Arsyet e mbështetjes së Putinit nga e majta dhe e djathta e ‘skajshme’ amerikane
Shumë në të majtën dhe të djathtën amerikane kanë nxituar të mbrojnë regjimin e presidentit rus Vladimir Putin ose, të paktën, kanë nxitur SHBA-në të mos ndërhyjë në mbrojtjen e Ukrainës”.
Ylli Përmeti
30/01/2023 - 08:43
Gjatë luftës së ndërmjetme mes SHBA-së dhe Rusisë në Ukrainë u krijua bindja (nga elitat neoliberale dhe masmedia) se populli amerikan e mbështeste atë! Ky është një shtrembërim i qëllimshëm për të siguruar mbështetje në luftën e Ukrainës. Për të mbështetur qendrimin e tyre elitat perëndimore përdorën disa sondazhe që tregojnë se “shumica” e popujve e mbështet luftën e saj. Përqindjen e mbështetësve e ka përdorur më shumë elita amerikane. Sipas një sondazhi të zhvilluar gati dy muaj pas luftës atje nga IPSOS, shumica e amerikanëve kundërshtonte lidhjet diplomatike (34% përkundër 31%); ndërsa në nivel botëror ishin vetëm 38%. Gati një vit më pas përqindjet nuk ndryshuan shumë, sipas të njëjtës firmë.
Por le ta lëmë mënjanë “opinionin” e popujve, i cili në fund të fundit i krijon opinionet kryesisht nga masmedia dhe kjo e fundit dihet se kontrollohet nga elitat, dhe të shohim se cilat forca politike në Amerikë e kundërshtojnë luftën në Ukrainë dhe pse. Sipas një analize të dy profesorëve amerikanë, të publikuar në korrik të vitit 2022 në revistën amerikane “Foreign Affairs”, luftën atje nuk e ka mbështetur “e majta” dhe “e djathta” e skajshme. Shtojcën “e skajshme” duhet ta marrim me rezerva, sepse me të bëhet më shumë propagandë nga neoliberalët se sa tregohet karakteri i vërtet i tyre. Sipas tyre “shumë në të majtën dhe të djathtën amerikane kanë nxituar të mbrojnë regjimin e presidentit rus Vladimir Putin ose, të paktën, kanë nxitur SHBA-në të mos ndërhyjë në mbrojtjen e Ukrainës”.
Ata, madje, citojnë disa prej tyre: njëri, sipas tyre, është Tucker Carlson, fytyra e lajmeve të televizionit Fox News, televizionit më popullor amerikan. Ai ka mbështetur politikat e Kremlinit në Ukrainë dhe kritikon ashpër politikat e Uashingtonit. Qendrimet e tij riprodhohen dhe në media të tjera amerikane. Nga e majta amerikane profesorët përmendin Noam Çomskin, i cili e ka paraqitur Trampin si një model udhëheqësi gjeopolitik që ka refuzuar të armatos Ukrainën. Media të majta si Jacobin, New Left Review, dhe Democracy Now! Mbështesin linjën se duhet të fajësohet zgjerimi i NATO-s për veprimet ushtarake ruse dhe kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën. Në internet, të majtë e të djathtë fajësojnë politikën e Ukrainës dhe presidentin e saj.
Ata mundohen të shqyrtojnë arsyet se pse këta krahë të kundërt të politikës amerikane përputhen në çështjen në fjalë dhe gjejnë si “shpëtim” teorinë e patkoit (“horseshoe theory”), e cila është paraqitur për herë të parë nga filozofi francez Jean Pierre Faye. Ai besonte se spektri politik ideologjik, tradicionalisht e ndërtuar si një përparim linear nga një farë forme e socializmit ose kolektivizmit demokratik përmes një qendre borgjezo-liberale dhe nga një farë forme totalitarizmi ose fashizmi, nuk ishte një vijë e drejtë mes dy qendrimeve të skajshme politike por diçka si një patkua, me skajet të përkulen thuajse magnetikisht në bashkim me njëri-tjetrin.
