...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia ‘përgatitet’ të mposhtë perëndimin me monopolin e grurit ndërsa Rama bën “trimoshin” në OKB

Rusia ka një “armë” mjaft të fuqishme aktualisht: kushtet klimatike, plehrat kimike dhe prodhimin e grurit në sasi të madhe dhe cilësi të lartë, ndryshe nga shumë vende të tjerë eksportues

Ylli Përmeti

23/09/2023 - 09:17

Sipas një analize të mesit të shtatorit (2023) nga departamenti i agrikulturës amerikane (USDA), aktualisht kërkesa për grur në nivel botëror tejkalon prodhimin, i cili ka rënë kryesisht si pasojë e ndryshimeve klimatike. Parashikohet se konsumi i grurit do të kapë rekorde gjatë vitit 2023/2024 ndërsa prodhimi do të bierë në nivelin e viteve 2012/2013 në kohën kur çmimi i një toni grur rus dhe ukrainas është blerë në qershor nga furnitorët tanë nga 310 deri në 320 dollarë ndërsa një ton i grurit kanadez kushton rreth 580 dollarë ose sa dyfishi i grurit rus!

Shqipërisë (dhe Kosovës) i kanoset “zia e bukës” ndërsa Rama dhe Kurti (dhe opozitat) i bien fyellit

Sipas një raporti të FT çmimi i grurit aktualisht është në nivelin më të ulët në tre vitet e fundit (shih grafikun)) falë një prodhimi të jashtëzakonshëm të Rusisë ndërsa vendet e tjerë kanë shënuar nënprodhim. Analistët paralajmërojnë se përshkallëzimi i tensioneve mes Ukrainës dhe Rusisë në Detin e Zi dhe bastet e larta të fondeve gardhonjëse rrezikojnë të shkaktojnë një rritje tjetër meqënse në portet e detit në fjalë kalojnë 70 për qind e eksporteve të grurit rus dhe ukrainas. Ata paralajmërojnë, gjithashtu, tensione gjeopolitike mes Rusisë dhe Perëndimit.

Parashikimi i punonjësve amerikanë bëhet kur Rama shkoi në OKB dhe i tregoi botës dhe syleshëve tanë se sa “trim” ishte kundër Rusisë dhe sa “luftarak” ishte për luftën e “drejtë” të Ukrainës! Si nuk doli ndonjë “ekspert” i ministrisë sonë të bujqësisë t`i tërhiqte vëmendjen dhe t`i thoshte: “ndal ore karafil, ku shkon me ato që thua, do ta lësh popullin pa bukë”!

Ndërsa “ekspertët” i kemi për faqe të zezë dhe reflektojnë faqen e zezë të klasës politike (ajo i emëron fundja), pas “trimërisë” së Ramës, lëvizi dhe Rusia: si fillim Lavrovi tërhoqi vëmendjen e Antonio Guterres, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, që të parandalonte politizimin e Këshillit të Sigurimit me përfaqësues të strukturës së OKB-së [si Shqipëria], në nisma mbi Ukrainën ndërsa Guterres u zotua se do të përmbahet në pjesëmarrje në nisma që nuk nënkuptojnë pjesëmarrjen e gjithë anëtarëve. Lavrovi i tërhoqi vëmendjen Guterresit dhe për zbatimin e “standarteve të dyfishta” në dokumentat e SHBA-së lidhur me territore të ndryshme, sipas artikullit 100 të kartës së OKB-së. Pas kësaj lëvizjeje ndodhi një sulm kibernetik në Shqipëri. Për të u dyshua Rusia.

Sidoqoftë, Rusia ka një “armë” mjaft të fuqishme aktualisht: kushtet klimatike, plehrat kimike dhe prodhimin e grurit në sasi të madhe dhe cilësi të lartë, ndryshe nga shumë vende të tjerë eksportues. SHBA-ja, për shembull, meqë shumë idiotëve të anëve tona mund t`u shkojë mendja se do të na ndihmojë ajo në rast se përballemi me ndonjë “bllokadë” ruse, në raportin e saj të këtij viti kujdeset të citojë që në fillim se prodhimi i saj i grurit është dëmtuar (për mos të thënë gjymtuar) nga thatësirat dhe ai është jokonkurrent (pa cilësi) në tregun ndërkombëtar. Prodhimi i grurit amrikan kulmoi në vitin 1981 dhe që nga ajo kohë s`e ka marrë veten. Aktualisht prodhon gati sa gjysma e atij viti dhe mbulon nevojat (duke importuar një sasi të vogël nga Kanadaja) dhe eksporton, jo si në të kaluarën por më pak. Por si SHBA ashtu dhe Kanadaja importojnë plehra kimike nga Rusia.

