Qeveria “Meloni” paralajmëron përplasje të fortë me Brukselin dhe Uashingtonin
Në politikën e jashtme ata nuk do të përshtaten me politikat e Brukselit dhe Uashingtonit lidhur me Rusinë ndërsa në politikën e brendshme ata do të diktojnë politikat e emigracionit dhe homoseksualizmit.
Ylli Përmeti
25/09/2022 - 18:51
Zgjedhjet e radhës në Itali u zhvilluan pas rrënimit të parakohshëm të qeverisë “Dragi” (në korrik) dhe krizës energjitike dhe inflacionare që ka pushtuar Evropën. Përpara zgjedhjeve 80% e italianëve thoshin se po bënin sakrifica të mëdha për të paguar kostot e energjisë, siç janë shtyrja e pushimeve, blerjet e mëdha dhe ngrënia në restorante ndërsa tre të katërtat e familjeve italiane presin edhe më shumë vjeshtën aktuale. Rritja e çmimeve të energjisë filloi në vitin 2021 por kriza energjitike i rriti ata edhe më shumë gjatë vitit 2022. Partitë politike atje po ndjekin politikat e BE-së për krizën energjitike dhe s`kanë hartuar asnjë rrugëzgjidhje tjetër.
Me ndryshime të vogla ato synojnë përdorimin e gazit natyror ndërsa nuk mungon joshja me energjinë bërthamore pavarësisht se si praktikë është kundërshtuar në dy referendume të ndryshme nga populli italian. Sondazhet tregonin se zgjedhjet i fitonte koalicioni i djathtë me kryesuese Xorxhia Melonin, presidentja e “Vëllezërve të Italisë”. Kjo e fundit u ngjit në pushtet që në vitin 2008 kur u emërua nga Berluskoni si ministre e rinisë. Në koalicionin në fjalë përfshihet partia e Mateo Slavinit, kryetar i Ligës dhe Berluskoni me Forza Italia: e para fitoi 26 për qind të votave ndërsa Salvini 9 për qind dhe Berluskoni 8 për qind.

Në rritjen e djathtës italiane nuk ndikoi kriza energjitike (sepse nuk ishte kryefjala e propagandës së saj) por ishte familja (degjenerimi` saj) dhe emigrantët. Këto dukuri e djathta italiane i lidh me “financën globale” dhe jo me elitat dhe sistemin!
Në dijeni të rezultatit të zgjedhjeve, presidentja e Komisionit Evropian kërcënoi dy ditë përpara zgjedhjeve se “BE-ja ka ‘vegla’ për t`u përgjigjur nëse gjendja politike në Itali shkon në “drejtim të vështirë”, duke nënkuptuar dënimet që pësoi Hungaria dhe Polonia. “Nëse gjërat shkojnë në një drejtim të vështirë, unë fola për Hungarinë dhe Poloninë, ne kemi vegla”, tha ajo. Salvini reagoi duke e quajtur “arrogancë të turpshme” qendrimin e saj dhe thirri Këshillin Evropian të “respektojë votën e lirë, demokratike dhe sovrane të popullit italian”. Koalicioni ka prirje të forta kombëtarsite dhe armiqësi historike me BE-në. Për Uashingtonin dhe Brukselin zgjedhjet italiane janë të rëndësishme sepse u duhet mbështetja e Italisë për Ukrainën dhe për qendrueshmërinë e BE-së.
Meloni dhe Salvini janë euroskeptikë: ata e kanë kritikuar ashpër BE-në ―Meloni i ka quajtur burokratët e Brukselit agjentë të elitave botërore nihilistike të udhëhequr nga financa ndërkombëtare― dhe të dy flirtojnë me braktisjen e euros. Ndërsa Meloni është zotuar të vazhdojë politikat e Dragit për mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe një qendrim të ashpër ndaj Rusisë me sanksione, Salvini është ankuar se sanksionet ndaj Rusisë dëmtojnë ekonominë italiane.
Por “Italia varet nga një paketë e vazhdueshme prej 200 miliardë euro nga BE-ja për të ndezur ekonominë e saj, kronikisht e keqe, dhe përballet me vështirësi rreth qendrueshmërisë së saj lidhur me borxhin sovran prej gati 3 trilionë dollarë. Nga të gjitha këto bashkë, analistët italianë presin se këto do të mbajnë qeverinë e re jashtë fuqive kyçe evropiane, si Franca dhe Gjermania, të cilat do të kontrollojnë impulset e saj armiqësore. Italia është veçanërisht e cënueshme ndërsa BQE-ja shtrëngon politikën monetare. Për të përfituar nga një skemë e re e BQE-së për blerjen e bondeve e cila synon të përmbajë kostot e huamarrjes nga spiralja e mëtejshme, Roma duhet të përputhet, citon FT, me zotimet e saj ndaj BE-së, duke përfshirë reforma strukturore [ose privatizime] të premtuar si pjesë e programit e rimëkëmbjes nga Kovidi”.
Të tre drejtuesit janë të bashkuar kundër emigracionit dhe mbështesin vlerat konservative familjare. Por ndërsa Meloni është një atlanticiste e patundur e cila mbron politikat e sigurisë kombëtare, baza e Salvinit mbështetet nga ndërmarrje që kishin marrëdhënie të ngushta tregtare me Rusinë përpara luftës. Tensionet mes tyre, të cilët janë munduar të fshehin rivalitetin ndërsa zhvillojnë fushatën bashkë për pushtet, janë shfaqur tashmë.
Por përplasja më e madhe zhvillohet mes Melonit dhe Berluskonit; ky i fundit e quan atë “dogmatike, despote, arrogante dhe mësymëse dhe pa dëshirë për të ndryshuar”. “Ajo është dikush që nuk mund të shoqërohesh”, shkruante ai në një pusullë të shkruajtur nxitimthi në mbledhjen e parë të parlamentit. Zhgënjimi i tij lidhet me refuzimin e saj për t`i dhënë ministri kyçe për disa nga të pëlqyerit e tij. Madje, ai urdhëroi senatorët e Forza Italia për t`u përmbajtur në votimin e kandidatit të Melonit për presidencën e senatit, Ignazio La Russa. Por dështoi, sepse ky i fundit mori mbështetje të mjaftueshme nga opozita. Në këtë mënyrë, Meloni tregoi edhe një herë se se kush diktonte koalicionin.
Ndërsa La Russa është bashkëthemelues i partisë së Melonit, ka përzgjedhur kujtimet fashiste dhe i ka quajtur gjithë italianët si “trashëgimtarë të Il Duce” Meloni arriti të zgjidhte kandidatin e saj për kryetar të parlamentit, Lorenza Fontana. Ky është ofiqi i tretë më i fuqishëm në politikën italiane pas presidentit dhe kryetarit të senatit. Fontana është një aleat i ngushtë i Salvinit dhe me bindje të ngjashme me të, admirues i Putinit dhe kundërshtues i sanksioneve ndaj Rusisë, kundërshtarë i mprehtë i homoseksualizmit dhe emigracionit, përshëndetës i flaktë i “Brexit” si fillimin e një epoke të re që mund të ndryshojë Evropën.
Lidhur me Evropën, Meloni ka më shumë të përbashkëta me Orbanin e Hungarisë se sa me BE-në, Gjermaninë dhe Francën dhe duket e gatshme të bashkohet me udhëheqësit konservativë me grindjet e tyre me Brukselin mbi sundimin e ligjit dhe standarteve demokratike. Ajo ka thënë gjithnjë se ligjet kombëtare duhet të mbizotërojnë ligjet e BE-së dhe kjo e fundit duhet të jetë një federatë kombesh ku çdonjëri duhet të rifitojë sovranitetin dhe jo ta dorëzojë atë, një qendrim që alarmon Brukselin. Ajo është përfshirë në politikë që kur ishte 15 vjeç si veprimtare me Lëvizjen Italiane Sociale, e cila u themelua pas luftës së dytë botërore nga besnikët e fashistit Benito Musolini.
Por nga qendrimet e saj ―tashmë 45 vjeç― kuptohet se vetëm fashiste nuk është: qoftë ajo qoftë Salvini janë politikanë me bindje të paqendrueshme pavarësisht se synojnë të ndalojnë emigracionin dhe globalizmin neoliberal për të fuqizuar Italinë duke u mbështetur tek vlerat konservatore familjare. Kjo është qasja që mbizotëron mes të djathtëve me Trampin në krye.
Gazetarët e punësuar nga elitat neoliberale e tregojnë Melonin si fashiste pa shqyrtuar qendrimet dhe programin e saj partiak--gazetarët që kanë mbështetur luftrat e elitave neoliberale dhe katastrofën ekologjike përmes të cilave nxitet emigracioni dhe dëmtohet klasa punëtore në Evropë; ata që mbështesin politikat e globalizmit neoliberal dhe dinamikën e tregut ndërkombëtar përmes të cilit shkatërrohen vlerat e kombeve dhe familjeve. Në vendin tonë spikasin televizionet (Top Channel etj.) dhe gazetat (Shqiptarja.com etj.). Pas tyre rendin dhe shumë idiotë që s`kanë mësuar pas më shumë se 30 vjet se kush janë fashistët e vërtetë!

Italia është vendi më i pabarabartë mes vendeve të BE-së, e megjithatë, koalicioni i djathtë nuk e ngre si çështje! Madje Lega, partia e ministrit të financave, Giancarlo Giorgetti, italiane mbrojti idenë e uljes së taksës mbi të ardhurat në 15 për qind, e cila do të mbulohet me borxh të shtuar publik, gjatë fushatës.
Autorja e librit “Populokraci: Tirania e autenticitetit dhe ngritja e populizmit”, Catherine Fieschi, e përshkruan kryetaren e Vëllezërve të Italisë si “thellësisht ideologjike” dhe se ajo ka përdorur “idetë e të djathtës konservatore tradicionale kristiane” për të shfrytëzuar një nderje (tension) të fuqishme popullore. “Ajo e ka kuptuar përsosshëm se italianët janë neveritur me fjalë të mëdha (bombastike) dhe nuk duan as teknokraci. Ajo vërtet është një konservatore nacionaliste. Se çfarë do të shohim është “Italia e Para”, thotë autorja.
Mirëpo, ideologjia e saj dhe sistemi në të cilin është integruar Italia prej më shumë se 30 vitesh, janë dy çështje të ndryshme që nuk mund të pajtohen. Thënë në fjalë të tjera, ajo vërtet do të përpiqet të punojë për atdheun por atdheu varet nga sistemi dhe kryesisht nga BE-ja.
Dy ditë përpara të njoftimit të qeverisë “Meloni”, Berluskoni zbuloi një audio-regjistrim për parlamentarët e partisë së tij ku tregonte se ishte në lidhje me Putinin dhe kishte shkëmbyer letra të ëmbla dhe dhurata me të ndërsa një ditë më pas tha se Ukraina kishte prishur një marrëveshje paqeje të vitit 2014, e cila u krijua për t`i dhënë fund një lufte separatiste nga rusisht-folësit në Donbas duke akuzuar Zelenskin se ai e përkeqësoi gjendjen më tepër kur erdhi në pushtet në vitin 2019 me politikat e tij. Deklarata e tij shkaktoi bujë të madhe politike. Si pasojë, Meloni ndërhyri dhe ripohoi se “Italia është e gjitha pjesë e Evropës dhe Nato-s, dhe me kokën e saj lartë, dhe çdokush që nuk përputhet me këtë gurthemel nuk mund të jetë pjesë e qeverisë qoftë edhe nëse do të thoshte se nuk do të krijohësh qeveria”, duke sqaruar se qeveria e saj do të ketë një “linjë politike të pastër dhe të qartë” dhe se ajo do të kërkonte “qartësi” nga gjithë ministrat.
Berluskoni ka lidhje të vjetra me Putinin; ndaj nuk duhet të çudisë asnjërin. Për lidhjet e tij janë në dijeni elitat perëndimore. Ai ringjitet në pushtet pas 12 vitesh, pasi u detyrua të dorëhiqësh në vitin 2011 në kulmin e krizës së borxhit italian. Në koalicionin e ri ai kërkoi pohim zyrtar për rëndësinë e tij dhe emërim si kryekëshilltar, gjithashtu dhe si aleat besnik në sistemin e drejtësisë kur dihet se ai është nën hetim si udhëheqës i “Forza Italia”, për të paktën një rast, për mashtrim me taksat në vitin 2012, dhe rasti ende “gjarpëron” në labirintin e sistemit ligjor italian. Por fakti që Berluskoni mori ministrinë më të rëndësishme ―ministrinë e jashtme― me Antonio Tajanin, kuptohet se qeveria “Meloni” do të anojë nga shijet e Berluskonit pavarësisht paralajmërimit të saj.
Në fund, vlen të përmendet gjendja ekonomike italiane mbi të cilën fillon punë qeveria e re: borxhi italian është më i larti në eurozonë: 150 për qind e PPB-së. FMN-ja paralajmëroi qeverinë në prag të krijimit se Italia po shkon drejt amullisë duke parashikuar se ekonomia do të tkurret me 0.2 për qind vitin tjetër. Banka Italiane ka parashikuar rritje të parëndësishme në vitin 2023, 0.3 për qind dhe inflacionin 6 për qind, ndërsa ka paralajmëruar për një tkurrje të mundshme me 1.5 për qind dhe inflacion 9 për qind nëse Rusia ndalonte gjithë furnizimet energjitike në Evropë. Qoftë edhe në kushtet aktuale, disa banka parashikojnë një amulli më të rëndë për Italinë e cila varet nga gazi për rreth 50 për qind të prodhimit të elektricitetit. Industritë e manifakturës si qeramika, letra, qelqi dhe metalet, të cilat përdorin shumë energji, janë prekur tashmë rëndë dhe kanë pushuar mijëra punëtorë.
Gjykuar nga këta fakte, koalicioni i djathtë do të ketë përplasje sidomos mes Melonit dhe Berluskonit por ai mund t`i anashkalojë mospajtimet dhe mund të ketë një qeveri të qendrueshme. Në politikën ekonomike ai do të përshtatet me politikat e Brukselit pavarësisht qëllimit të tij për të vendosur Italinë të parën dhe të ulë taksën mbi të ardhurat, sepse atij i mungon një plan-projekt për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë, sociale, ekonomike dhe ekologjike. Në politikën e jashtme ai nuk do të përshtatet me politikat e Brukselit dhe Uashingtonit lidhur me Rusinë ndërsa në politikën e brendshme ai do të diktojë politikat e emigracionit dhe homoseksualizmit. Kjo prirje bëhet veçanërisht e mprehtë pas mbizotërimit të republikanëve në zgjedhjet e nëntorit në Amerikë.
Aktualisht BE-ja po ndryshon në shumë drejtime dhe balanca e pushtetit po ndryshon ndërsa grupet në parlamentin evorpian kanë filluar të mendojnë aleanca të reja përpara zgjedhjeve paralamentare për parlamentin evropian. Këto politika do të çojnë në një krizë më të thellë në BE dhe do të nxisin partitë homologe, sidomos të djathtën franceze, të zhvillojnë protesta (aktualisht Franca më shumë se çdo vend tjetër është e përfshirë në protesta) më të fuqishme madje dhe trazira gjatë dimrit 2022-23...
Për më shumë:
Mjerimi intelektual i të “majtës”...italiane, koalicionet qeverisëse dhe diktati i korporatave dhe bankave
Ky editorial është përditësuar 24/10/2022
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 140 reads