Bazuar në vrojtimin e tij të radhitjes së partive fashiste dhe komuniste të viteve të hershme të 1930 në politikën gjermane dhe më pas në radhitjen e pastajme mes Nazistëve dhe Sovjetëve në sferën ndërkombëtare, ndoshta e mishëruar më mirë me Paktin MolotovRibbentrop, ai besonte se skajet politike kanë më shumë të përbashkëta se sa ç`këshillon interpretimi tradicional i spektrit politik.
Ideja, sqarojnë ata, e patkoit politik është kritikuar prej kohësh për mungesën e rigorozitetit intelektual dhe armatimi i saj nga qendrorët për të diskretituar kundërshtarët e tyre, më shumë nga e majta të cilët mund të krahasohen me konservatorët që gjoja kundërshtojnë.
Kritikët e teorisë priren të citojnë se çdo përputhje e dukshme mbi qendrimet politike mes të djathtës dhe të majtës së skajshme, si kritika e demokracisë liberale, globalizmit, dhe zgjidhjeve të bazuara në treg të problemeve shoqërore, është sipërfaqësore, duke maskuar parapëlqime të larmishme shumë të thella ideologjike dhe politike. Nëse ka ndonjë gjë, se çfarë e bashkon të majtën dhe të djathtën e skajshme, pranojnë kritikët, është kundërshtia kundrejt qendrës liberale, e cila përdor kaq shpesh për mbrojtje patkoin për të njëjtën arsye.
Por teoria rishfaqet, jo vetëm sepse e majta dhe e djathta e skajshme vazhdojnë të radhiten në të dy idetë dhe politikat. Një arsye për këtë është spektri tradicional një-përmasor majtas-djathtas që nuk përllogaritet për dështime të tjera të ndarjes politike në SHBA, si ato të mbizotëruara jo nga ndonjë nocion tradicional intelektual të konservatorizmit ose përparimit por në vend të tyre nga sjellje negative kundrejt “nomenklaturës” dhe formave më të gjera të populizmit.
Populizmi në SHBAm sipas tyre, nuk kufizohet në “Bërjen e Amerikës së Madhe Prapë” (MEGA) mes mbështetësve të Trampit. Në vend të saj ai është përhapur përgjatë spektrit politik, me populistët në të majtën politike (mes tyre mbështetësit e Sen. Bernie Sanders, për shembull) dhe e djathta (mes mbështësve të Trampit).
Se çfarë i bashkon fundet e patkoit, nëse mbështesim metaforën e Faye-s, nuk janë nocione intelektuale të konservatorizmit ose progresivizmit por kundërshti ndaj elitave, “nomenklaturës partiake”, dhe derëtarëve tradicionalë të shtypit të rrymës kryesore. Kur bëhet fjalë për Ukrainën nuk shohim vetëm mbështetje të rëndësishme për teorinë e patkoit por gjithashtu për diçka që shkon përtej saj: ideja se paradigma e thjeshtë majtas-djathtas nuk na çon veçanërisht larg për të kuptuar politikën amerikane.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, shumica e amerikanëve nga të dyja partitë kanë mbështetur [...] qendrimin e qeverisë amerikane: mbështetje ushtarake dhe humanitare; madje dhe për mirëpritjen e refugjatëve të Ukrainës.
Më tej autorët përmendin lidhjet pushtetore dhe interesat e tyre ekonomike të disa republikanëve dhe demokratëve me elitën Ukrainase dhe shqyrtojnë shkaqet e papërputhshmërive të tyre në politikën e jashtme duke përmendur Kisingerin, arkitektin e shumicës së politikës së jashtme amerikane dhe ndërhyrjeve brutale anë e mbanë botës, dhe Çomskin, kritikun e politikës së jashtme amerikane dhe kundërshtarin e thekur të politikave të Uashingtonit, por, përfundimet e tyre nuk ndryshojnë shumë nga teoria e patkoit, duke shtuar se në shoqërinë amerikane nuk ka kuptim të drejtë të realitetit politik ose në fjalët e tyre: “mosqënia në rritje e një kuptimi të përbashkët të realitetit politik”.
Nga studiuesit e filozofisë politike dukuria që përmendin autorët ―kuptimi i ndryshëm i realitetit politik nga rrymat politike― quhet “ndërgjegjësim i pabarabartë”, dhe njihet si dukuri. Por ndryshe nga profesorët amerikanë, pak autorë të filozofisë politike tregojnë shkaqet se pse popujt dhe rrymat politike të popujve kanë qendrime të ndryshme dhe shpesh të njëjtë, si në rastin e të “majtës” dhe të djathtës amerikane: së pari, sepse rrymat politika mbështeten ose në autorë ose studiues si në rastin e të “majtës” amerikane, tek Çomski, ose tek drejtuesit e partive, si në rastin e republikanëve, tek Trampi.
Ndryshimi mes këtyre të dyve, për shembull, është tejet i madh: njëri e bazon arsyetimin e tij tërësisht në fakte ndërsa tjetri në thjesht perceptime―se ç`kupton nga nomenklatura politike amerikane dhe përtej saj thjesht duke përdorur perceptimin dhe jo faktet dhe shqyrtimin e tyre. Çomski, në anën tjetër, nuk përfshihet në kategorinë e filozofëve politikë, sepse ai nuk përdor në analizën e tij të fakteve, analizë sistemike―domethënë, ta fillojë analizën nga sistemi drejt shoqërisë. Por sidoqoftë, ai është një burim i mirë ―jo plotësisht i drejtë― qendrimesh politike.
Kështu, megjithëse ata kanë ndikim tek mbështetësit e tyre, se kush ndikon më shumë në krijimin e opinionit të popullit amerikan, është masmedia, pas të cilës qendrojnë zakonisht interesat e ngushta të oligarkisë politike dhe ekonomike. Por pavarësisht këtij fakti, populli amerikan ka një ndërgjegjësim të mirë nëse gjykojmë nga sondazhet e IPSOS. Opinioni i tij do të ndryshonte radikalisht nëse do t`i tregohësh nga masmedia gjithë realiteti gjeopolitik në Ukrainë dhe përtej saj.
Megjithatë, aktualisht e majta dhe djathta amerikane ka njoftuar zhvillimin e një proteste në 19 shkurt në Uashington DC me thirrjen “Asnjë qindarkë më tepër për luftën në Ukrainë”. Sipas njoftimit, protesta synon ndalimin e luftës; sepse këtë mund ta bëjë vetëm populli amerikan.
Por mbi dhe përtej asaj kërkese, qendron një lëvizje shpresëdhënëse, me Partinë e Popullit, një parti e re përparimtare, dhe Partia Libertariane. Në fjalët e njoftimit, ajo “është çfarë shtypi do ta quante një koalicion “i majtë dhe i djathtë”, duke zgjeruar spektrin për të ndaluar luftën në Ukrainë”. Organizatorët e quajnë protestën “Zemërim Kundër Makinerisë së Luftës”. Me luftën në Ukrainë që na vendos përballë armagedonit bërthamor, citon njoftimi, “zemërimi” duhet të quhet një kundërveprim i butë.
Partia Popullore është krijuar nga Nick Brana, bashkërenduesi kombëtar i Bernie Sanders dhe ka në gjirin e saj veprimtarë si Chris Hedges etj. Ndërsa Partia Libertariane ka Ron Paul, një kundërshtar i patundur i politikës së jashtme amerikane. Ajo është partia e tretë më e madhe në SHBA. Kërkesat e tjera të tyre janë “bisedime për paqe”; “ndalimi i inflacionit”; dhe “shpërndarja e NATO-s” ndërsa shtojnë shpërshkallëzimin bërthamor botëror; shkurtimin e buxhetit të Pentagonit; ndalimin e Shtetit të Thellë të CIA-s dhe ushtrisë; ndalimin e luftës dhe perandorisë; rivendosjen e lirive qytetare; dhe lirimin e Julian Assange.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 48 reads