Që nga viti 2000, SHBA-ja, BE-ja, Kanadaja, Australia, Argjentina, dhe ish Bashkimi Sovjetik përllogariteshin për gati 90 për qind të eksporteve të grurit. Por aktualisht Rusia është eksportuesja më e madhe dhe ajo furnizon gjithë eksportuesit e tjerë me plehra kimike. Nëse ajo ndalon eksportin e plehrave kimike në BE, SHBA dhe Kanada si hakmarrje ndaj gjeopolitikës së tyre në Ukrainë por dhe vende të tjerë ish-sovjete, çmimet e grurit atje do të rriten me të paktën dyfishin e çmimit aktual.

Në këtu kushte, aleatët tanë evro-atlantikë do të përfshihen në mungesa gruri dhe në tensione shoqërore dhe trazira dhe nuk do të kenë mundësi të furnizojnë popujt çaprazë që mbështesin një kryeçapraz.  

Me kërkesën botërore në rritje dhe prodhimin botëror në zbritje, me prodhimin vendor pak në rritje si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, por kurrësesi i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat tona, dhe me rezerva që nuk mund të tejkalojnë 3-4 muaj dhe rrezikun e “hakmarrjes” së Putinit ndaj spektaklit të Ramës në OKB dhe gjeopolitikës perëndimore kundër saj, gruri i të cilës vazhdon të ruajë përqindjen më të madhe të importeve tona, bashkë me plehrat kimike, me siguri Shqipëria dimrin e viteve 2023/24 do të përballet me një krizë që s`e ka dëshmuar për gati 70 vjet dhe bashkë me të dhe aleatët e saj, të cilët, në padijen e tyre, mbështesin veprime të padrejta dhe pamatura në Ukrainë dhe OKB.

Nuk e di se sa ka kontribuar Putini në krijimin e një monopoli tjetër, jetik për jetën e popujve, por gjykuar nga fakti se si ai punon ―pa fanfara―(këto të fundit ia ka lënë Ramës), besoj se është një përpjekje e qëllimshme për ta përdorur në nevojë kundër atyre që po luftojnë Rusinë. Monopolin e Rusisë e kanë kuptuar dhe disa studiues në perëndim por zëri i tyre nuk dëgjohet në median e kontrolluar nga neoliberalët.

Kështu e bëjnë krizën më të thellë dhe më të rrezikshme dhe krijojnë përshtypje se ata po komplotojnë kundër popujve të tyre për t`i vrarë ata përmes urisë. Teza të tilla nuk mungojnë në televizionet e kontrolluar nga neoliberalët (me kryesorin Topin dhe Cakon në anë tona). Por “teza” të tilla janë gjepura. Thjesht elitat perëndimore s`kanë dije të plotë për sistemin që kanë krijuar dhe besojnë se do ta mposhtin Rusinë ndërsa mposhtin veten me veprimet dhe mosveprimet e tyre.   

Dëftues është rrëfimi i komentatorit të Financial Times për besimin e Bushit 23 vjet më parë: “tregti të lirë me Kinën dhe koha është në anën tonë”, thoshte sipas tij Xhorxh W Bushi, presidenti i SHBA-së në atë kohë, kur Kina anëtarësohësh në OBT në vitin 2001. “Një brez më vonë, shumë në perëndim kanë ardhur në përfundimin se ajo kohë ishte në anën Kinës. Bushi bëri një gjykim politik. Ai besonte se një Kinë e integruar thellë në ekonominë botërore do të bëhej më e hapur dhe më demokratike. Por me Shi Xhinpingun Kina është bërë më e mbyllur dhe autoritare”, citon ai.

Por e vërteta është se ekonomia e Kinës vazhdon të jetë e hapur dhe e orientuar në tregun ndërkombëtar. Gjithashtu, integrimin e ekonomisë kineze në tregun ndërkombëtar e ka mbështetur dhe ai dhe gazeta ku ai punon, Financial Times, sepse kishin gati të njëjtin besim me Bushin. Tani që Kina po ua bën “rup-zup” me politikat e saja dhe zhvillimin e saj teknologjik filluan të dyshojnë besimet e tyre që kishin 23 vjet më parë.   

“Përleshja” e Ramës dhe Nebenzit në OKB dhe “të pathënat” e dhimbshme të saj

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA