeu Fabra, Universitetin e Harvardit, dhe univeristete të tjerë, përfshiu 146 individë që jetuan në kohën e perandorisë romake, nga viti 1-250 dhe 250-550, dhe pas rënies së saj, 550-1000, në Kroacinë dhe Serbinë e sotme, dhe 6 nga Austria dhe Republika Çeke, Sllovakia, duke përfshirë dhe 15 individë nga Shqipëria, Maqedonia V., Greqia, Rumania dhe Bullgaria.

Ai tregon se rajoni kufitar i Romës së Lashtë ishte kozmopolit njësoj si perandoria qendrore; mërgimtarët e njëjtësuar si Gotë ishin konfederata me larmishmëri kombëtare; dhe mërgimtarët që flasin sllavisht sot përllogariten në 30%-60% të prejardhësve të popujve ballkanas.  

Sipas tij, individët e mijëvjeçarit të parë treguan heterogjenitet të lartë prejardhës krahasuar me epokat pararendëse (bronz-hekur), si pasojë e perandorisë romake por dhe si pasojë e rënies së saj. Studimi tregon 45 individë të kohës (1-250) së Romës të kenë mërguar në Ballkan me lidhje të drejtëpërdrejta gjenetike me të―fakt që tregon integrimin e lartë të popullatave lokale në perandorinë romake.

Ndërsa studimi përqendrohet kryesisht në Danubin Qendror, ai tregon se perandoria pati ndikim të thellë atje por “pa lëvizje të mëdha popullatash nga metropoli, të paktën nga pasardhësit e Italisë qendrore”. Ai tregon se në atë epokë pati lëvizje të mëdha demografike nga Anadolli perëndimor drejt perandorisë; më pas (shekulli 2 dhe 3) pati mërgime sporadike nga Afrika nën-Sahariane dhe Afrika Veriore; dhe shekulli 3-4 shënoi mërgime të brendshme dhe të jashtme, me përzierje mes evropianëve veriorë dhe qendrorë dhe popullatave të Stepave Pondiko-Kazake.

Kjo epokë mbaroi me rënien e parandorisë romake në njërën anë dhe ardhjet e popullatave sllave pas vitit 700. Siç citon studimi, “ne paraqesim provë se etërit e evropianëve lindorë ishin pjesë sporadike e Ballkanit shumë kohë përpara mërgimeve sllave të lashtësisë së vonë...shumica e individëve me prejardhës nga Evropa Lindore shfaqen në shekujt e shtatë dhe dhjetë dhe janë me prejardhës të papërzier. Mërgimi sllav filloi herët në shekullin e gjashtë”.

Në pjesën ku diskuton gjetjet e tij, studimi tregon një prejardhës relativisht të një njëjtë për gjithë rajonin: “proceset demografike të lëvizjes dhe përzierjeve gjeneruan një vazhdimësi prejardhëse të ditëve të sotme të popullatave të Ballkanit me prejardhës relativisht të njëjtë në profile por duke folur gjuhë nga katër familje, latinishten, sllavishten, shqipen, dhe greqishten, duke spikatur procese të ndryshme kulturore përgjatë rajonit pavarësisht shumë të përbashkëtave në historinë e tyre demografike. Të gjitha bashkë, këto procese krijuan një profil prejardhjeje rajonale deri në fund të mijëvjeçarit të parë i cili qendron përgjithësisht përgjatë tij”.

Por fakti që individët e studiuar janë të paktë dhe të përqendruar në Danubin qendror, ai është i vetë-dijshëm se ai mund të jetë i padrejtë në përfundimet e tij. Ndaj ai këshillon analiza gjenetike të mëtejshme përgjatë kufijëve të perandorisë romake për të kuptuar më shumë.

Përgjithësisht studimi krijon përshtypjen se ardhjet sllave në Ballkan në shekullin e shtatë kanë krijuar prejardhës relativisht të njëjtë pavarësisht se në rajonin tonë fliten tre familje gjuhësore. Por po të kemi parasysh studimet arkeo-gjenetike që kam përmbledhur lidhur me origjinën e popullit grek, shqiptar dhe sllav në përgjithësi, kuptojmë se ka dallime të mëdha mes popujve sllavë dhe ilirë apo pellazgë dhe popujve të tjerë të Lindjes së Mesme.

Sidoqoftë, studimi kontribon në ndriçimin e fazës së ‘sllavizimit’ të Ballkanit dhe në përsëritjen e një të vërtete të madhe se serbët dhe popujt e tjerë me origjinë sllave kanë ardhur në rajonin tonë kryesisht pas rënies së perandorisë romake ndërsa nuk përmend mënyrën se si u ‘sllavizua’ rajoni, sepse nuk është në qëllimin e tij.

Por historia tregon se fiset sllave përdorën kryesisht dhunën ushtarake kundër popujve ‘kozmolit’ të parendorisë romake në Iliri dhe nëse pranojmë “tezën” e studimit se rajoni ynë ka në disa rajone 60 përqind të prejardhësve të Ballkanit që sot flasin sllavisht, kryesisht në Serbinë e sotme, dhe 30 për qind në jugun e Ballkanit, ku janë studiuar pak individë, duhet të pranojmë, gjithashtu, se 40% për qind e Serbisë së sotme nuk ka të njëjtët prejardhës ndërsa pjesa tjetër ku popullatat sllave janë pakicë (30%), në jugun ballkanik, me siguri do të ketë zanafillë kryesisht ilire për sa kohë që studimet arkeo-gjenetike tregojnë se rreth 70% e popujve në Shqipërinë dhe Greqinë e sotme kanë ngjashmëri gjenetike me minoanët dhe mikenët dhe jo me popujt sllavë.

Studimi vërteton, edhe një herë, tërthorazi, faktin se Ballkani vazhdon të mbizotërohet nga populli ilir (ose pellazg), sidomos në Shqipëri dhe Greqi, pavarësisht asimilimeve sllave dhe krijimit të shteteve modernë ku gjuha përcakton kryesisht identitetin e tyre se sa lidhja gjenetike.               

Ylli Përmeti: cila është lidhja mes pellazgëve, grekëve, ilirëve dhe shqiptarëve?

*Varianti i parë i tij mund të lexohet ndërsa varianti i ri është me pagesë. Ky raport bazohet në variantin e ri.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA